Mobi Casa

AKR në biseda intensive se a do të mbeten në Qeveri apo në opozitë

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Aleanca Kosova e Re (AKR), preferon të jetë në opozitë duke mos iu bashkuar Qeverisë së re.

Nënkryetari i AKR-së, Fatmir Matoshi i tha Ekonomia Online, se janë të gatshëm që në legjislaturën e shtatët të jenë pjesë e opozitës.

Kjo ngase sipas tij, nuk janë të kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe se për këtë çështje edhe janë duke zhvilluar biseda brenda partisë.

“Ne nuk kemi asnjë lloj bisede dhe asnjë lloj negociate me askënd prej subjekteve politike qoftë fituese qoftë opozitë, rezultati që kemi mbërri me 6 tetor nuk është i kënaqshëm për neve është një rezultat i cili na qon detyrimisht neve tek një hulumtim i gjithë asaj çfarë ka ndodhur në tërë këtë fushatë elektorale dhe me i pa se cilët kanë qenë gabimet e tona se pse ne bashkë me Nismën kemi mbetur në këtë rezultat, prapseprap nuk ishte një rezultat që ne nuk e festojmë”.

“Në rend të parë i takon Lëvizjes Vetëvendosje që të kujdeset ata e kanë marrë mandatin prej qytetarëve e kanë numrin më të madh të deputetëve përgjegjësia për themelimin e institucioneve i takon partisë së parë, në rast se institucionet themelohen në afat sa ma të shpejtë është arritje e Vetëvendosjes, në rast se dështojnë të formojnë një shumicë parlamentare dështimi është i atyre”.

“Ne nuk kemi diskutuar në AKR nëse do të donim të hynim në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosjen apo Lidhjen Demokratike të Kosovës, ose jo. Ajo që duhet me ndodhë është që ne duhet me fol fillimisht me partnerët tanë NISMA dhe PD, do të ishte mirë të kishim një vendim të përbashkët që rrugëtimin tonë ta qojmë bashkë qoftë në pozitë apo opozitë”.

RCCOLA

Edhe pse nuk kanë marrë ende ndonjë ofertë nga Lëvizja Vetëvendosje e as Lidhja Demokratike, parti këto që janë duke u munduar që të formojnë Qeverinë e re, ai thotë se nuk janë të interesuar të jenë pjesë e ekzekutivit.

“AKR-ja nuk ka vija të kuqe për ndonjë nga subjektet politike shqiptare pasi të vjen një ofertë e tillë duhet të ulemi në parti dhe në koalicion dhe të vendosemi të dalim me një vendim të përbashkët, personalisht është mirë që ndoshta AKR të rrinë në opozitë për shkak të rezultatit që e kemi pasur me 6 tetor dhe t’i korrigjojmë ato gabime që ndoshta i kemi mund me i bë gjatë qeverisjes gjatë veprimeve politike”.

Formimit të qeverisë së ardhshme do t’i paraprijë votimi në Kuvend nga shumica e thjeshtë prej 61 deputetësh.

Nëse VV-ja e LDK-ja merren vesh për formimin e Qeverisë do të kenë 57 deputetë. Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar të rinumërojë 1407 vendvotime nga vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Pas rinumërimit, nëse nuk ka ankesa në PZAP, KQZ-ja do të certifikojë zgjedhjet e mbajtura më gjashtë tetor.