Fundamenti

Akademiku gjerman: Rasti i policëve bllokon tërësisht dialogun

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Akademiku gjerman Franz-Lothar Altmann, anëtar i kryesisë së Shoqatës për Evropën Juglindore dhe profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Bukureshtit, deklaroi se këto zhvillime në veri të Kosovës janë të frikshme.

“Është duke u vepruar tërësisht ndryshe nga ajo që është thënë në marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit”, tha akademiku gjerman.

Sipas tij, duket se tashmë këto marrëveshje kanë ngecur dhe po bëhen hapa prapa e jo përpara.

Duke folur për rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës dy ditë më parë, profesori tha ky rast nuk i ndihmon krejt kësaj situate.

Ai deklaron se është duke menduar nëse kjo është bërë nga pala serbe për të kryer një lloj këmbimi me ata tre persona që janë paraburgim që janë në Kosovë.

“Pra të bëhet një lloj këmbimi të të burgosurve, e do të mund të ishte një prej synimeve të këtij veprimi. Përndryshe, ky rast ngrit dhe më shumë tensionet në veri”, u shpreh Lothar Altmann.

Duke folur për deklarimin e kryeministrit Kurti, sipas të cilit KFOR-i është dashur të veprojë sepse ajo pjesë është nën mandatin e tij, përkatësisht vija kufitare, profesori gjerman tha se ende është e paqartë se sa KFOR-i ka qenë i njoftuar me këtë gjë.

“Në princip do të duhej të kishte mundësi KFOR-i që ta përcaktonte me saktësi se ku ka ndodhur, në territorin e Kosovës apo Serbisë”, tha ai.

RCCOLA

Sipas tij, do të ishte edhe më keq nëse rasti ka ndodhur në territorin e Kosovës.

“Ky rast besoj se bllokon çfarëdo progresi për të dy palët”, tha Lothar Altmann , duke shtuar se do të duhej të gjendej një mënyrë për bisedime.

Akademiku gjerman u shpreh se ka diçka që Serbia po punon në drejtimin përpjekjeve ruse për ta destabilizuar rajonin sepse Rusia nuk ka interes të ketë stabilitet ën Ballkan.

“Por ajo që nuk kuptoj është se përse Serbia nuk po mendon për interes të vet dhe i vetmi interes i Serbisë është që të jetë në marrëdhënie të mira me perëndimin e sidomos me BE-në”, tha Lothar Altmann .

Sipas tij, bllokimi e më pas përshkallëzimi i tensioneve nuk janë fare në interes të Serbisë dhe nuk mendon se Serbia mund të veprojë edhe më tej në interes të Rusisë, sepse kjo nuk i ndihmon as vetë Serbisë.

Akademik Lothar Altmann deklaroi e zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, nuk e di nëse janë sulm direkt i Serbisë ndaj Kosovës, por aq sa ka parë, as serbët në veri nuk janë të gëzuar se Beogradi po ndez edhe më tej situatën.

“Edhe Lista Serbe ka humbur mbështetjen dhe entuziazmin nga ana e qytetarëve dhe sulmet ndaj KFOR-it e sidomos edhe ndaj gazetarëve, është diçka që me gjasë mbështetet nga të gjithë serbet në veri. Ka disa grupe që janë të mbështetura nga Beogradi dhe duket krejtësisht e qartë, por edhe në atë drejtim nuk është fort e kuptueshme se përse Serbia nuk përpiqet të krijojë raporte më të mira më Prishtinën”./rtk