Fundamenti

AKP i jep goditjen e fundit koalicionit?

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Zhvillimet e fundit në AKP i konfirmojnë dyshimet tona për mënyrën se si po udhëhiqet procesi i privatizimit dhe ekonomisë. Tërheqja e SHBA’ve nga ky agjencion do të këtë pasoja të renda për ekonominë e vendit tonë. AKR kërkon shkarkimin e menjëhershëm të Kryetarit të Bordit. Nëse Kryeministri nuk merr masa të menjëhershme, rrugët tona do të ndahen. Flet për Express, Behgjet Pacolli, President i AKR’së.

Express: Cili është qëndrimi i juaj për largimin e përfaqësuesit të SHBA’së nga AKP’ja?

B. Pacolli: Ky është jo vetëm mendim i imi por është edhe shqetësim shumë i madh për mua si Zëvendëskryeministër, por edhe si qytetar i Republikës së Kosovës. Është shqetësuese se nga të bërat e njerëzve të angazhuar në agjencinë më vitale të Kosovës, AKP’në, të largohet mbështetësi kryesor i pavarësisë së Kosovës. Distancimi i amerikanëve nga AKP’ja është shqetësuese për Kosovën dhe për qytetarët e saj. Kjo tregon mënyrën më të keqe të rrugës që ka marrë ekonomia e Kosovës drejt degradimit dhe anarkisë. Unë lidhur me zhvillimet në AKP kam folur edhe më herët. E kam ngritur zërin për një punë jo të mirë që po bëhet aty. Këtë po e dëshmon tash edhe rasti i fundit me përfaqësuesit e Shteteve te Bashkuara të Amerikës.

Express: Cilët do të jenë hapat tjerë në raport me Qeverinë?

B. Pacolli: Amerikanët që kanë qenë sponzorizuesit më të mëdhenj të Kosovës, të zhvillimeve demokratike edhe ne ekonomi, mbështetësitë më të mëdhenj të Shtetit tonë – nëse këta janë distancuar nga ky agjencion, se di a ka arsye që ky agjencion me përfaqesu ekonominë e Kosovës dhe të drejtën t’ju them nuk ka më kuptim të mbahet e hapur AKP’ja. Pra, është e paqendrushme dhe e paarsyeshme ekzistenca e mëtutjeshme e AKP’së. E di mire se amerikanet kane dhënë kontributin me të madh në zhvillimin e ekonomisë tonë, e kanë mbeshtetur procesin e privatizimit në kohë shumë të vështira, kur të gjithë ishin kundër. Distancimi i tyre tregon shumë qartë se ne jemi shumë në rrugë të gabueshme. Qeveria duhet të marrë masa të shpejta për ndaljen e degradimit dhe edhe mbylljen e përkohshme të AKP’së.

Express: Sipas fjalëvë të juaja koalicioni PDK-AKR po shkon drejt fundit?

B. Pacolli: Kjo sigurisht e dëmton shumë fuqishëm edhe koalicionin dhe mbetja jonë në këtë koalicion tani është e paqëndrueshme. Ne jemi një forcë politike, kemi qenë mbështetësi i madh i reformave politike dhe ekonomike, por koha po e dëshmon se po ndodh e kundërta. Sot kemi ardhur në një situatë kur shteti më demokratik në botë me u largu nga një agjencia e Kosovës për shkak të veprimeve negative të dikujt aty. Kjo është një ngjarja shumë e pakëndëshme për mua dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Si Qeveri ka mbetur edhe shume pak kohë për të ndërhyrë në reforma strukturore. Partneri i madh si përgjegjës për ndryshimet që do të duhej të bëhën duhet të ndiej me shumë urgjencë për domosdoshmërinë e ndryshimeve. Shpesh herë kemi treguar se çfarë duhet të bëhet ndryshe dhe nuk u përfillëm, ndërsa edhe tani kur presim që reforma në Qeveri të ndodh, ajo vonoi më shumë se katër muaj. Unë ndihem përgjegjës për mungesë të reformës së mirëfilltë dhe në të njëjtën përgjegjësi duhet ta ndiej edhe Kryeministri. Nëse ai nuk e ndjen përgjegjësinë dhe ndërmerr aksion tani, rrugët tona po ndahen.

Express: Pra, do të largoheni nga Qeveria?

Mobi Casa

B. Pacolli: E kam shumë të vështirë të jem pjese e një Qeverie, e cila tani në proceset ekonomike humb mbështetjen e përkrahësve më të mëdhenjë të Kosovës. Por ende me shumë, ne kemi hyrë dhe kemi qëndruar në Qeveri për të ndryshuar proceset për të mirë, nëse këto procese në masë marrin drejtimin negativ, atëherë arsyet për të mbetur po humben çdo ditë e më tepër. Agjencia e cila do të duhej të jetë gjenerator i zhvillimit dhe krijimit te vendeve të reja te punës, deri më tani nuk e ka dëshmuar as për së afërmi këtë qëllim. Kjo ka qenë brenga jone që në fillim, ndërsa tani u dëshmua edhe me ngjarjet e fundit.

Express: A ka arsye tjera për largimin tuaj nga Qeveria?

JB. Pacolli: Opinioni i di vërejtjet tona qe i kemi lidhur me zhvillimet ekonomike në vend. Megjithatë rasti i fundit i problemeve me Shtetet e Bashkuara te Amerikës, i qet në hije të gjitha problemet tjera. Ky është kulmi i degradimit. Ne nuk e bëjmë as një hap përpara pa u pastruar kjo çështje

Express: Ky veprimi i juaji do të shkaktojë zgjedhje të jashtëzakonshme?

B. Pacolli: Ky nuk është problem i imi. Unë kam treguar vazhdimisht konstruktivitet në politikën kosovare, në dëm timin si individ dhe si subjekt politik. Kam konsideruar se shtetformimi është çështje prioritare dhe që i tejkalon të gjitha interesat tjera. Ndodhia e fundi tregon se nuk jemi në këtë rrugë, për të cilën ne po angazhohemi.

Express: A është vendim i prerë ky?

B. Pacolli: Po, ky është vendim i prerë. Në kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të AKP’së, fillimin e shpejt të reformave ekonomike dhe mos përdorimi i posteve ministrore për interesa personale të personave të caktuar.