RCCOLA

Ahmeti: Diaspora meriton respekt të veçantë

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Ahmeti apelon tek mërgimtarët që të votojnë në zgjedhjet e ardhshme komunale sepse vota e tyre mund të peshojë

Ali Ahmeti kryeson një delegacion të BDI-së, i cili po e zhvillon një vizitë në disa vende të Evropës, ku është përqendruar diaspora shqiptare nga Maqedonia, me qëllim që të marrë mbështetjen e tyre për zgjedhjet lokale që do të mbahen në mars të vitit 2013 në Maqedoni.

Në një intervistë dhënë për Albinfo.ch thotë se diaspora shqiptare nuk është lënë anash. Ai ka folur edhe për investimet që, sipas tij, mungojnë jo vetëm në pjesën shqiptare, por edhe në atë të maqedonasve.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka mohuar se do të ketë koalicion të përbashkët të partisë së tij me atë të PDSH-së së Menduh Thaçit për zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2013. BDI-ja, sipas Ahmetit, do të garojë vetëm në zgjedhjet lokale, por ka bërë thirrje të bashkohet vota e shqiptarëve në ato komuna ku shqiptarët janë pakicë në Maqedoni. Kreu i partisë shqiptare në pushtet në Maqedoni tha se shqiptarëve atje nuk iu duhen aq shumë parti, sepse vetëm po e shpërndajnë votën në dëm të tyre. “Në zgjedhjet e fundit i kemi humbur minimum 5 deputetë me shpërndarjen e votave”, deklaroi Ali Ahmeti.

Albinfo.ch: Nuk ju kemi parë një kohë të gjatë në Zvicër, z. Ali Ahmeti. Aq me pak me një delegacion të tillë me ministra e deputetë të BDI-së. Në Zvicër jetojnë rreth 60 mijë qytetarë nga Maqedonia, shumica shqiptarë. A mund të themi se është lënë anash mërgata shqiptare?

Ali Ahmeti: Mërgata shqiptare është një kategori që duhet të respektohet për arsye të shumta që unë i kam theksuar edhe në takimin e sotëm këtu në Zvicër për përkrahjen e luftërave që kanë bërë, për përkrahjen që kanë dhënë ndaj familjeve të tyre. Në çdo sezon kur vjen mërgata në vendlindje jepen direktiva të veçanta për institucionet shtetërore, në veçanti për Ministrinë e Punëve të Brendshme që të krijojnë rrethana lehtësuese në kufij, duke rritur numrin e sporteleve, gjithashtu dalin deputetë në kufi për të kontrolluar situatën se a funksionon normalisht. Sigurisht se nuk kam pasur ndonjë ankesë serioze nga mërgimtarët. Mund të ndodhë ndonjë rast i veçantë, e raste të tilla ndodhin edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Por, në kohën kur vjen mërgata shqiptare në vendlindje merren masa institucionale në rrugë. Gjithashtu jepen porosi për administratën që shërbimet të jenë më efikase. Gjithashtu janë aktive edhe degët e partisë për t’iu ndihmuar bashkatdhetarëve që në atë kohë t’i kryejnë të gjitha shërbimet. Mirëpo ka raste kur administrata ngarkohet, siç ishte rasti tani me letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike, ngase kërksat ishin të shumta, por megjithatë shërbimet janë kryer për bashkatdhetarët. Administrata është e obliguar ngase e ka atë detyrë, për atë edhe kemi investuar që shumë shqiptarë të punësohen në administratën e shtetit. Ajo administratë që nuk ka qenë asnjë 1 për qind, sot është në 20 për qind, pikërisht për të qenë në shërbim të qytetarëve. Rrethanat kanë ndryshuar radikalisht, në këtë drejtim ka vend për të punuar dhe përmirësuar, sepse pasqyra e një shteti shihet te administrata, te uniforma, te policia e shtetit, ngase ata janë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët. Ne po bëjmë përpjekje të kemi një administratë të edukuar mirë, por edhe të ndërgjegjshme për punën që ata duhet ta bëjnë.

Albinfo.ch: Do të thotë, nuk i vlerësoni si të vonuara këto takime me bashkatdhetarë, me një format siç jeni të pranishëm sot me ministra e deputetë në Zvicër?

