Aktivitete të shumta në shkollat e Gjilanit për festën e Flamurit Kombëtar
Gjilan- Në Komunën e Gjilanit institucionet parashkollore, shkollat fillore, si dhe të mesme sot për nderë të 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptarë, kanë organizuar programe të pasura kulturo-artistike me nxënësit e tyre, duke interpretuar frymën patriotike e liridashëse dhe përparimtare me një qendër të vetme, flamurin dhe bashkimin kombëtar. Në programe të shumta kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës Qemajl Mustafa, drejtori i arsimit Bujar Nevzati si dhe zyrtar të shumët komunal.
Me këtë rast në fjalën e tij në shkollën e mesme të gjimnazit “Zenel Hajdini”, kryetari i Komunës së Gjilanit, tha se sakrifica e madhe e popullit shqiptarë është shumë e madhe për lirinë që ne sot e gëzojmë. “Sakrifica e shumë brezave ndër shekuj të rënë në luftë për mbrojtje të atdheut, vuajtjet e shumta të popullit shqiptarë, kulmuan me shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, por jashtë saj mbeti një pjesë shumë e madhe e tokave shqiptare. Ndaj ky 100 vjetor i pavarësisë së Shqipërisë dhe 5 vjetori i pavarësisë së Kosovës, janë këto ngjarje të cilat ne kemi arsyet më të mëdha për të festuar. Ne duhet të festojmë, por të gjithë bashkë, ditët pas festës duhet të mendojmë çka të bëjmë për t’i zënë shtetet e zhvilluara dhe pse jo për të kaluar ato. Duhet t’i kujtojmë dëshmorët, t`i nderojmë dhe respektojmë familjet e dëshmorëve, veteranëve të luftës, invalidëve të cilët kanë dhënë kontribut për lirinë që ne sot e gëzojmë” tha Mustafa.
Mustafa tha se shkollat tona duhet ta kenë dinjitetin e tyre të meritueshëm. “T’i kujtojmë burrat e mëdhenj të kombit shqiptarë të cilët ishin edhe të pashkolluar, por ishin mendjendritur rreth çështjes shqiptare. Duhet ta dimë të gjithë ne se pa shkollë të mirëfilltë dhe pa një përkushtim nuk mund të kemi zhvillim të shtetit tonë”, tha Mustafa i cili uroi të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Bujar Nevzati, theksoi se organizimet e kësaj natyre në shkollat e Komunës sonë dëshmojnë se ne kemi nxënës kemi kuadro, të cilët ecin ballëhapur përpara, zhvillojnë me hapa të fuqishëm dijen, e ndajnë atë bashkërisht, dhe ne të gjithë bashkërisht ndjehemi krenar me përkushtimin ndaj shkollës dhe dijes në Gjilan. “Uroj të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e Komunës së Gjilanit që të festojnë të lumtur dhe të gëzuar, sepse vetëm të tillë ne zhvillohemi dhe rritemi. Kjo festë neve na jep edhe vullnetin që pas festës të forcohemi edhe me tutje në të gjitha fushat. Këtë ia kemi borxh historisë, ia kemi borxh dëshmorëve të rënë në luftë për liri, ndaj të bashkohemi të gjithë kudo që jemi dhe të shtyjmë proceset përpara, këtu në Kosovë, Shqipëri dhe kudo tjetër në hapësirën e shqiptare. Ju të dashur nxënës duhet që punën tuaj ta kryeni si duhet. Puna juaj është mësimi i vazhdueshëm, sepse këtë s’mund të na ndal askush dhe asgjë” ka thënë Nevzati.
Ndërsa, zv.drejtori i shkollës së mesme të gjimnazit “Zenel Hajdini”, Faik Sahiti, duke elaboruar historinë kombëtare dhe duke ecur nëpër mileniume, shekuj e dekada rikujtoi nxënësit me rëndësinë e kësaj feste të madhe kombëtare. Shënimi i festës kombëtare të 100 vjetorit, është moment i veçantë, sepse kjo festë u hapi rrugë rilindjes, bashkimit dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm. Kjo festë që ne sot po e shënojmë nuk do të ishte e tillë pa luftën e pakompromis të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Program për të shënuar festën e flamurit kombëtar dhe 100 vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptarë e kanë organizuar edhe Institucionet parashkollore si “Ardhmëria I dhe II” Integj, shkollat fillore Selami Hallaqi, Rexhep Elmazi, Musa Zajmi, Abaz Ajeti, Skenderbeu, zabeli, lagjen II, në lagjen VIII, në Livoç të Ulët, Cërrnicë, Zhegër etj, si dhe shkollat e mesme si ajo e Gjimnazit, Teknikës, Ekonomisë, Mjekësisë, Artit Pamor, Muzikës etj. /rajonipress/