RCCOLA

Akoma nuk është gjetur trupi i pajetë i Ahmetali Ajetit!

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Tash e 18 vjet nuk është gjetur trupi i pajetë i Ahmetali Ajetit nga Lladova. Tash e 18 vjet të shkuara e të paharruara për familjarët e tij. 18 vjet pritje, kërkim, dhembje, lot e pagjumë, e trupi i pajetë i Ahmetali Ajetit nuk është gjetur! Kjo dhemb. Dhemb, për faktin se familjarët e tij, sot, kah sjellen, sikur presin me padurim ndonjë “lajm” për të afërmin e tyre të vrarë, më 2 prill 1999 në fshatin Lladovë.

Atë ditë, kur është vrarë Ahmetali Ajeti, janë vrarë edhe pesë të rinjë të tjerë të këtij fshati. Dhe, në natën e Bajramit të Madh, më 27 mars (1999), granatohet fshati Llashticë me të gjitha mjetet ushtarake nga forcat ushtarake serbe nga fshati Pasjan. I madh e i vogël janë frikësuar nga kjo “gjendje” lufte. Llashticasit kanë ikur në mal, ndërsa lladovasit janë strehuar në fshatin e afërt, Nasalë. Në mbrëmje, pothuaj të gjithë banorët e këtij lokaliteti u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre dhe të ikin në drejtim të fshatit Remnik, Gjylekreshtë e Gjilan. Dhe, në këtë ikje pa kthim, ishte edhe familja Ajeti, por edhe shumë familje tjera.

Pas tri dite, disa të rinj lladovas, si: Beqir Mahmuti (1953), Zijadin Mahmuti (1960), Daut Mahmuti (1963, Hevzi Ajeti ( 1970) e motra e tij, Ganimete Ajeti (1977) si dhe Ahmetali Ajeti (1960), duke menduar të hynë në fshat, se ishte vështirë ta pranojnë një ikje të “lehtë” nga vatra stërgjyshore, ata vriten në pusi nga paramilitarët serbë. Por, çka ngjan? Duke hyrë kah lumi i Karadakut, paramilitarët serbë kanë qenë të fshehur tek jazi i mullirit të fshatit, të cilët i kanë parë duke ardhur të rinjtë lladovas nga Nasala për në Lladovë.

Kur janë adhur të rinjtë afër fshatit, paramilitarët i gjuajnë për ti vrarë me automatik. Aty, në ikje, kah Remniku, plagosen rëndë Nefaili, Ahmetaliu, Hevziu e Ganimetja. Por, më së keqi e pati Ahmetaliu, i cili, duke vrapuar ashtu i plagosur rëndë për të hyjë në makinë dhe për të shpëtuar nga vdekja e sigurtë, por plumbat e paramilitarëve e rrokin dhe e lënë të vdekur. Në atë gjendje “lufte” plagoset edhe Nefali Ajejti dhe motra e tij Ganimetja e re. Kriminelët serbë nuk e lënë të plagosurit vetëm me kaq. Ata afrohen nga afër dhe i vrasin Hevziun e Ganimetën duke i zënë të fshehur në megjat e arave kah guri i Nasalës.

Kur kthehen paramilitarët serbë t’i gjejnë të tjerët, Nefailin me dy vajzat e tij, atëherë Ahmetaliu Ajeti kishte dhënë jetë. Vajzat mbetën të shtangura nga ky moment tragjik. Ato qajnë, se babai i tyre, Nefaili ishte i plagosur rëndë më këmbë. Ate (Nefailin), paramilitarët e gjejnë në një vend ku ishte fshehur me një bari të arave. Atij këmba i rrjedhte gjak. Paramilitarët e zënë dhe tentojnë edhe atë ta vrasin. Kur merren vesh me telefon, atyre (paramilitarëve), u thonë që mos ta vrasin, por trupin e tij dhe të Ahmetaliut të vrarë, t’i bartin me kamion.

E, Nefaili Ajeti, sot rrëfen: “Po. Kjo është e vërtetë. Unë isha i plagosur rëndë. E kisha plagën e madhe në këmbë. Gjaku me rridhte pa u ndalur… Ay i kisha edhe dy vajzat e mia, të cilat vetëm qanin. Dronin nga më e keqja. Me duart e veta vajzat e kanë kapur
trupin e Ahmetaliut të vrarë dhe e kanë vendosur në kamionin e paramilitarëve serbë. Isha edhe unë aty.

