AKP-ja dështoi të bënte riorganizimin e “Trepçës”

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka dështuar që brenda afatit ligjor të angazhojë një ofrues të shërbimeve profesionale për riorganizimin e “Trepçës”.
Nëpërmjet një letre ajo e ka njoftuar të mërkurën Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme që nuk do të arrijë të përmbushë as obligimin tjetër ligjor, që deri në fund të muajit korrik të dorëzojë në këtë institucion planin e riorganizimit të “Trepçës”, për shkak të anulimit të tenderit për angazhimin e një ofruesi të shërbimeve profesionale, shkruan sot Koha Ditore..
“Sipas afateve ligjore, AKP-ja ka qenë e obliguar të sigurojë që Plani i riorganizimit për ‘Trepçën’ të dorëzohet në Dhomën e Posaçme për aprovim deri në fund të muajit korrik të vitit 2014, gjë që është e pamundur të realizohet tani, duke marrë parasysh afatin e shkurtër kohor dhe anulimin e tenderit për OShP”, thuhet në letrën që Dhoma e Posaçme e ka pranuar nga AKP-ja e të cilën e ka siguruar gazeta.