Akreditimet: Dyshime për korrupsion!
Agjencia Kosovare e Akreditimit vendimet i merr mbi bazën e animeve politike. Shumë programe të disa kolegjeve private akreditohen në bazë të afërsisë së pronarit të atij kolegji me njerëz të fortë nga politika. Kështu ka bërë te ditur një burim i Gazetës Blic i afërt me AKA-në.
Sipas këtij burimi, shumë kolegjeve i është bërë e padrejtë, duke mos iu akredituar programe ndonëse i kanë plotësuar kriteret ligjore. Madje, ky burim thekson se në shumë raste disa kolegjeve universitare edhe pse s’i kane plotësuar kriteret i janë akredituar programet falë afërsisë që ata kanë më disa njerëz të fortë të politikës.
Në riakreditim AKA jep vlerësime negative!
“Ka raste, sidomos në disa programe më specifike që edhe i është akredituar për disa vjet, në riakreditim i është dhënë vlerësim negativ, dhe këtu shihet haptas animi i drejtuesve të AKA-së”, ka thënë ky burim i gazetës.
Në anën tjetër, disa prej pronarëve të disa kolegjeve, te paktën katër prej tyre në kushte anonimiteti i kanë thënë Gazetës Blic se drejtuesit e AAK- së po bëjnë akreditime të programeve me preferenca politike.
Madje disa e akuzojnë drejtuesit e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, gjegjësisht kryetaren e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në këtë institucion, Ferdie Zhushi- Etemi, dhe drejtorin ekzekutiv të Agjencisë, Basri Muja se akreditimet e programeve po i bëjnë në mënyrë të padrejtë.
Dyshime edhe për korrupsion
Ata kanë shprehur edhe dyshime për mundësinë e korruptimit të zyrtarëve të AKA-së.
Madje, kanë paralajmëruar edhe padi private në EULEX në rast se drejtuesit e AKA-së do të vazhdojnë siç kanë thënë ata me avazin e vjetër. “Nëse Agjencia e Akreditimit do të vazhdoj sikurse këto vitet e fundit, atëherë ne do t’i drejtohemi organeve të drejtësisë”, ka thënë drejtuesi i njërit prej kolegjeve private.
Ndërkaq, kontakti i gazetës me Ferdije Zhushi- Etemin ka qenë e pamundur.
Derisa drejtori ekzekutiv i AKA-së, Basri Muja nuk ka dashur të merret me akuzat e disa prej drejtuesve të universiteteve private. /GazetaBlic/


