RCCOLA

Aktivistet e LVV vizitojnë qendrën “Liria”

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Gratë aktiviste të Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjilan, sot vizituan Qendrën për Mbrojtjen dhe Rehabilitimin e Grave dhe Fëmijëve “Liria”. Më një pako ushqimore simbolike dhe me nga një lule për gratë që po strehohen në këtë qendër, aktivistet e Lëvizjes bënë vizitën e tyre duke thënë se gruan duhet uruar çdo ditë dhe jo vetëm në festa të caktuara.

Udhëheqësja e sekretariatit të gruas në Gjilan Arijeta Rexhepi, tha se gruaja është themeli i familjes, i shoqërisë dhe i shtetit, prandaj ne duhet ta duam dhe mbrojmë atë çdo ditë të vitit dhe jo vetëm në festat e caktuara.
“Ne si gra të Lëvizjes, kemi shprehur gatishmërinë për të vizituar këtë qendër sot, njëkohësisht për tu njohur edhe nga afër me sfidat, për të cilat jemi në dijeni që i keni dhe lobojmë vazhdimisht që ato të mos jenë pengesë e punës tuaj. Ju falënderojmë për punën që bëni më gratë që kanë fatin të jenë viktima të dhunës që ushtrohet mbi to, ndërsa urojmë që numri i rasteve të tilla të shkojë vazhdimisht duke rënë, e jo të ndodhë e kundërta, sepse pastaj po bëhet dukuri shqetësuese në përgjithësi, e në veçanti për ne gratë”, tha Rexhepi.

KKGJILAN

Gratë e Lëvizjes u pritën nga drejtoresha e kësaj qendre Nazife Jonuzi si dhe gratë e tjera që punojnë këtu, të cilat na njoftuan për kushtet mbi të cilat funksionon dhe drejton punët e saj kjo qendër.
“Puna që e bëjmë ne stafi i kësaj qendre është mjaft e vështirë, sepse kemi raste nga më të ndryshmet dhe nga më të vështirat, me të cilat lidhemi edhe ne emocionalisht dhe bashkë me ato gra e përjetojmë rëndë. Gratë e dhunës fizike, janë një kategori e shoqërisë sonë, e cila do të duhej të trajtohej me prioritet, por fatkeqësisht na mungon përkrahja institucionale në nivel vendi dhe gjithmonë hasim në vështirësi”, ka thënë Jonuzi.

Ndërkohë, që gratë kanë bashkëbiseduar për shumëçka tjetër lidhur me qendrën, kanë rënë dakord që kjo dukuri duhet luftuar çdo ditë të jetës sonë, sepse çdo ditë diku ushtrohet dhunë fizike dhe psikike ndaj gruas./rajonipress/