Aktivitet simbolik për fushatën kundër kancerit të gjirit në Gjilan

Gjilan – Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit Valentina Bunjaku – Rexhepi ka pritur sot në një takim punë përfaqësuesen e Rrjetit të Grave të Kosovës, Donjeta Morinën dhe disa femra aktiviste të reja vullnetare, të cilat i kanë prezantuar me këtë rast kryesueses aktivitetin të cilin mendojnë ta realizojnë për sensibilizimin e sëmundjes dhe zbulimit të kancerit të gjirit tek femrat.
Me këtë rast kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Gjilanit i ka dhënë mbështetje këtij aktiviteti shumë të rëndësishëm të grupit të vajzave të përfshira në këtë organizim dhe të përkrahura edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe mendohet që ky aktivitet të zgjatë gjatë gjithë ditës në disa pika në qendër të qytetit të Gjilanit.
“Ne i japim mbështetje aktiviteteve të cilat bëhen për këtë qëllim madhor për ruajtjen e shëndetit të gruas, nga përhapja e kancerit të gjirit. Kjo fushatë vetdijësuese është mese e domosdoshme për sensibilizimin e femrës në përgjithësi nga ky kërcënim që është shumë i rrezikshëm për jetë. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë kundër kësaj sëmundje të rëndë e cila me zbulimin e hershëm edhe mund të shërohet, andaj iniciativa juaj që kjo të bëhet në ditën kundër kancerit të gjirit është e mirëpritur nga ana jonë dhe e mbështetur po ashtu”, ka thënë kryesuesja e Kuvendit Bunjaku – Rexhepi.
Ndërsa në anën tjetër Donjeta Morina, përfaqësuese e Rrjetit të Grave të Kosovës, ka thënë se janë përkrahëse të disa vajzave vullnetarë të Gjilanit të cilat kanë shprehur gatishmërinë që të kontribuojnë në sensibilizimin e femrës në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe parandalimin e kësaj sëmundje të rëndë, apo edhe mjekimin e menjëhershëm dhe trajtimin shëndetësor.
Ndryshe ky aktivitet do të mbahet më 1 nëntor 2014 e shtunë nga ora 10:00 deri në orën 18:00, duke bërë promovimin, vetëdijesimin për kontrolla sistematike të femrave pasi tashmë ekziston aparatura e mamografisë./rajonipress/