Mobi Casa

Akuzohet KGJK-ja se po mbulon dështimin e gjyqtarëve

/ 8 minuta lexim

Mungesa e transparencës së plotë gjatë raportimit për punën e institucioneve të drejtësisë, në raportet vjetore nga ana e KGJK-së po vazhdon të hasë në kritika serioze tek njohësit e fushës së drejtësisë dhe analistët.

Kelmendi: Ky Gjyqësor nuk mund të ecë para, kur absolutisht mungon llogaridhënia e mirëfilltë brenda tij, dhe e vetmja llogaridhënie ekziston ndaj mafisë politike

“Po të kishte llogaridhënie dhe transparencë, do të kuptonim se edhe kush duhet avancuar e kush duhet degraduar. Mungesa e këtyre elementeve na sjell në këtë situatë, se askush askujt nuk i përgjigjet. Avancohen të dëgjueshmit, servilët dhe poltronët, kurse ata që punojnë, nëse ka të tillë, fillojnë e pensionohen në të njëjtin vend. Shikoni vetëm rotacionet nëpër prokurori dhe gjykata. Njerëzit e njëjtë sorollaten nëpër pozicione të ndryshme. Kjo ndodh edhe tek organet e tjera hetuese, disa i kanë heshtur duke i avancuar në mënyrë të paligjshme, kurse disa i kanë nën kontroll, sepse janë keqbërës dhe të korruptuar”, thotë ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

Mungesa e transparencës së plotë gjatë raportimit për punën e institucioneve të drejtësisë, në raportet vjetore nga ana e KGJK-së po vazhdon të hasë në kritika serioze tek njohësit e fushës së drejtësisë dhe analistët.

Tanimë është bërë praktikë pune që KGJK-ja në raportet e saj asnjëherë nuk jep shifra konkrete se sa është numri i lëndëve të zgjidhura për çdo gjyqtar, as sa është numri i lëndëve të vonuara për gjyqtar. Asnjëherë nuk mund të sigurohet përgjigje nga ky institucion në pyetjet që dërgohen se pse nuk bëhen publikë emrat e gjyqtarëve, ku rastet mrizojnë deri në një dekadë. Tani me të drejtë edhe njohësit e kësaj fushe konstatojnë se ZPD-ja po shuhet pikërisht për shkak të faktit se nuk u tregua ekspeditive dhe as e dobishme për drejtësinë për qytetarë, por ishte një mekanizëm koti dhe i pavlerë fare në matjen e performancës së gjyqtarëve e të prokurorëve. Profesori i së drejtës, Blerim Burjani tha për “Kosova Sot” se një praktikë e tillë raportimi nuk i shërben aspak komunikimit transparent të drejtësisë me qytetarët dhe opinionin e gjerë publik. “Prandaj, kjo mënyrë e qasjes duhet të ndryshohet, raportimet duhet të jenë të detajuara dhe shumë më përmbajtjësore”, potencoi ai.

Burjani:Këshillat të hapen

“KGJK-ja dhe KPK-ja së paku duhet të ofrojnë tërësisht transparencë për lëndët e përfunduara dhe ato të mbetura, pra duhet po ashtu të jenë të hapura për publikun sa i përket performancës dhe problemeve nëse kanë, ose nëse janë të kapura- të ndikuara nga politika, duhet të ngritin zërin në opinionin publik. Pra, të dyja këto institucione duhet të jenë të hapura për publikun e jo të tentojnë të mos ofrojnë statistika ose të tregojnë sa janë efikase, siç ka ndodhur edhe në prag të vitit të ri, kur prokuroria kishte treguar apo kishte thënë se sa raste të korrupsionit janë ndjekur. Realisht, asnjë rast politik nuk është trajtuar në mënyrë meritore, pra asnjë rast nga ata njerëz, të cilët kanë dosje serioze e që thonë se po merren me politikë nuk ishte ndjekur, madje ishte qesharake situata kur të gjithë dinë se askush nga figurat politike nuk janë ndjekur penalisht, kurse drejtësia lavdërohet për rezultate”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”.

