KKVITI

Ahmeti: Thaçi kërkon që rezoluta për bashkimin me Luginën të jetë pjesë e platformës

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Bashkëkryesuesi i ekipit negociator për dialogun me Serbinë, Shpend Ahmeti ka konfirmuar se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka kërkuar ekipit që në platformën për dialog të futet edhe rezoluta për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën.

Ahmeti tha se kjo rezolutë nuk është pranuar të jetë pjesë e dokumentit për dialogun, pasi platforma bazohet në Kushtetutën e Kosovës.

Presidenti Thaçi dje ka deklaruar se Kuvendit të Kosovës do t’ia propozojë një draft-rezolutë për bashkimin e Luginës me Kosovën.

Bashkëkryesuesi i ekipit të dialogut tha se nuk e di arsyen pse në këtë periudhë vjen një kërkesë që në Kuvend të Kosovës të votohet një rezolutë e tillë, por siç shprehet ai, u mbetet subjekteve politike të vendosin në këtë drejtim.

“Nuk e kemi parë ende, nuk e kemi diskutuar, është e vështirë për çfarëdo subjekti politik shqiptar që do t’i thotë jo ndonjë kërkese të qytetarëve shqiptarë të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, sepse e dimë se në çfarë kushte kanë jetuar, por shtrohet pyetja në qoftë se kjo kalon tash, cili është mesazhi që po dërgohet, dhe po e them edhe njëherë presim që ta shohim propozimin konkret nga presidenti. Unë po iu them që në mbledhje e ka përmendur ka kërkuar që të futet në platformë. I kemi thënë që nuk futet kjo në platformë, sepse ajo është e bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe meqenëse nuk është në platforme ai pastaj ka të drejtë t’ia dërgojë Kuvendit”, ka thënë Ahmeti.

I pyetur rreth deklarimeve të presidentit Thaçi se idenë për korrigjim të kufijve e ka marrë nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova, kreu i PSD-së tha se asnjëherë zyrtarisht nuk është përmendur kjo ide nga ndërmjetësuesit e BE-së, por beson se kjo është kërkesë e Serbisë.

ARKATANA

“Mendoj se është e qartë se është kërkesë e Serbisë por po e them edhe njëherë zyrtarisht formalisht në takime asnjëherë nuk është përmendur as nga ndërmjetësuesit në Bruksel, as që e kemi dëgjuar që e ka Serbia, ato çka po dëgjojmë janë supozime, diskutime të pjesshme askush nuk e di se çka do të thonë a është demarkim, demilitim ato janë koncepte komplet të ndryshme. Pra, po përdoren 100 tema për një temë që disa njerëz e dinë por jo të gjithë“, tha i pari i PSD-së.

Ahmeti tha se nuk e di se kur do të mbahet seanca për ta votuar platformën e dialogut, por ata si ekip janë të gatshëm qysh javën e ardhshme ta kalojnë në Kuvend.

“Nuk e di është çështje e Kuvendit, ne kur e kemi dorëzuar te kryetari i Kuvendit. Kemi kërkuar që kjo të mbahet sa më shpejt, pra me dëshirë tonë që javën e ardhshme do ta kalonim këtë platformë, sepse unë mendoj se e çimenton apo e betonon qëndrimin zyrtar të shtetit të Kosovës, por edhe atë se çka pret dhe cilat janë temat”, tha ai.

I pyetur se a është mbajtur takimi i ftuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ku do të diskutohet rreth taksës, Ahmeti tha nuk do të jenë më pjesë e takimeve që diskutohet për taksë, derisa ai është vendim i Qeverisë së Kosovës, pjesë e të cilit nuk është partia që ai udhëheq.

“Jo, unë e ka thënë shumë herë unë më në takime për taksën nuk shkoj sepse nuk jam as anëtar i Qeverisë as anëtar i koalicionit. Taksa është vendim qeveritar. Ajo çka po ndodh unë, kam thënë të ndarë rreth këtij drejtimi na e dobësojnë pozicionin shumë, nuk mundemi t’i kërkojmë bashkësinë ndërkombëtare që t’i kërkoj Serbisë uljen në tavolinë pa kushte në momentin kur një anëtar i koalicionit i Qeverisë thotë hiqe, e njëri thotë mbaje. Pra, edhe ata po e dinë që ka qëndrime të ndara rreth kësaj çështje. Nuk kam qenë në atë takim”, ka thënë Ahmeti.

Gjatë ditës së djeshme, presidenti Thaçi, i cili që nga vera e vitit të kaluar vazhdimisht kërkon korrigjimin e kufirit me Serbinë, ka thënë se idenë e korrigjimit e ka marrë fillimisht nga presidenti historik Ibrahim Rugova, të përcjellë pastaj nga akademik Nexhat Daci dhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri. Thaçi ka thënë që Serbia pretendon ndarjen, por që ideja e tij është vetëm bashkëngjitja e Luginës me Kosovën.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.