Ajeti largohet nga Torino, e kërkojnë dy skuadra të Serie A
Sapo është kthyer nga dëmtimi dhe nuk ka zbritur ende asnjë minutë në fushën e lojës me klubin apo kombëtaren në këtë sezon. Por të gjithë janë të bindur se Arlind Ajeti ka të ardhme dhe është një futbollist që mund të paraqitet në nivele të larta në një kampionat shumë kërkues si Seria A.
Nëse trajneri Sinisha Mihajloviç i Torinos do të vendosë ta mbajë në stol edhe në vijim, atëherë klubi mund të pranojë ndonjë ofertë huazimi për pjesën e mbetur të sezonit, në mënyrë që ai të luajë rregullisht dhe të kthehet në formën më të mirë.
Ofertat nuk mungojnë dhe sipas torinezes “Tuttosport”, janë dy klube të cilat kanë shfaqur interes konkret për futbollistin shqiptar.
Peskara e shqiptarëve Memushaj, Manaj e Maloku, e cila e ndiqte që në verë, mendon jo vetëm huazimin, por mundësisht edhe të blejë kartonin e tij nga Torino në janar. Ndërkaq, në garë është futur edhe Krotone, skuadër e cila ashtu si Peskara lufton për mbijetesën në elitën e futbollit italian.
Të dy ekipet kanë shfaqur probleme në prapavijë në fillimin e sezonit dhe afrimi i Ajetit në janar do t’i ndihmonte ata të rregullonin repartin më problematik, për të vazhduar luftën e ndezur për të qëndruar në Serinë A.
Një zgjidhje e tillë do të ishte perfekte edhe për kombëtaren shqiptare, pasi De Biasi shpreson që Ajeti të luajë si titullar për të gjetur formën më të mirë për ndeshjen e marsit ndaj Italisë, ku do të mungojë Gjimshiti për pezullim pas kartonit të kuq të marrë ndaj Izraelit.