Ali Ahmeti: Ne kemi organizuar takime me bashkatdhetarë gati për çdo vit dhe është bërë taditë. Dy deri në tri takime bëhen me bashkatdhetarë në vendlindje. Mirëpo atje kur vijnë sigurisht edhe ata kanë gazmendet e tyre familjare, dasmat e tyre. Sallat e darsmave janë të rezervuara 3 deri 4 vjet më herët. Ne nuk dëshirojmë të bëhemi pengesë dhe t’i shkëpusim nga gazemendet e tyre familjare, por megjithatë organizojmë takime me bashkatdhetarë. Unë kam qenë për herë të fundit në Zvicër më 2004 në një aktivitet ndërkombëtar që e kam shfrytëzuar edhe për kontakte me bashkatdhetarë. Ministrat e BDI-së vizitat që i bëjnë në Zvicër dhe Amerikë dhe në shtetet e tjera të Evropës realizojnë takime me bashkatdhetarë. Ambasadori i Republikës së Maqedonisë e ka për angazhim të takohet me mërgatën shqiptare. Unë dëgjova shumë fjalë të mira këtu për ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në Zvicër.

Albinfo.ch: Si do ta mobilizoni mërgatën shqiptare që të vijnë e të votojnë në zgjedhjet e marsit në Maqedoni, kur në zgjedhjet nacionale e kishin për herë të parë mundësinë për të votuar në ambasadat e tyre dhe nuk arritën të sigurojnë asnjë ulëse në Parlamentin e Maqedonisë?

Ali Ahmeti: Është e vërtetë që mërgata shqiptare nuk e mori seriozisht çështjen e zgjedhjeve parlamentare. Ka mundësi që edhe ne nuk kemi qenë shumë aktivë në këtë drejtim. Por, mendoj që zgjedhjet lokale janë më specifike. Në takimet me bashkatdhetarët e kam parë se ka një vullnet të mirë. Është formuar Këshilli organizativ. Kokretisht bëhet fjalë për Komunën e Kërçovës që historikisht ishte me shumicë shqiptare, por që asnjëherë nuk ka drejtuar Komunën. Ka motiv këtë herë që mërgata shqiptare t’i përgjigjet ftesës për të votuar për kandidatin shqiptar për kryetar komune, ngase pjesa dërmuese e shqiptarëve të Kërçovës janë në mërgim të shpërndarë në Zvicër, Gjermani, Itali, Austri dhe SHBA. Ne nuk duam ta shndërrojmë në një fushatë klasike ndërmjet etnive, por e drejta morale është në anën e shqiptarëve, ngase janë shumicë. Megjithatë, duhet të demonstrojmë vlera pjekurie se edhe ne dimë të udhëheqim dhe të sprovohemi si drejtues komune.

Fundamenti

Albinfo.ch: Besoni se do të vijnë nga diaspora mërgimtarët për të votuar në zgjedhje. Mos ndoshta marsi nuk është koha e përshtatshme për mërgimtarët?

Ali Ahmeti: Kjo varet nga organizimi dhe mobilizimi dhe prej vullnetit personal të çdo shqiptari. Edhe pse punët po bëhen në këtë drejtim. Janë informuar të gjithë, sepse nuk bëhet fjalë për një hapësirë për miliona banorë, por janë 40 mijë shqiptarë. Mendoj që ia vlen që çdo shqiptar në një moment të caktuar të sakrifikojë dhe të vendosë për vetveten. Pikërisht kërçovarët në këto zgjedhje do të vendosin për vetveten dhe kjo do të varet nga kërçovarët. Struga është një rast tjetër, edhe pse ka nevojë për votat e mërgimtarëve, por Kërçova është një rast specific, sepse shumë më shumë njerëz jetojnë jashtë vendit.

Albinfo.ch: Diaspora është në pritje të ofertave nga ana e Qeverisë për të investuar në Maqedoni. Ne e kemi ministrin e Ekonomisë që e drejton një ministër i BDI-së, agjencinë për investime të jashtme. Ne shohim që maqedonasit po investojnë më shumë në lindje?

Ali Ahmeti: Edhe unë do të pajtohesha nëse do të kishte investime në Lindje të Maqedonisë, por janë simbolike. Ka iniciativa të mira për investime dhe kanë filluar të vijnë inevestitorët. Por, shpresojmë për hapjen e shumë vendeve të punës. Shpresojmë të mbyllet çështja e Zonës së Lirë industriale në Tetovë që ështe me shumë perspektivë për gjithë rajonin e Pollogut. Gjithashtu ka shumë iniciatiava për investime individuale të investitorëve shqiptarë vendës, por edhe nga jashtë. Ka investitorë nga Norvegjia dhe SHBA-ja. Do të thotë, ka investime, nuk është pa investime në Maqedoni, por nevojat janë shumë të mëdha, papunësia është shumë më e madhe dhe efekti ende nuk shihet. Gjithmonë kemi apeluar që të gjithë ata që kanë kursyer nga kapitali i tyre i kanë dyert e hapura. Të gjitha institucionet janë 24 orë në shërbim të tyre për të gjitha dokumentet e nevojshme. Hapja e një vendi pune është një problem më pak për mua. Unë shumë do të jem i gëzuar që për çdo ditë të ketë investime. Sa më shumë të ketë vende të reja pune, aq më pak do të ketë probleme për mua.