RCCOLA

Preteni:Shifrat e paqarta mjegullojnë të vërtetën

I ashpër dhe kritik në vlerësimin e kësaj mënyre jotransparente të raportimit është edhe njohësi tjetër i fushës Hasan Preteni, sipas të cilit vërejtjet për këtë mungesë transparence po vijnë edh nga BE-ja. “Në raportet e vazhdueshme te Komisionit Evropian,Raporti i Progresit në vazhdimësi e potencon mungesën e një evidence të saktë se si luftohen krimi dhe korrupsioni. Aty kërkohet të raportohet se sa kallëzime penale janë realizuar dhe nga kush? Sa aktakuza janë ngritur? Sa aktgjykime janë shqiptuar dhe kundër sa personave? Rrethi duhet mbyllur. Duhet të dimë saktë se kush çka ka punuar dhe ku janë ngecjet. Me raportimet e tyre të ndara nuk dihet asgjë. Prokuroritë raportojnë për persona se kundër sa personave janë ngritur aktakuzat ose propozim-akuzat, gjykatat raportojnë për rastet. Institucionet e tjera gjithkush për veti se sa kallëzime i ka bërë Agjencia, sa raste Policia,sa raste Dogana e sa Administrata Tatimore. Pra, është një lëmsh e mjegull dhe në fund nuk del asgjë. Të gjitha institucionet na bombardojnë me shifra, por në burg nuk është askush”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”. Sipas tij, një praktikë e tillë pune nuk është hiç më pak se një anarki e pakontrolluar nga askush dhe pa llogaridhënie nga ata që duhet të zbatojnë ligjin dhe ta monitorojnë zbatimin nga instancat vartëse. “E, në mungesë të kësaj,në këtë anarkinë dhe mjegullën e përgjithshme nuk merret vesh asgjë. Nuk dihet pastaj se cili prokuror sa raste i ka trajtuar apo cili gjyqtar sa raste i ka gjykuar. Nuk ka llogaridhënie institucionale, e as llogaridhënie individuale”, potencoi Preteni.

Mungon llogaridhënia

Sipas analistit dhe publicistit Naim Kelmendi, kjo mungesë transparence e detajuar në raportim është letërnjoftimi më besnik i cili na tregon se në çfarë gjendje është drejtësia kosovare si tërësi, e në veçanti Gjyqësori. “Thënë më realisht, ky Gjyqësor nuk mund të ecë para, kur absolutisht mungon llogaridhënia e mirëfilltë brenda tij, dhe e vetmja llogaridhënie ekziston ndaj mafisë politike, ndaj mafisë ekonomike dhe grupeve të caktuara të interesit kriminal. Pra, de fakto e de jure këtij Gjyqësori i duhet një reformë e thellë substanciale që të ketë vërtet llogaridhënie në përputhje dhe në respekt të ligjit në Gjyqësor, në mënyrë që të ndëshkohen dhe penalizohen, madje edhe të përjashtohen të gjithë ata gjyqtarë që i japin llogari politikës dhe mafio-oligarkëve, dhe jo ligjit e Kushtetutës së vendit”, tha Naim Kelmendi. Sipas tij, për ta realizuar këtë objektiv duhet të ndryshojë qasja e vlerësimit dhe kërkimit të llogaridhënies për prokurorët dhe gjykatat në nivelin e KPK-së dhe të KGJK-së. “Mendoj që në këtë aspekt duhet paraprakisht të fuqizohen mekanizmat e kërkimit të llogaridhënies nga instancat vartëse, që edhe mekanizmat përkatës, që i marrin në përgjegjësi gjykatësit dhe prokurorët për veprimet e tyre, të spastrohen nga ndikimet politike dhe të mafio- oligarkëve. Mbase tashmë është koha e fundit që të bëhet reforma, pra duhet ndërmarrë urgjentisht masa për “pastrimin’ e Policisë, Prokurorisë dhe të Gjyqësorit, pasi edhe nëse vetëm njëri institucion çalon-dështon, do të kemi çalime e dështime të tërë sistemit të drejtësisë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

Reforma nuk ka

Sipas Hidajet Ahmetit, po ashtu njohës i kësaj fushe, derisa sistemi nuk reformohet substancialisht, nuk është e pritshme që të ketë as raportim më transparent. “Reformat substanciale në sistemin e drejtësisë kanë mbetur vetëm retorikë boshe, jo vetëm nga përgjegjësit brendapërbrenda sistemit, por edhe nga politikanët karrieristë e të korruptuar. Reforma si shprehje dhe nocion më shumë po lansohet në opinion për konsum të opinionit të brendshëm, por edhe karshi opinionit vlerësuar e monitorues të ndërkombëtarëve sesa që realisht po bëhen ndryshime, të cilat janë të domosdoshme dhe që i duhen qetësisht sistemit të drejtësisë. Gjithsesi që ne tani nuk mund ta gjeneralizojmë problemin, pasi në sistemin e drejtësisë dhe në hallkat e saj institucionale ka njerëz profesionistë e me integritet të lartë moral, por hallka zinxhirore menaxhuese është e kapur nga politika dhe pa shkapjen nga kjo e fundit ‘reforma substanciale’ në sistemin e drejtësisë do të mbetet retorikë politike, kurse edhe raportimet për punën e tyre, sikur që janë raportimet periodike, mujore apo vjetore, do të jenë të mangëta, sa për sy e faqe”, tha Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)