Aktakuzë për pronarin e Kolegjit “Fama”

Pronari i kolegjit universitar “Fama” Salal Ahmetgjekaj është i akuzuar bashkë me tre bashkëpunëtor për përfitim të kundërligjshëm të pronës së paluajtshme me sipërfaqe prej 2.87 hektarë në Prizren. Në atë tokë ai ka ndërtuar objektin e degës së kolegjit të cilin e posedon.
Sipas aktakuzës të cilën e posedon gazeta “Zëri” gjatë muajit prill-maj të vitit 2008 të pandehurit dyshohet se nuk i kanë paguar 215 mijë euro shitësit të tokës, Lulzim Kabashit.
“Kabashit i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm dhe atë në shumën prej 200 mijë euro, ngase nuk e kanë paguar në tërësi paluajtshmërinë”, thuhet në aktakuzë, ku shtohet se këto mjete që është dashur të paguhen, janë derdhur në llogarinë e dy të pandehurve të tjerë Xhavit Shabani e Senihate Hasani, bashkëshortes së Xhavitit.
Pos këtyre, prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë edhe për Raif Halilin përfaqësues i Universitetit.