Uji Dea

Al Caponet kosovarë zhysin Kosovën në modelin korruptiv rus

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Lidhja e thellë e politikës me krimin dhe korrupsionin në Kosovë, një fakt që nuk po mohohet as nga përfaqësues politikë të pozitës dhe as të opozitës, së bashku me analistët politikë, dëshmon se në shtetin tonë të ri po qeverisin mafiozët e ngjashëm me ish-kreun e mafisë – Al Capone dhe me mafiozët e vonshëm rusë, të cilët po e vjedhin dhe zhvatin këtë popull çdo ditë dhe deri në palcë.

SHTETI NË UDHËKRYQ, POLITIKA E INKRIMINUAR SUNDON GJITHÇKA

Oligarkët kosovarë shtrëngojnë regjimin autoritar

“Është fakt i pamohueshëm, është diçka që po shihet ashiqare se gjendja dhe realiteti i situatës politike dhe ekonomike në Kosovë është duke shkuar deri në drejtim të kolapsimit të plotë dhe tepër të rrezikshëm, si pasojë e veprimit kapës të shtetit nga bandat kriminale të lidhura me politikën”, ka theksuar analisti Ali Hertica

Lidhja e thellë e politikës me krimin dhe korrupsionin në Kosovë, një fakt që nuk po mohohet as nga përfaqësues politikë të pozitës dhe as të opozitës, së bashku me analistët politikë, dëshmon se në shtetin tonë të ri po qeverisin mafiozët e ngjashëm me ish-kreun e mafisë – Al Capone dhe me mafiozët e vonshëm rusë, të cilët po e vjedhin dhe zhvatin këtë popull çdo ditë dhe deri në palcë. Tani me të drejtë shtrohet pyetja se deri kur do të na qeverisin në të gjitha shtyllat e pushtetit dhe në të gjitha nivelet të papërgjegjshmit, shkatërruesit e shtetit dhe të paprekshmit, gangsterët e tipave Al Capone që po vazhdojnë të qëndrojnë e të mbesin lart mbi ligjin. Deri kur do ta kuptojnë edhe bashkësia ndërkombëtare, përmes ambasadorëve të vet këtu, se me këtë klasë politike, të lidhur me mafio-bizneset e nëntokës të tipit Al Capone dhe atij rus, nuk mund të ketë asnjë përparim apo zhvillim ekonomik, derisa prokuroritë, sikur kjo e shtetit edhe ajo ndërkombëtare e EULEX-it, po vazhdojnë të heshtin dhe të mos veprojnë.

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj pohon se është fakt i pamohueshëm që Kosovën e sundojnë banda dhe mafio-politika, të cilat zhvatin përmes tenderëve, terminaleve doganore, oligarkëve e proceseve të kurdisura gjyqësore, pastaj vjedhjeve, plaçkitjeve e hajnive të llojllojshme, saqë edhe vetë Kosova është shndërruar në plaçkë, ndërsa interesat e saj në objekt këmbimi me shtetet fqinje, gjithmonë për interesat e bandës dhe mafio- politikës. “Asnjë institucion i Kosovës nuk vepron për ta ndalur këtë shitje e shkatërrim të Kosovës, as prokuroria, as policia, as gjykatat, as EULEX-i, as qytetarët e Kosovës, e as bashkësia ndërkombëtare. Kosova, shtet i ri, me rini të jashtëzakonshme, me pasuri përrallore nëntokësore, me bukuri natyrore e me klimë të jashtëzakonshme, rropatet në varfëri e fatkeqësi të pafund, të cilat ia sjell soji më i keq, i cili ka kapur çdo segment të shtetit të Kosovës”, theksoi Salihaj shkruan gazeta Kosova Sot.

Lulëzon krimi i organizuar dhe korrupsioni

FIDANISHTJA

Sipas deputetit Salihaj, përderisa mafia politike e tipit të Al Capones është në krye të shtetit tonë, atëherë edhe shteti nuk mund të jetë asgjë tjetër, përveç një shtet mafioz, në të cilin lulëzon krimi i organizuar dhe korrupsioni. “Përndryshe, e kam thënë sa e sa herë se meritat për vendosjen e krimit të organizuar në krye të institucioneve të Kosovës i ka në masë shumë të madhe edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila nuk ka qenë e sinqertë, ka bërë çmos që të eliminohen figurat e ndershme kombëtare dhe të vijnë në pushtet këta të tjerët, të lidhur me mafinë kriminale. Tani është jo vetëm demagogji, por edhe hipokrizi kërkesa e vazhdueshme e atyre që thonë se institucionet e Kosovës duhet ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin, kur vetë ata i kanë vendosur ata njerëz dhe këto struktura kriminale në krye të shtetit”, tha Adem Salihaj për “Kosova Sot”.

