Ajeti, i padiskutueshëm te Frosinone
Arlind Ajeti tashmë është një titullar i padiskutueshëm i Frosinone-s. Te mbrojtësi shqiptar skuadra e Roberto Stellones ka gjetur sigurinë në mbrojtje dhe për meritë edhe të 22-vjeçarit të kombëtares kuqezi ka shanse të mira për të siguruar mbijetesën, kur kanë mbetur edhe tetë ndeshje deri në përfundim të edicionit.
Edhe në sfidën e radhës ndaj Genoa-s, Ajeti do të luajë që nga fillimi pasi Frosinone nuk mund të bëjë dot pa të. Praninë e ish-lojtarit të Basel-it në formacionin titullar e konfirmoi trajneri Stellone në konferencën për shtyp me këtë të fundit që pritet ta rreshtojë Ajetin në qendër të mbrojtjes përkrah italianit Leonardo Blanchard.
Me 27 pikë të grumbulluara pas 30 ndeshjeve skuadra ka nevojë për një rezultat pozitiv në takimin ndaj Genoa-s për të pasur akoma edhe më shumë shanse për të siguruar mbijetesën mes më të mirëve të futbollit italian edhe për një tjetër edicion.
Për të kuptuar rëndësinë e Ajetit te Frosinone mjafton t’u hedhësh një sy statistikave. Në 11 takime gjithsej me Ajetin në fushë skuadra e trajnerit Stellone ka pësuar vetëm 14 gola me një mesatare prej 1,27 golash për takim, ndërkohë që në këto 11 sfida Frosinone ka grumbulluar në total 13 pikë nga 27 gjithsej në 30 takime.
Nëse shikojmë ndeshjet e skuadrës së Stellones pa Ajetin në formacion gjatë këtij edicioni, Frosinone ka pësuar 41 gola në 19 sfida duke u ndëshkuar mesatarisht 2,15 herë për takim. Edhe pikët e grumbulluara janë shumë pak vetëm 14 në 8 ndeshje më shumë. (Kosova Sot)


