AKP i zgjat afatin e zotimeve blerësit të ‘Jugoterm’-it

Për ndërmarrjen “Jugoterm” e cila është nën monitorim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), bordi i kësaj agjencie duke mirëpritur nivelin e tanishëm të investimeve dhe në bazë të kërkesës së blerësit ia zgjati afatin e marrëveshjes së zotimeve deri me 15 gusht 2014.
Kjo është bërë e ditur në takimin e rregullt të Bordit të drejtorëve të AKP-së, ku është diskutuar për një varg çështjesh të përcaktuara në agjendë, në përputhje me mandatin ligjor.
Bordi gjatë këtij takimi aprovoi buxhetin e AKP-së për vitin 2015, si dhe aprovoi caktimin e depozitave për shitjet e aseteve përmes Likuidimit nr.27, ndërsa u diskutua edhe për zhvillimet në ndërmarrjet e privatizuara me spin-off special: “MIM Golesh” dhe “AgroKosova Holding”.
Po ashtu, Bordi aprovoi për përfshirje në procesin e likuidimit edhe të tri ndërmarrjeve shoqërore, NSh “Ratar”, “Rekreaturs” dhe NSh “Savremeni Dom”. Gjithashtu, u aprovuan 60 lëndë të shqyrtuara për shitjen e banesave në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore.
Bordi aprovoi raportin e Komisionit për shqyrtimin e statusit pronësor për dy ndërmarrje, të cilat pas shqyrtimit të gjithë dokumentacionit për to rezultuan se janë në pronësi shoqërore dhe si të tilla bien nën administrim të Agjencisë. /Telegrafi/