UBT

Akuzohen familjarisht

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

EULEX’i ngriti aktakuzë kundër deputetit Fatmir Limaj, dy vëllezërve të tij, Florimit e Demirit, Endrit Shalës, Gani Zogajt, Nexhat Krasniqit dhe Florim Zukës. Të gjithë këta akuzohen për krim të organizuar, shpëlarje parash, manipulim në procedurat tenderuese dhe marrje ryshfeti. Avokati i Limajt – Tahir Rrecaj, hetimet i cilësoi politike.

Sa përfundon një proces, ia nis një procesi tjetër. Ky është fati që po e përcjell deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limajn tash e sa kohë. I akuzuar për krime lufte në rastin “Kleçka”, Limaj tash po akuzohet për krime ekonomike.

Për deputetin e Kuvendit të Kosovës, që nga e premtja u ngrit zyrtarisht aktakuzë për disa vepra penale që lidhen me kohën kur ai ishte Ministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit. Limaj tash akuzohet për krim të organizuar dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin në të ashtuquajturën “çështje të Ministrisë së Transportit dhe të Post-Telekomunikacionit”.

Bashkë me të, një prokuror special i EULEX’it, në të njëjtën aktakuzë përfshiu edhe gjashtë persona të tjerë. Nuk u mor mundimi që të mbahet asnjë seancë për këtë vendim. Madje as që u lajmëruan të pandehurit dhe avokatët e tyre mbrojtës. EULEX’i vetëm e bëri publik në media aktakuzën pa ia dërguar gjykatës e as avokatëve mbrojtës.

Misioni evropian për rend dhe ligj kumtoi se që nga e premtja një prokuror special i këtij misioni ngriti aktakuzë për Fatmir Limajn, dy vëllezërit e tij, Florim e Demir Limaj, shefin e prokurimit në Ministrinë e Transportit, Nexhat Krasniqin, ish-shefin e kabinetit Endrit Shala, ish- ekspertin e teknologjisë informative Gani Zogaj dhe drejtorin e kompanisë “Tali SHPK”, Florim Zuka.

Në aktakuzë bëhet e ditur se veprat penale për të cilat akuzohen kanë ndodhur gjatë periudhave kohore mes vitit 2008 dhe 2010, ndërsa në lidhje me pastrimin e parave mes vitit 2009 dhe 2012.

“Të pandehurit, Fatmir Limaj, Florim Lima, Demir Lima, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Gani Zogaj akuzohen, mes të tjerash, për manipulimin e procedurave të tenderëve, dhënien dhe marrjen e ryshfetit dhe pengimin e mbledhjes së provave dhe dëshmive në lidhje me tre tenderë në MTPT për përfitime personale dhe/apo materiale”, thuhet në komunikatë.

Dëmi të cilin EULEX’i thotë se të pandehurit ia kanë shkaktuar buxhetit të MTPT’së derisa kanë kryer këto vepra, llogaritet të jetë rreth 2 milionë euro.

“Fatmir Limaj akuzohet gjithashtu për mosdeklarimin e parave në kohën që garonte për zgjedhjet komunale të Prishtinës në vitin 2007 si dhe për vepra të tjera penale”, njoftoi EULEX’i.

Mobi Casa

Përveç Prokurorisë së EULEX’it, në Prokurorinë Speciale të Kosovës rreth këtij vendimi për ngritje të aktakuzës nuk janë njoftuar as të pandehurit, e aq më pak avokatët mbrojtës të tyre.

Ata as që dinë se për çka bëhet fjalë në këtë aktakuzë.

Tahir Rrecaj, avokat i Fatmir Limajt, thotë se një informacion të tillë e ka marrë vetëm nga mediat.

“Më vjen keq që unë duhet të konfirmoj se unë nuk kam marrë asnjë aktakuzë, aq më pak jam i njoftuar nga ana e prokurorit për ngritjen e saj… për këtë vendim jam njoftuar nga gazetarët”, ka thënë Rrecaj, në një konferencë për media.

“Unë madje nuk e di se për çfarë veprash bëhet fjalë dhe se çfarë përmban ajo aktakuzë…e as në çfarë provash është bazuar ajo”, u shpreh Rrecaj.

Sipas avokatit mbrojtës të Limajt, me mosinformimin e këtij vendimi, prokurori publik ka shkelur edhe kodin e procedurës penale.

“Është dashur që më së voni sot, kur është ngritur aktakuza, mbrojtja është dashur t’i ketë të gjitha materialet. Por prokurori i rastit vazhdimisht ka qenë jokorrekt”.

Rrecaj nuk e përjashton mundësinë se hetimi kundër Limajt është politik.

“Kjo pasi prokurorët patën ngritur aktakuza shumë të rënda kundër zotit Limaj vetëm për ta denigruat figurën e tij. Kështu mendoj pavarësisht se nuk mundohem që rasteve t’u jap ngjyrë politike”, tha Rrecaj. Të painformuar rreth vendimit për ngritje të aktakuzës, janë edhe avokatët e të pandehurve të tjerë. Kundër ish-ministrit Fatmir Limaj, tash deputet në Kuvendin e Kosovës, ishin nisur hetimet për veprën penale të korrupsionit në prill të vitit 2010. Atij iu bastis zyra, shtëpia dhe shumë zyra të disa kompanive. EULEX’i pati hetuar edhe madhësinë, gjerësinë dhe cilësinë e asfaltit të cilat patën rezultuar në përputhje me standardet ndërkombëtare. Po këtë vit, Limaj u lirua nga procesi gjyqësor për rastin Kleçka.(express)