Kur arritëm te xhamia e fshatit, aty qëlloi edhe Xhevati, djali i axhës së Ahmetaliut. Ate, paramilitarët serbë e morën në kamion. Ai, kur e pa xhaxhain e tij të pajetë (Ahmetaliun), u shtang. Nuk diti të flasë asgjë, por dhembjen e ndrydhte dhe e shtrëngonte në vete. Më vonë i thonë paramilitarët atij ta kthejë trupin në anën e kundërt.

Fundamenti

Kur na sollën ushtarakët serbë në fshatin Budrikë serbe, shton Nefaili, – mua më kanë zbritur te ambulanca e këtij fshati. Më ka gjuajtur në një qosh. S’ di si më kanë dërguar gjer në spitalin e Gjilanit. Por, Xhevatin e dy vajzat e mia dhe trupin e pajetë të Ahmetaliut, e kanë quar gjer në fshatin Partesh. Aty e kanë ndalë Xhevatin një natë. Atë e rëndë kanë keqtrajtuar.

Këtë “ngjarje” tragjike e di njëfarë Dragani, mekanik, nga Parteshi. Ai ishte prezent i kësaj “ngjarjeje” të tmerrshme. Ai e ka njohur Xhevatin. Vajzat dhe trupin e pajetë të Ahmetaliut, paramilitarët serbë i kanë kthyer në Lladovë.

Kur kanë zbritur vajzat e Nefailit në Lladovë, ato me duart e veta e kanë zbritur edhe trupin e pajetë të Ahmnetaliut. Trupi i tij ka qëndruar afër shtëpisë së Mehmet Mahmutit, afër xhamisë së fshatit. I ati i Nefalit, Bastriu, i merr vajzat e djalit dhe ik kah malet e Llashticës. Por, kur fshatarët e Lladovës janë të urdhëruar nga serbët ushtarakë që t’i varrosin të gjithë të vrarët gjer në mëngjes, disa fshatarë, trupin e pajetë të Ahmetaliut nuk e gjejnë aty.

Atë ditë, më 2 prill (1999), vriten Beqir Mahmuti, Zijadin Mahmuti, Daut Mahmuti, Hevzi e motra e ti, Ganimete Ajeti si dhe Ahmetali Ajeti.

Të gjithë trupat e pesë të rinjve lladovas varrosen para mëngjesit të 3 prillit (1999), ndërsa trupi i Ahmetaliut mbeti i zhdukur. Trupi i tij, as sot e kësaj dite nuk dihet se ku gjendet! Pas kësaj kohe, familjarët e tij kanë kërkuar arë, megj, pus e lumë, por asgjë nuk kanë gjetur. Atij ia kanë ngritur pllakën përkujtimore mu afër rrugës Gjilan-Zhegër, në Lladovë. Por, trupi tij mungon.

Kjo dhemb. Dhemb më tepër për familjen e tij, e cila natë e ditë e shohin varrin e tij aty, por i zbrazur! E, Ahmetaliu Ajeti ishte profesor i shkollës teknike “Mehmet Isai” në Gjilan. Ai ishte edhe kryetar i nëndegës së LDK-së në fshatin e tij, Lladovë. Por, ai sot mungon. Do të ishte mirë që të hulumtohet edhe më në zbardhjen e “fatit” të tij jo të mirë.

Aty ku është vrarë Ahmetaliu, nuk ka sot asnjë shenjë. Gjer para një viti, këtu ka valuar flamuri me shqiponjën dykrerëshe e me disa kurora lulesh. Tash këtu nuk ka asnjë shenjë për të ditur vrasjen e tij. Edhe kjo ka rëndësi. Ju familjar, Ahmetaliu i Juaj e i Yni, por edhe i të gjithëve, do të ishte mirë ta ketë një shenjë aty ku ka dhënë jetë. Do të përkujtohet martiri i dhe atdhetari i kësaj ane. Ai meriton edhe më shumë, besoj…Ishte i tëri atdhetar! /tefik selimi/rajonipress/