Hidromorava

AKP-ja, instrument në duart e politikës së inkriminuar

/ 10 minuta lexim
Eco Higjiena

Njohës të rrethanave ekonomike, përfaqësues të opozitës dhe shoqatave të bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë, njëzëri pajtohen se shkarkimi i shefit të AKP-së dhe dorëheqja e kryetarit të Bordit të AKP-së nuk janë gjë tjetër, por vetëm një synim i Qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj për ta kapur edhe AKP-në dhe për të dërguar të dëgjueshmit e tyre në këtë agjenci, pasi që, sipas tyre, kjo dyshe ishte nën ndikimin e ish-kryeministrit Isa Mustafa, që i pati zgjedhur në këto poste.

Nga njohësit e kësaj fushe edhe po vlerësohet se kjo është arsyeja se përse AKP-ja asnjëherë nuk veproi si trupë e pavarur dhe jashtë ndikimeve të politikës, e cila e përdori këtë agjenci për të bërë privatizimet e orkestruara nga pushtetarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale.

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit dje shprehu keqardhje për vendimin e njëanshëm të z. Gashi për dorëheqje dhe thekson se pas dorëheqjes së kryesuesit të Bordit këtë detyrë do ta ushtrojë zëvendëskryesuesi i Bordit të Drejtorëve, Bajram Zejnullahu, sipas Ligjit të AKP-së dhe akteve nënligjore që rregullojnë punën dhe veprimtarinë e Bordit të Drejtorëve. Në një përgjigje që ka dhënë AKP-ja për gazetën, thekson se AKP-ja është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe i raporton e mbikëqyret nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe jo nga Qeveria. Lidhur me shkarkimin e Hajdarit dhe dorëheqjen e Gashit, AKP thekson: “Shkarkimi i Ekrem Hajdarit nga pozita e drejtorit menaxhues të AKP-së është bërë nga Bordi i Drejtorëve i AKP-së, për arsyet që tanimë janë të ditura, me votat e 7 anëtarëve, nga 8 sa i ka gjithsej bordi. Ndërsa arsyet e dorëheqjes së Petrit Gashit nga pozita e kryetarit të Bordit të Drejtorëve, tanimë të deklaruara nga vetë ai në letrën që e ka dërguar tek mediat”, thuhet në përgjigjen e AKP-së për gazetën.

Kryetari, kundër vendimit të bordit

Në mbledhjen e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të datës 26.10.2018, është shkarkuar nga pozita drejtori aktual menaxhues i Agjencisë, Ekrem Hajdari, me arsyetimin për performancë të dobët. Petrit Gashi, kryetar i dorëhequr tashmë i Bordit të AKP-së, ka thënë së gjatë kohës sa Hajdari ka qenë drejtor menaxhues i Agjencisë raportet vjetore të Agjencisë dhe raportet e Auditorit të Përgjithshëm tregojnë që rezultatet e shënuara nga Agjencia në vitin 2017 janë më të mirat në historikun e Agjencisë. “Gjatë këtij viti, Agjencia ka shitur më shumë asete se ndonjëherë më parë, ka grumbulluar fonde më shumë, ka tërhequr më shumë investitorë dhe ka ngritur çmimin e shitjes së aseteve. Për më tepër, sipas tij, asetet e uzurpuara gati janë eliminuar në tërësi”, ka theksuar ai.”Largimi i drejtorit menaxhues për mua si kryesues i Bordit nënkupton shkëputjen e lidhjes në mes të këtyre dy mekanizmave kryesorë të Agjencisë, e që besoj se është qenësore për punën e mëtejme të Agjencisë. Për më tepër, arsyetimi i pabazuar se shkarkimi është rezultat i rezultateve të dobëta të punës dhe ka zbehur besimin tim se mund të punohet më tutje në interesin e përgjithshëm të agjencisë”, ka theksuar Gashi më tej dhe e ka dorëzuar dorëheqjen si kryesues i Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Ish-kryeministri mbron të shkarkuarin dhe të dorëhequrin

Lidhur me çështjen ka reaguar përmes një postimi në ‘Facebook’ kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Ai ka thënë se dje ka mësuar nga mediat se Petrit Gashi dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ndërkaq, para disa ditësh anëtarët e këtij bordi, me përjashtim të Petritit, kishin vendosur ta shkarkojnë drejtorin menaxhues të Agjencisë.”Janë mbushur mbi tri vite që Kosova është kursyer nga aferat dhe skandalet në AKP, nga vjedhjet dhe manipulimet. Prandaj, ata që nuk vodhën dhe nuk manipuluan as për vete as për të tjerët u detyruan të largohen”, ka thënë Mustafa. “Profesor Petrit Gashi, një prej ekonomistëve më të thellë dhe më të spikatur jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, i doktoruar në Britani të Madhe, i specializuar në shumë programe në SHBA, largohet sepse nuk bashkëpunon me krimin. Është e dhimbshme dhe zhgënjyese që pas një pune sistematike, të suksesshme dhe vënie të rregullit në AKP, drejtuesit e kësaj agjencie të detyrohen të shkarkohen dhe të japin dorëheqje, për të hapur rrugë që dikush të pasurohet nga pronat që i takojnë Kosovës”, ka deklaruar Mustafa. Sipas tij, ky është edhe një argument se ky pushtet duhet të shkojë sa më parë.

