Akuzon Rakiqin dhe bandat kriminale për barrikadat në veri, Sveçla: Nuk ka kompromis me krimin

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka akuzuar kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, se në bashkëpunim me bandat kriminale e të armatosura po i mirëmban barrikadat që kanë bllokuar qytetarët dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës tash e 11 ditë.

Sveçla ka thënë se “e vetmja gjuhë që ata njohin dhe trumbetojnë janë vrasjet ndërsa e vetmja gjuhë që ne njohim është stabiliteti, rendi dhe ligji, ndaj të gjithëve dhe pa dallim”.

“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale me partnerët tanë për heqjen e barrikadave pa asnjë eskalim të mundshëm në ndërkohë këta po i armatosin bandat brenda barrikadave”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook, transmeton Telegrafi.

Ai më tej ka thënë se Rakiq dhe bandat kriminale në verI “nuk kanë mbështetje nga qytetarët serbë në aktet e tyre kriminale prandaj tentojnë t’i frikësojnë me trillime për vrasje e për lista të paqena”.

“Nuk ka kompromis me krimin. Kushdo që në cilëndo formë ka cënuar sigurinë e vendit tonë do të ballafaqohet me drejtësinë. Kriminelët dhe qytetarët nuk janë në të njejtën anë. Asesi nuk mund të kushtëzohet liria e lëvizjes dhe zhvillimi i të gjithë qytetarëve me lirinë e kriminelëve që me aktet e tyre terroriste kanë rrezikuar para se gjithash të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë ai.

Më tej, Sveçla ka thënë se “Policia e Kosovës është një dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe në shërbim të ligjit që ju kërkon llogaridhënie shkelësve të tij”.

Reagimi i ministrit Sveçla vjen pas deklaratave të sotme të Rakiqit, se “për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës receta është shumë e thjeshtë: lirimi i serbëve të arrestuar dhe tërheqja e të gjitha njësive të policisë së Kosovës nga veriu. Ai gjithashtu nga barrikada në Rudar është marrë edhe me propagandë dhe insinuata duke thënë se kërkesa e tyre përfshin edhe “heqjen e listave sekrete dhe disa listave për vrasjen e serbëve”.

E për heqjen e këtyre barrikadave, kryeministri Albin Kurti gjatë të hënës ka thënë se do të angazhohet KFOR-i derisa ka shtuar se të njëjtit kanë kërkuar edhe pak kohë.

“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, tha Kurti.

Lidhur me situatën atje dhe heqjen e barrikadave, Telegrafi ka pyetur KFOR-in nëse pritet të ndërmerret ndonjë veprim për heqjen e tyre gjatë këtyre ditëve.

Në përgjigjen e tyre thuhet se KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës.

“KFOR-i ka aftësi të plotë, duke përfshirë personelin, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet, kudo në Kosovë, nën mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. Që nga tetori, ne kemi përforcuar praninë, duke përfshirë edhe me trupa shtesë dhe shtim të patrullimeve në veri të Kosovës këtë javë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Telegrafin.

Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në veri të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS