UBT

Aksiomat e Rugovës dje, përsiatje të Thaçit sot

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

​Nga Muhamet Hamiti – Do ta përgëzoja Hashim Thaçin, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, për përsiatjet e tij mbi lidhjet e moçme të Kosovës, Dardanisë antike, me Vatikanin dhe me botën perëndimore përgjithësisht, me rastin e vizitës së tij të sotme (29 prill 2015) në Selinë e Shenjtë. Poashtu edhe për rrënjët e moçme të shtetësisë së Kosovës. Këto ishin aksioma politike të Presidentit Ibrahim Rugova në të gjallë të tij.

Në njërin nga postimet e sotme në facebook, Hashim Thaçi paska shkruar kështu:

„Në muret e Selisë së Shenjtë ishte harta e Dardanisë, Kosovës antike. Të dihet se prej nga buron shtetësia jonë. HTH“

E paska formuluar me fjalorin e njohur lakonik të Presidentit historik Ibrahim Rugova, Babait të pavarësisë së Kosovës, njeriut që ka kultivuar këto lidhje të Kosovës me Vatikanin edhe në kohën kur Thaçi përmes ithtarëve të tij denigronte Presidentin për qëndrimet që mbante.

UBT

E paska zbuluar Thaçi që harta e Dardanisë gjendet në Vatikan! Mirë shumë!

Partizanët e Thaçit nga shoqatat e luftës, në vigjilie të 28 nëntorit të vitit 2005 kishin djegur në sheshe të Prishtinës e në qytete të tjera të Kosovës flamurin (i mbiquajtur Flamur i Dardanisë) që Presidenti Rugova e kishte propozuar për flamur të Kosovës së pavarur. E dogjën partizanët flamurin me ngjyrat kuq-e-zi e të kaltërtën në sfond, me shqiponjën dykrenare e yllin gjashtëcepësh të Skenderbeut – Heroit tonë Kombëtar, ’Atlet i Krishtit’, me akuza se Rugova po përdhoste flamurin kombëtar, se po e përçante kombin shqiptar. Po këta flamurdjegës, dy-tre vjet më vonë, e përqafuan me zellin partizan flamurin aktual të Kosovës që nuk përmban asnjë shenjë shqiptare.

(Muhamet Hamiti ish zëdhënës i presidentit Ibrahim Rugova)