Deputeti Ismail Kurteshi, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, thotë se një brengë të tillë e ka shfaqur edhe një qytetar, i cili e ka pyetur atë se sa gjatë do t’i durojë Zoti njerëzit që po punojnë kundër shtetit dhe qytetarëve të këtij vendi, por ky i paska treguar atij se qeveritarët e tipit Al Capone mund t’i pastrojnë vetëm qytetarët e këtij vendi dhe asnjë lutje tjetër. “Një burrë i moshuar një ditë më tha deri kur do t’i durojë Zoti këta zullumqarë? Derisa t’i durojmë ne qytetarët që po e pësojmë nga zullumi i tyre, ia ktheva. Nëse ne qytetarët e kalojmë kohën duke pritur ditën kur mafiozët që e kanë uzurpuar pushtetin do të thonë “… tani po shkojmë se është bërë mjaft me keqpërdorime të llojllojshme…” e kanë gabim se kjo ditë kurrë nuk do të vijë. “Këta qeveritarë që as nuk është dashur të fitojnë në zgjedhjet e kaluara, as të mbesin në pushtet kaq gjatë, do të keqqeverisin me Kosovën derisa shumica e qytetarëve të Kosovës i votojnë, jua shesin votat, ose u ndihmojnë për të vjedhur vota. Këta qeveritarë do të qeverisin me vendin, dhe do të zhvatin gjithçka që munden, derisa institucionet e shtetit nuk do të funksionojnë, derisa keqbërësit nuk ndëshkohen”, është shprehur më tej Kurteshi.

Modeli oligarkik rus për lidershipin kosovar

Opinion të ngjashëm me këtë të këtyre figurave politike, deputetë të pozitës dhe opozitës, kanë edhe analistët politikë. Analisti Shefqet Dibrani thotë se kjo kastë politike për ta udhëhequr vendin ka zgjedhur metodat më të ashpra të sistemeve pos totalitare, siç janë të njohura “Al Caponet rusë”, në duart e të cilëve sot është pothuajse mbi 80% ekonomia dhe pasuritë shtetërore të Rusisë. “Viteve të fundit është parë një invazion rus kudo nëpër vendet më të njohura dhe më turistike në Evropë dhe në Azi, ku dominimi rus është i tejdukshëm. Al Caponet rusë, apo siç njihen në Evropë si mafia ruse, kudo është e pranishme dhe e pakonkurrueshme, qoftë në blerje të objekteve apo në dominimin maksimal nëpër zonat turistike. Tashmë nëpër shumë vende të botës e kemi ndikimin rus të madh, ndikim ky që vetëm në vendet me demokraci të konsoliduar mund të kontrollohet, përndryshe nëpër vendet e tjera ata sillen si oligarkë”, është shprehur ai. “Si duket, modeli rus, në Kosovë ka zënë vend përmes kastës tonë politike, pasi, siç duket, për investime kapitale të mafisë ruse, apo siç na janë më të njohur si Al Caponet rusë, Kosova nuk është vend atraktiv. Por, pse elita politike, sidomos ajo që u kthye nga azili në vendet perëndimore, ka zgjedhur modelin rus për udhëheqje, e jo ndonjërin nga sistemet e përparuara të qeverisjes evropiane nuk është aq e thjesht për t’u trajtuar e për t’u analizuar, pasi me të drejtë dyshohet për implikimin e mundshëm të rrjeteve të nëntokës, të cilat kanë synim për të luftuar dominimin amerikan në Kosovë, i cili po bëhet në disa kahe e në shumë mënyra”, thotë Dibrani për “Kosova Sot”. Ai pohon se Kosova do të udhëhiqet nga kjo kastë politike derisa vendi të futet në borxhe të mëdha dhe do të tërhiqen nga Kosova vetëm atëherë kur do të krijojnë pasuri marramendëse për të shtrirë pastaj ndikimin e tyre nëpër vende të tjera më atraktive, ashtu siç po vepron mafia ruse në Evropë dhe kudo tjetër.

Ndryshimet e shpejta, vështirë se mund të ndodhin

Dibrani thotë se nuk kemi si të shpresojmë se do të ketë ndryshime të shpejta, pasi nuk kemi opozitë të fortë, të aftë dhe të ndërgjegjshme, ndërsa reformat e brendshme partiake pa presionin amerikan nuk do të ndodhin kurrë. Sipas tij, e keqja është shtrirë edhe në Forumet e Rinisë dhe Forumet e Grave të partive përkatëse, ku klasa politike i ka sistemuar pasardhësit e vet, të cilët ose i kanë joshur me sistemime, ose i kanë shantazhuar për t’i mbajtur më lehtë nën kontroll. “Me sa kam kuptuar, bashkësia ndërkombëtare është shumë e shqetë- suar, ajo tashmë ndjen edhe një pjesë të përgjegjësisë pse nuk ka vepruar ndryshe, më herët dhe më vrazhdët. Tashmë shihet se ata me elitën politike nuk kanë gjetur mirëkuptim, përkundrazi bashkësia ndërkombëtare tek kjo kastë politikanësh ka gjetur intrigantët, dallaveraxhinjtë dhe të pabesët, ndonëse kulti i “besës” tek shqiptarët është konsideruar si kulti më i fortë që kanë popujt e Ballkanit dhe më gjerë, por tashmë ka dalë në pah se kjo vlerë morale po nëpërkëmbet nga bijtë e këtij vendi plëngprishës”, theksoi më tutje ai./kosova sot/