KKVITI

AKR-ja përgatit ankesën për PZAP

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Aleanca Kosova e Re ka grumbulluar disa formularë që vërtetojnë parregullsitë gjatë procesit të numrit të votave. Me këto argumente, AKR-ja pret nga Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që t’i shpallë rezultatet përfundimtare, në mënyrë që t’i drejtohet me një varg ankesash Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Bazuar në argumentet në bazë të formularëve të të dhënave dhe të rezultateve nga Qendra e Numërimit të Rezultateve, AKR-ja ka vërtetuar se në disa komuna si në Podujevë, Mitrovicë, Vushtrri, Lipjan e shumë qytete të tjera ka vota në formularët e kandidatëve, ndërkaq në formular subjekti politik është me zero vota.

Anëtari i Kryesisë së kësaj partie, Shefki Avdullahu, thotë se votat e AKR-së qëllimisht apo rastësisht i kanë shkuar një subjekti politik serb, i cili ka pasur pak gjasa që të marrë vota në qytetet ku kanë votuar vetëm shqiptarët.

“P.sh Pokret za Demokratski Prosperitet (PDP) i ka votat e AKR-së. Në këto komuna shihet qartë se rezultat i gabueshëm i mbledhjes së votave nga numri 40, votat janë bartur në numrin 39 dhe pothuajse në çdo formularë deri më tash ku jemi duke i hetuar AKR-ja ka zero vota, ndërkaq kandidatët kanë më shumë se 20 vota”, ka thënë Avdullahu. Ai ka marrë shembull vendvotimet në Mitrovicë, Vushtrri e Lipjan. Sipas tij këso shkelje AKR-ja ka gjetur mjaft në tërë Kosovën. Megjithatë, ai thotë kjo çështje aktualisht do të mbetet kështu deri në shpalljen përfundimtare të rezultateve nga ana e KQZ-së, tek më pas në afatin e përcaktuar prej 24 orësh do t’i drejtohen PZAP-së.

Uji Dea

“Bazuar në të gjitha argumentet që jemi duke i mbledhur do ta parashtrojmë ankesën tonë dhe organet kompetente do të vendosin rreth këtyre ankesave. Nga kjo AKR-ja jo vetëm që do ta kalojë pragun, por me qëllim apo pa qëllim është bërë shkelje dhe argumentet janë në dorën tonë”, ka thënë Avdullahu.

Se ka mospërputhje mes formularëve të rezultateve për parti politike dhe kandidatë e ka pranuar edhe Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve.

Koordinatori i QNR-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se QNR-ja nga raporti i Auditimit ka procesuar materialet nga 3374 vendvotime dhe gjatë gjithë procesit të regjistrimit të rezultateve në databazë 538 vendvotime kanë përfunduar në Auditim.
“Në Auditim janë vendvotimet që kanë të bëjnë kryesisht me subjektet politike, pra formularët e subjekteve politike kanë mospërputhje. Ndërsa, në Auditim gjatë gjithë procesit kanë përfunduar 939 formularë të rezultateve për shkak të mospërputhjeve ”, ka thënë Ahmetaj.

Florian Dushi nga LDK-ja ka thënë se nga praktikat e mëparshme e vetmja formë që të korrektohet procesi zgjedhor është rinumërimi. “Prandaj, korrektimi e vonon përpilimin e rezultateve, por megjithatë më mirë një proces të saktë sesa një rezultat të shpejtë e të pasaktë”, ka thënë Dushi./zeri/