RCCOLA

Alarm Presidencial: Po e humbim partneritetin me miqtë strategjikë

/ 2 minuta lexim

Në një prononcim për Express, Arber Vllahiu, ka deklaruar se Presidentja është thellë e shqetësuar me mungesën e arritjes se një marrëveshje në mes të klasës politike për formimin e institucioneve. Sipas Presidentes, po lëkundet partneriteti me partneret strategjik, posaçërisht në fushën e sigurisë – në luftën kundër terrorizmit.

“Presidentja Jahjaga iu ka bërë me dije të gjithë liderëve të partive politike parlamentare, gjatë takimeve të kaluara në kuadër të procesit të lehtësimit të diskutimeve, gjendjen në të cilën ndodhet vendi aktualisht dhe rrezikun nga kriza jo vetëm institucionale dhe politike, por mbi të gjitha buxhetore dhe financiare”, ka thënë Shefi i Stafit të Presidentes, për Express.

“Gjithashtu, Presidentja ka shfaqur shqetësimin e thellë, që për shkak të paaftësisë për ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme në vend, po lëkundet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare në veçanti me partnerët tanë strategjik, posaçërisht në fushën e sigurisë, ku Kosova ka treguar shembull në ruajtjen jo vetëm të sigurisë së saj kombëtare por edhe si një partner i fuqishëm në luftën globale kundër terrorizmit”.

Fundamenti

Arbër Vllahiu shtoi me tej se “anashkalimi i Kosovës nga agjenda e partnerëve ndërkombëtarë, për shkak të bllokadës për të ndërtuar institucionet, është shqetësues dhe e vë Kosovën në një gjendje të rëndë që pengon fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj”.

“Presidentja Jahjaga pret në ditët në vijim, që liderët e partive politike parlamentare të reflektojnë mbi gjendjen e krijuar dhe të vijnë me propozime shumë konkrete për daljen nga situata e krijuar”, ka deklaruar Vllahiu për Express.