Ai që e respekton qytetarin e respekton edhe institucionin

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit Qemajl Mustafa sikur edhe shumë herë të tjera edhe sot ka vizituar familjen e Mulla Idriz Gjilanit, me ç’rast kanë bashkëbiseduar me familjarët për procesin e funksionimit të Komunës, realizimin e projekteve dhe figurën e heroit Mulla Idriz Gjilanit, i cili është i spikatur edhe nga literatura me renome ndërkombëtare.
Kryetari Qemajl Mustafa ka thënë se në këtë familje të heroit kombëtar, por edhe në familjet e dëshmorëve vjenë përherë për të bashkëbiseduar për gjendjen e tyre, për të marrë këshillat, sugjerimet por edhe mësime se nga të ecet dhe si të veprohet.
Ai ka thënë se ndjehet krenar që pasardhësi i drejtpërdrejt i heroit është një autor nga Gjilani që ka botuar tekstet shkollore për nxënësit që nga vitet e ’70 dhe ’80 por edhe pas luftës, dhe sot nxënësit e shkollave fillore mësojnë nga librat e shkruara pikërisht nga kjo familje, pra nga autori Isa Mullaidrizi.
Ai edhe sa i përket figurës së heroit Mulla Idriz Gjilanit, ka thënë se është një figurë që lindë jashtëserie, njerëz të tillë lindin shumë, rrallë në shek. e kaluar ne kishim katër pesë figura të mëdha nga kjo anë që janë të rangut të tij, e që i bëjnë përherë nder Komunës së Gjilanit dhe gjithë shqiptarisë.
Ndërsa, në fjalën e tij Isa Mullaidrizi, ka thënë se njeriu i cili konsultohet me familjet e dëshmorëve, me familjet në përgjithësi, me qytetarët, ai vërtet është edhe një udhëheqës i mirë dhe strateg i duhur i një vendi. “Unë falënderoj kryetarin Mustafa që shumë herë konsultohet me ne dhe me familjet tjera, me qytetarët në përgjithësi. Ky vërtet e donë Komunën, shtetin dhe ngritjen e institucioneve. Poashtu edhe sa i përket investimeve, unë nuk di si flitet ndryshe nga disa njerëz, kur kaq e lehtë është të shihet ajo çka vërtet ka ndodhur në Gjilan. Secili qytetarë e ka mundësinë të shohë investimet, në rrugë, trotuare, ndriçim publik, shkolla, ambient, kanalizime e çka jo. Vetëm ky projekti që kalon përmes qytetit pra ai i lumit Mirusha, është dëshmia më e madhe se Gjilani po bëhet një model i qytetit të mirëfilltë”, ka thënë ndër të tjerash ai./rajonipress/