Hidromorava

Akuza për vjedhje votash për Parlamentin Studentor

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Jo vetëm politikanët, por edhe studentët kanë dështuar, të enjten, të organizojnë zgjedhje të drejta. Gjithsej pesëmbëdhjetë organizata studentore kanë garuar për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për Parlamentin Studentor, Këshilla të fakulteteve dhe për në Senat, me ç’rast studentët janë shtyrë me bërryla për të hyrë në salla dhe për të votuar, ku kanë tentuar të hyjnë edhe deri në dy herë për të votuar dhe në fund kanë plasur akuzat për vjedhje votash.

Që nga ora 07:00 e mëngjesit, në UP janë hapur 28 qendra të votimit. Të drejtë vote kanë pasur 53.552 studentë të Universitetit. Zgjedhjet studentore ndonëse janë quajtur korrekte nga zyrtarë të lartë të UP-së dhe me vetëm pak probleme teknike, nga Organizata Studentore janë vlerësuar si të parregullta, ndërsa jo pak studentë nuk kanë votuar duke deklaruar se procesi po shkon ngadalë. Nëpër qendrat e votimit, studentët kanë pritur në radhë të gjata që të japin votë.

Madje, para dyerve të sallës numër 1, asaj nr. 2 dhe sallës nr. 3, të emërtuara si qendra votimi në Fakultetin Ekonomik studentët jo vetëm që kanë pritur në radhë, por edhe janë shtyrë me njëri-tjetrin se kush të votojë më përpara. Lisart Dragusha, studentë në vitin e tretë të Fakultetit Ekonomik ka thënë se procesi i votimit po shkon shumë ngadalë dhe sipas tij po ndikon tek studentët që të tërhiqen nga radhët e pritjes dhe të ikin pa votuar. Sekretari i përgjithshëm i UP-së si dhe kryesues i Komisionit Zgjedhor, Esat Kelmendi, ka theksuar se të gjitha qendrat e vendvotimeve, janë hapur me kohë, me përjashtim të Fakultetit të Mjekësisë.

“Në këtë fakultet për shkak të vonesës së komisionarëve është hapur gjysmë ore më vonë”. Sipas Kelmendit nuk kanë hasur në ndonjë parregullsi, përveç “mungesave të disa studentëve në listat me të drejtë vote”. Kelmendi ka njoftuar se pas gjashtë orë të hapjes së vend votimeve janë raportuar nga secili vendvotim përmbi 200 studentë që kanë votuar. “Afërsisht, sillet numri çdo herë kur ka zgjedhje 18 deri në 20 për qind të numrit të përgjithshëm të studentëve”.

FIDANISHTJA

Lëvizja Studentore për Barazi “Studim, Kritikë, Veprim” ka reaguar gjatë ditës duke e quajtur procesin zgjedhor në UP si të parregullt dhe kaotik. “Rektorati dhe administrata e Universitetit të Prishtinës nuk kanë as vullnet as aftësi për ta organizuar procesin zgjedhor brenda Universitetit. Tashmë jemi njoftuar për 5 raste të vjedhjes së votave në Fakultetin e Bujqësisë”, thuhet në njoftimin e SKV-së. SKV-ja ka thënë se po iu krijohet hapësirë zhvatësve për të ushtruar presion mbi votuesit, duke u bërë kështu bashkëpunëtorë në degradimin e procesit.

Egzon Osmanaj, kandidat i Paqes Studentore për kryetar të Këshillit Studentor në Fakultetin Filozofik ka thënë se procesi zgjedhor është karakterizuar me shumë parregullsi. “Fillimisht ka pasur shumë mungesa të votuesve nëpër lista që për ‘çudi’ kanë qenë vetëm të organizatave më të mëdha, që janë pretendente për të fituar si Paqja Studentore, Mendimi Liberal Studentor, Iniciativa Studentore Progresi, Elita Studentore…Po ashtu, ka pasur presion nga Organizata në pushtet (Reforma ), e cila ka ushtruar presion tek votuesit për të votuar reformën”.

Problem tjetër në këtë fakultet, ai ka theksuar se të enjten ka punuar administrata e fakultetit, e cila sipas tij në ditë të enjte zakonisht nuk punon. “Sot ka punuar rregullisht (madje nga disa burime të organizatës kanë telefonuar votues të organizatës në proces). Prezentë është detyruar të jetë edhe Policia e Kosovës, e cila ka ndërhyrë për t’i larguar nga vendvotimet anëtarët e organizatës në fjalë (Reforma), të cilët kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj votuesve…”, ka thënë Osmanaj./zeri/