Vendim klientelist, për të zhvatur më shumë

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Ali Lajçi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se është i drejtë vlerësimi se edhe shkarkimi i shefit të AKP-së dhe dorëheqja e kryetarit të Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, janë një tregues i qartë se ky është edhe një synim i qeverisë ‘Haradinaj’ për ta kapur dhe për ta kontrolluar edhe AKP-në dhe për të dërguar atje të dëgjueshmit e tyre në këtë Agjenci që do të duhej të ishte e pavarur. “Kjo tashmë është bërë një praktikë e dëshmuar nga të gjitha qeveritë e deritashme dhe nga dita në ditë e nga viti në vit po forcohet kapja e institucioneve të pavarura të shtetit, bordeve, agjencive e në këtë rast ashtu po veprohet edhe me AKPnë”, u shpreh ai.”E them lirshëm se ky është një vendim i pastër politik dhe klientelist, me qëllim që të sundojnë AKP-në, me qëllim të krijimit të grupeve që të menaxhohet drejtpërdrejt paraja dhe të spekulohet, korruptohet e të vidhet buxheti dhe të zhvatet shteti, përndryshe nuk ka pasur asnjë arsye tjetër që të shkarkohet kryetari i Bordit të AKP-së”, vijoi më tej Lajçi.”Mandej pas kësaj erdhi edhe një dorëheqje nga z. Gashi, që u bë nga shkaku se nuk janë marrë parasysh, se nuk u morën për bazë performancat e drejtorit menaxhues, Hajdari, që ishin shumë të mira. Së këndejmi një vazhdim i tillë i trashjes së kapjes së shtetit është shumë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për institucionet tona, për të ardhmen e vendit”, theksoi ai. “Kjo edhe është arsyeja se përse AKP-ja asnjëherë nuk veproi si trupë e pavarur dhe jashtë ndikimeve të politikës, e cila e përdori këtë Agjenci për të bërë privatizimet të orkestruara nga pushtetarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale”, potencoi Lajçi.

Mobi Casa

Kapja e hapur nga Qeveria

Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se shkarkimi i shefit të AKP-së, Petrit Gashi, nga posti i kryetarit, është një dëshmi e qartë që AKP-ja është kapur haptazi nga Qeveria aktuale e z. Ramush Haradinaj. “Por, AKP-ja është dashur që të veprojë si institucion në mënyrë të pavarur, e jo që të lejojë që politikanët dhe politika e Qeverisë ‘Haradinaj’ ta rrëzojnë dhe t’u japin komanda apo urdhra se çka të bëjnë, sepse sipas kësaj po del që AKP-ja vetë po e shkel statutin e saj, që e ka krijuar për t’i mbrojtur vlerat dhe punët që i ka”, u shpreh ai. Sipas Grapcit, AKP-ja duhet që urgjentisht të shkapet nga politika ditore e qeveritarëve dhe nga politikanët e korruptuar. Ndërsa afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se vërtet është për keqardhje se përse AKP-ja, që kur po e udhëheqin vendorët, asnjëherë nuk veproi si trupë e pavarur dhe jashtë ndikimeve të politikës. “Por, përkundrazi, ishte politika ditore që e përdori këtë agjenci për të bërë privatizimet të orkestruara nga pushtetarët e inkriminuar dhe mafiooligarkët e nëntokës kriminale”, u shpreh ai. “Edhe shkarkimi i shefit të AKP-së, Ekrem Hajdari, dhe dorëheqja e kryetarit të Bordit të AKP-së, Petrit Gashi, si po duket, janë një synim i Qeverisë për ta kapur edhe AKP-në dhe për të dërguar të dëgjueshmit e tyre në këtë agjenci, pasi që kjo dyshe ishte nën ndikimin e ish-kryeministrit Isa Mustafa, i cili zaten edhe i pati emëruar në këto poste”, vlerësoi më tutje Maloku. Sipas tij, në krye të AKP-së është dashur të jenë njerëzit ekspertë, të përgjegjshëm, e jo të politizuar.

MUND TË KETË DORËHEQJE TË TJERA

“Nëse nuk ndodh shkapja e AKP-së, edhe shumë zyrtarë të tjerë të AKP-së ditët në vazhdim ose javët në vijim do të japin dorëheqje. Me këto dorëheqje do të fitojë Qeveria, sepse në krye të kësaj agjencie të pavarur do t’i sjellë njerëzit që janë pa përvojë, pa shkollë dhe që janë piunë të qeverisë aktuale ‘Haradinaj’, për ta shkatërruar vendin, e jo për ta ndihmuar”, u shpreh Dardan Grapci për “Kosova Sot”.

TË DELEGUARIT DËSHTUAN

“Vërtet është për keqardhje se si po veprojnë të gjitha qeveritë e pasluftës me bordet e NP-ve dhe agjencive të pavarura, sikurse që është AKP-ja, dhe të cilat do të duhej që të menaxhoheshin nga ekspertët e pavarur, jo nga njerëz të deleguar nga politika ditore”, tha Ramadan Maloku për “Kosova Sot”.

ASETET KOMBËTARE, NË DUART E POLITIKËS

“Në këtë agjenci të AKP-së kemi të bëjmë me asete të mëdha kombëtare, me shumë kompani me mijëra hektarë të tokës bujqësore, me resurse të tilla, të cilat ky klientelizëm i tashëm dhe ata të mëhershmit i futën të dyja duart duke gërryer në të. E keqja është se edhe këta drejtues të tanishëm në AKP ishin të zgjedhur nga politika ditore apo më saktësisht nga ishkryeministri Isa Mustafa, sikurse që ka qenë edhe me ata të mëhershmit e AKP-së që u zgjodhën nga politika ditore”, tha Ali Lajçi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)