Ahmetaj: Dialogu përfundon me njohje

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, duke kujtuar hapat e dialogut gjashtëvjeçar Prishtinë – Beograd, u shpreh e bindur se ky dialog me Serbinë do përfundojë me njohjen e Kosovës.
Pas pezullimit të dialogut Prishtinë – Beograd, i nisur në vitin 2011 me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizoi tryezën e diskutimit me temën “Pezullimi i dialogut: Impakti në procesin e Integrimit Evropian të Kosovës”.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, duke kujtuar hapat e dialogut gjashtëvjeçar Prishtinë – Beograd, u shpreh e bindur se ky dialog me Serbinë do përfundojë me njohjen e Kosovës.
Sipas ministres dialogu është e vetmja rrugë e Kosovës për në Bashkimin Evropian, shkruan sot “Zëri”.
“Në fund pasi që të jenë përfunduar të gjitha çështjet, si rezultat i përfundimit të dialogut ne do të arrijmë në një marrëveshje të përbashkët, e cila saktësohet në dokumentet e BE-së nëpërmjet të cilës Serbia do të detyrohet ta njohë Kosovën si shtet”, ka thënë Ahmetj.
“Kjo është e garantuar me dokumente, po ashtu edhe me vetë prezencën e Bashkimit Evropian në dialog si dhe me mbikëqyrjen dhe ndihmën si garantuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Ahmetaj.
Ndërsa, deputeti nga radhët e Listës Serbe, Nenad Rashiq, ka thënë se serbët nuk kanë trajtim të barabartë.
“Sipas mendimit tim nuk kemi një trajtim të barabartë dhe fatkeqësisht mendoj se ne jemi gjithmonë një lloj viktime qoftë nga njëra anë, tjetra apo nga pala e tretë, sepse për shkak se roli ynë është shumë i zvogëluar”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova me këtë dinamikë të dialogut nuk do mund të anëtarësohet në BE për 10 vjetët e ardhshëm.
“Me këtë dinamikë anëtarësimi në Bashkimin Evropian zgjat së paku 10 vjet”, ka potencuar ai./zeri/