RCCOLA

Ajeti fantastik, i shënon Leverkusenit dhe premton gola tjerë me Baselin

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Albian Ajeti padyshim që është njëri nga talentet më të mëdhenj shqiptar në botë, dhe këtë gjë e vërtetoi edhe ndaj skuadrës së madhe gjermane Bayer Leverkusen ku i shënoi gol.

Sulmuesi kosovar me pasaportë zvicerane, Albian Ajeti, ka paralajmëruar një stinor të madh me skuadrën e tij Baselin në Superligën e Zvicrës.

Në ndeshjen miqësore ndaj Bayer Leverkusenit, talenti kosovar u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë dhe shënoi golin e fitores 2-1 të Baselit ndaj gjigantëve gjerman.

Në një prononcim për Telegrafin, Ajeti, tregon për emocionet që kishte në këtë takim si dhe për stinorin e ri me Baselin.

“Është gjithmonë ndjenjë e mirë kur shënoj gola, por pasi arrita t’i shënoj një skuadre të madhe si Leverkuseni që luan gjithmonë në Ligën e Kampionëve, atëherë gëzimi është i dyfishtë”, thotë Albiani për Telegrafin.

Mobi Casa

“Ishte një ndeshje shumë e mirë dhe jemi të gjithë të lumtur që në fund ishim ne ata që festuam edhe pse ishte vetëm ndeshje miqësore”.

Tutje sulmuesi 18-vjeçar foli edhe për stinorin e ri, ku kësaj radhe Baseli i tij nuk do të udhëhiqet nga trajneri Paulo Sosa por nga Urs Fischer.

“Faza përgatitore ka shkuar shumë mirë edhe me trajnerin e ri. Gjithçka është duke shkuar në rrugë të mirë për momentin. Pas ndeshjes si trajneri ashtu edhe bashkëlojtarët më kanë uruar për golin dhe për lojën e mirë që kam bërë. Fjalët e mira më motivojnë më shumë për të ardhmen”, tha Ajeti, i cili tregon edhe synimin e tij për të shënuar gola në kampionatin zviceran.

“Shpresoj të shënoj sa më shumë, pasi unë jam sulmues dhe detyra ime është të shënoj gola. Po ecën gjithçka mirë, do të kem hapësira më të mëdha dhe besoj që edhe golat e shumtë do të vijnë me Baselin”, përfundoi prononcimin e tij për Telegrafin sulmuesi i talentuar kosovar Albian Ajeti.

Kujtojmë që Albiani është vëllai i vogël i mbrojtësit të Kombëtares së Shqipërisë, Arlind Ajetit ndërsa ai së bashku me vëllanë tjetër të tij Adonis Ajetin luajnë për grupmoshat e Zvicrës. /Telegrafi/