Uji Dea

AKR e pakënaqur me radhitjen e kandidatëve: LDK nuk e respektoi marrëveshjen, presim ndryshim të listës

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Aleanca Kosova e Re (AKR) e Lidhja Demokratike e Kosovës do të kandidojnë së bashku në zgjedhjet e 14 shkurtit, por ende pa u futur në fushatën zgjedhore partnerët e këtij koalicioni kanë hasur në “pakënaqësi”, kjo për shkak të radhitjes së kandidatëve në listën zgjedhore. Nga AKR thonë se LDK ka shpërfillur marrëveshjen.

Kësaj pakënaqësie do t’i vije fundi sot në orët e mbrëmjes, sepse me shumë gjasë do të ketë ndryshim të numrave në listën zgjedhore, LDK-ARK.

Kështu ka thënë për Insajderin sekretari i përgjithshëm i AKR-së, Vesel Makolli, i cili u shpreh se grupet punues të dy partive janë duke punuar në këtë drejtim.

“Nuk flitet për përçarje, por flitet për një mos-kënaqësi tonën për shkak të mos respektimit të marrëveshjes që është bërë në nivel më të lartë të liderëve, më konkretisht bëhet fjalë për radhitjen e kandidatëve tonë që na kanë ndryshu, andaj ne jemi deklaruar për pakënaqësinë tonë dhe gjatë ditës së sotme grupet tona punuese të përbashkëta janë duke punuar të tejkalohet kjo mos kënaqësi”, tha ai.

“Deri sot në mbrëmje ka mundësi më u ndryshu lista, bile mundesh edhe kandidatin me ndërru e le më numrin, kështu që kjo do të tejkalohet sigurisht”, ka thënë Makolli.

Ai ka mohuar zërat se pakënaqësia lidhet me numrin e Behgjet Pacollit.

Mobi Casa

“Mos të keqkuptohemi nuk bëhet fjalë për presidentin Behgjet Pacollit të cilit i është ndërruar numri nga 4 në 5, se edhe 150 me listu ai merr vota pa problem”, ka thënë Makolli.

I pyetur se a ka mundësi që AKR të dalin tërësisht nga lista e LDK-së për shkak të kësaj pakënaqësia, Makolli u shpreh se do të gjejnë gjuhë të përbashkët në zgjidhjen e këtij problemi.

“Nuk ma merr mendje që vjen deri tek dalja nga lista për shkak të radhitjes sepse besoj që do të respektohet marrëveshja nga partneri jonë, dhe do ta gjejmë një gjuhë të përbashkët”, ka deklaruar ai.

Sekretari i AKR-së ka refuzuar të flas me emra konkrete, kur është pyetur se për shkak të cilëve kandidatë kanë lindur pakënaqësitë me LDK-në.

Mbrëmë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë, në të cilën janë pesë anëtarë të AKR-së. Numrin pesë e mbanë kryetari i AKR-së.