Aktori shqiptar në serialin turk “Sulejmani i Madhërishëm”

Aktori shqiptar Luran Ahmeti ka filluar xhirimet në serialin më të madh të të gjitha kohërave “Sulejmani i madhërishëm”, i cili aktualisht transmetohet në rreth 50 shtete dhe ka mbi 200 milionë shikues, njofton “Zhurnal”.
Nga produksioni akoma nuk zbulojnë detaje rreth skenarit në vazhdim, por për karakterin që do të luaj aktori shqiptar Luran Ahmeti thonë se bëhet fjalë për një nga pashallarët që do të futet në oborrin e Sulejmanit të Madhërishëm dhe që së shpejti do të shpallet vezir nga sulltani, me influencë të veçantë në zhvillimin e mëtutjeshëm të ngjarjeve në pallat.
Luran Ahmeti është aktori i vetëm shqiptar që angazhohet në një serial të këtij niveli.
Ftesa i është bërë pas roleve të shumta që aktori ynë i realizoi me sukses në serialet turke: “Elveda Rumeli”, “Vera e fundit në Ballkan” etj., filmave “Ballkankan” (Bal can can), “Hajde bre”, “Vendimi” (The judgment) si dhe së fundi pas filmit hollivudian “Taken 2”.
Lurani është aktori i katërt nga Maqedonia që angazhohet në këtë mega-serial. Në serial akoma luajnë aktoret turke Filiz Ahmet dhe Sabina Ajrulla Tozija, ndërsa pjesë e serialit ka qenë edhe aktori i ri turk nga Maqedonia Erman Shaban.