Hidromorava

Ahmeti: Pa marrëveshjen Kosovë – Serbi nuk ka rahati në rajon

/ 5 minuta lexim

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti ka thënë se pa një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rajoni nuk do të jetë i qetë dhe nuk do të ketë rehati. Prandaj, sipas tij është e domosdoshme që të arrihet një marrëveshje e pranueshme për të dyja vendet.

“Pa një marrëveshje Kosovë-Serbi, asnjëra nuk mund të përparojë tutje, por njëherësh do të jetë një gur në qafë edhe për rajonin, sepse ky është edhe problem i rajonit. Pa zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi nuk mund të kemi një rajon të qetë, nuk mund të kemi rahati. Prandaj, mendoj që duhet të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët”, ka thënë Ahmeti në ‘RTK Prime’.

Sipas tij pas hapjes së negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut komuniteti ndërkombëtar do të jetë shumë më i angazhuar për ta përmbyllur edhe këtë çështje.

Ahmeti ka folur edhe për raportet e tij me lidershipin e Kosovës, për të cilët ka thënë se historikisht ka pasur komunikim me ta pa marrë parasysh se cila parti ka qenë në qeverisje.

Ahmeti ka thënë se gjatë 20 vjetëve të përvojës së tij politike në Maqedoni asnjëherë nuk është tradhtuar dhe as nuk është zhgënjyer nga marrëveshjet që janë bërë me Bashkimin Evropian dhe me SHBA-të e NATO-n. Prandaj, ai nuk sheh skepticizëm nga BE as tani me rastin e miratimit të propozimit francez.

“Asnjëherë nuk jam tradhtuar dhe as nuk jam zhgënjyer nga marrëveshjet që i kemi bërë me BE-në, dhe as me SHBA-të e NATO-n, por kjo varet se si bashkëbiseduesit i shohin zhvillimet dhe zgjidhjen e problemeve. Unë nuk kam arsye që të jem mosbesues për këtë çështje”, ka thënë ai.

I pari i BDI-së nuk ka dashur të komentojë për atë se politikanët dhe qytetarët në Kosovë shpesh janë ndjerë të tradhtuar nga BE. “Nuk jam pjesë e procesit në Kosovë. Nuk di si zhvillohen proceset. Mund të flasë vetëm për proceset e Maqedonisë së Veriut, sepse këtu jam pjesë e procesit. Asnjëherë nuk jam vendosur me shpatulla për muri: ‘o bëje këtë ose s’ka lëvizje përpara’, por edhe Brukseli edhe Uashingtoni e edhe NATO përherë më kanë sugjeruar se këto janë standardet tona, këto janë përcaktimet e tona ju zgjidhni e merrni”, është shprehur Ahmeti.

Ahmeti: Miratimi i propozimit francez moment historik për RMV-në

RCCOLA

Miratimi i propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut i hapi rrugë këtij vendi për integrimet evropiane. E një vendim të tillë kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti e ka vlerësuar si një arritje historike për Maqedoninë e Veriut.

“Pa dyshim ky është një moment historik për bashkëqytetarët tanë maqedonas në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky projekt ka marrë mbështetje të të gjithë Bashkimit Evropian, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ka marrë mbështetje edhe nga shtetet e rajonit si Shqipëria, Serbia e Greqia. Ky është një moment pa dyshim shumë i rëndësishëm”, ka theksuar Ali Ahmeti në RTK Prime.

Sipas tij me këtë marrëveshje do të njihet gjuha maqedonase, do të njihet identiteti dhe historia maqedonase si dhe mori drejtim të mirë legjitimimi i Kishës Maqedonase, duke u njohur nga krahu i kishës ortodokse në Stamboll, por edhe nga Kisha Ortodokse Serbe.

“Ky është një moment ku ne i kemi bërë përpjekjet që të kemi zero problem me fqinjët dhe kjo ka qenë një qasje për të cilën ne kemi punuar dhe jemi angazhuar mjaft”, ka shtuar Ahmeti.

Sa i përket reagimit të ashpër të opozitës maqedonase e cila miratimin e propozimit francez e quajti tradhti dhe deputetët e të cilës madje për pak sa nuk e sulmuan edhe fizikisht kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, kreu i BDI-së ka thënë se opozita maqedonase një gjë të tillë po e shfrytëzon për politika ditore dhe për të rritur ndikimin e saj në elektorat.

“Ky thjesht është një manipulim i elektoratit sepse mendoj që e kaluara është lënë pas krahëve. Nëse dikur para 20 vjetëve këtu janë manipuluar qytetarët me politika nacionaliste dhe patriotike, gjërat sot kanë ndryshuar. Duhet të jemi racionalë dhe ky moment duhet shfrytëzuar nga të gjithë ne dhe partitë politike, në këtë rast ato opozitare maqedonase duhet të jenë racionale. Duhet të jenë komunikuese dhe bashkëpunuese me partitë politike vendore, por edhe me komunitetin ndërkombëtar, sepse nuk i dilet përballë as Evropës dhe as të gjithë forcës progresive të komunitetit ndërkombëtar. Prandaj, mendoj që qasjen e kanë tepër të gabuar”, është shprehur Ahmeti.

Lidhur me atë nëse ka pasur rrezik për eskalim të situatës, duke pasur parasysh edhe protestat që kanë ndodhur jashtë Kuvendit, por edhe tensionet brenda sallës parlamentare ku është djegur në mënyrë figurative propozimi francez, i pari i BDI-së ka thënë se nuk ka pasur ndonjë rrezik.

“Nuk ka pasur rrezik. Ata kanë shprehur revoltë të momentit. Mendoj që është edhe moment dëshprimi sepse numri i protestuesve dita-ditës po binte sepse ditën që është votuar draft-dokumenti jashtë parlamentit kanë qenë 43 njerëz që kanë protestuar, derisa fillimet kanë qenë me një pjesëmarrje më të madhe deri në 12 mijë njerëz, derisa fundi erdhi në 43 njerëz”, ka nënvizuar Ahmeti, sipas të cilit edhe elektorati i opozitës e ka mirëkuptuar propozimin francez dhe ka reflektuar.