UBT

AKP injoron punëtorët e “Rilindjes”

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Ish-punëtorët e gazetës së dikurshme “Rilindja” po kërkojnë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit 20 përqindëshin e objektit të tyre, që sot po shfrytëzohet nga Qeveria. Ata nuk do të presin gjatë dhe çështjen e ish- “Rilindjes” do ta procedojnë në gjykatë, pasi që konsiderojnë se janë pjesë e kësaj pasurie.

Ata që po kërkojnë hisenë 20 për qind, janë përfaqësuesit e sindikatës së punëtorëve të ish ‘Rilindjes”, të cilët kanë kërkuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) që të paguajë borxhin, ndërsa nga Qeveria që t’ua paguajë shfrytëzimin e objektit.

Për këtë çështje ata kanë ngritur zërin edhe më herët, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigjje. Madje së fundi, përfaqësues të AKP-së thonë që as nuk i njohin si sindikatë.

Këtë injorim, përfaqësuesit e sindikatës e quajnë absurde për faktin se vetëm një ditë më parë kanë pasur takime me zyrtarët e AKP-së.

Zeqir Bekolli nga kjo sindikatë thotë për “Zëri” se selia e gazetës që ndodhej në Pallatin e ‘Rilindjes’, ka 5 hektarë, kurse ndërtimi i tij sipas dokumentacionit që posedojnë sindikalistët, ka kushtuar 30 milionë dollarë.

Fundamenti

“Në ndërtimin e këtij objekti kapital, punonjësit e ish-Rilindjes kanë marrë pjesë me 20 për qind të mjeteve të tyre. Kjo është bazë e mjaftueshme për të dëshmuar se punëtorët e Rilindjes ishin bashkaksionarë në ndërtim dhe e meritojnë 20 përqindëshin e vlerës së objektit. Për këtë nuk do heqim dorë, dhe do të shikojmë edhe rrugët ligjore-gjykatës për të realizuar kërkesat tona”, tha Bekolli.

Hisetë e punëtorëve të ish – ‘Rilindjes’

Janë 180 gazetarë të ish-gazetës “Rilindja”, që për periudhë të gjatë para luftës kanë kontribuar në mbajtjen gjallë të informimin në gjuhën shqipe.

Pas Radio Televizionit të Prishtinës, në korrik të 1990, regjimi i atëhershëm i Millosheviqit e mbylli edhe gazetën e vetme në gjuhën shqipe “Rilindja”, ndonëse punëtorët e këtij mendiumi e vazhduan aktivitetin në gazetën “Bujku”, selia e së cilës ndodhej në Pallatin e “Rilindjes”, në hapësirë prej 5 hektarë, tregon Bekolli. (Zëri).