Albinfo.ch: Nëse kërkoni mbështetjen e mërgimtarëve për zgjedhjet locale, çka do të presin ata nga kryetarët e komunave. A do të ketë ndryshime. Ju keni thënë me një rast se disa prej tyre janë lodhur, dhe duhet të shkojnë. A kanë realizuar atë që kanë premtuar kryetarët e komunave nga radhët e BDI-së, për shembull në Strugë apo në Kumanovë?

Ali Ahmeti: Në përgjithësi ato mundësi që i kanë pasur kryetarët e komunave i kanë realizuar. Por, ka vështirësi të ndryshme. Një pjesë e komunave rurale nuk kanë hapësirë për investime, ta zëmë Komunën e Likovës. Nuk mbushet buxheti me taksapagues blegtorë. Komuna e Likovës ndihmohet nga shteti, nga fondet ndërkombëtare, Banka Botërore, Banka Evropiane. Kryetari i Komunës bëhet menaxhues i këtyre mjeteve për të kthyer në të mira materiale për qytetarët, në infrastrukturë, rrugë, çerdhe. Një pjesë e komunave rurale i kemi pasur jo me ndonjë buxhet të fortë. Kuptohet se shteti është një aparat që menaxhon buxhetin duke i mbledhur taksat nga qytetarët. Sa më shumë në komunat tona të ketë vende të reja pune, sidomos në investime në drejtim të prodhimtarisë, aq më mirë bëhet për komunat. Por, kemi edhe të meta të tjera, nuk i paguajmë edhe ato pak taksa që janë për qytetarët. Ka shumë punë për kryetarët që do të zgjidhen për të drejtuar komunat për të rregulluar më mirë funksionimin e tyre. Rregullimi i mirë i Komunën e ndihmon shtetin, ngase Komuna është shteti.

Albinfo.ch: Edhe në Shkup shihet se është investuar më shumë në anën tjetër, e më pak në pjesën shqiptare?

Ali Ahmeti: Komuna e Çairit nuk mund të krahasohet me Komunën e Butelit, ku ka shumë industri me fabrika. Megjithatë, në saje të atij buxheti që ka Komuna e Çairit nuk është si ka qenë para dhjetë vjetësh. Dhe nëse bëhet një krahasim para dhjetë vjetësh ka përparime. Por, nëse bëhet një krahasim ndërmjet komunave, mund të themi se nuk janë të gjitha njësojë të zhvilluara. Edhe këtu në Zvicër ka dallime ndërmjet komunave. Nuk është njësoj i zhvilluar kantoni i Juras me kantonin e Zugut, apo të Cyrihut. Ose kur të bësh krahasimin e Zugut dhe Cyrihut për nga buxheti.

Albinfo.ch: Shtypi në Maqedoni paralajmëron se nuk përjashtohet mundësia e një koalicioni të përbashkët të partive shqiptare BDI dhe PDSH, për zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2013. A ka diçka të vërtetë në këtë drejtim?

Ali Ahmeti: Ky është një njoftim gazetaresk, sepse nuk ka koalicione parazgjedhore. Gjithsesi do të dalim vetë në zgjedhje. E mira është që në ato vende ku shqiptarët janë pakicë, të bashkohet vota e tyre që të bëhen të rëndësishëm, si në Manastir, Krushevë dhe Veles. Të përçarë andej janë të parëndësishëm. Do të thotë, ose fitojnë një këshilltar, ose nuk fitojnë asnjë. Por, nëse janë bashkë mund të kenë nga 3 dhe 4 këshilltarë. Kemi pasur 3 këshilltarë në Ohër, tani nuk kemi asnjë, ngase është coptuar vota e shqiptarëve dhe u bën të parëndësishëm. Duhet të bëhemi realistë, ne shqiptarëve nuk na duhen më shumë parti. Dikush do të thotë se ky ka parti dhe do vetëm partia e tij të jetë. Mirëpo le të vlerësojnë qytetarët, dhe jo tani çdokujt t’i kujtohet e të bëjë një parti poltike, ngase me 1 mijë vota të familjes secili mund të krijojë një parti, por dëmi është më i madh që i shkaktohet shqiptarëve në Maqedoni. Në zgjedhjet e fundit me coptimin e votave i kemi humbur minimum 5 deputetë. Kështu që duhet të jemi më të përgjegjshëm në veprimet tona.