Ahmet Isufi: Do të shqyrtohen të gjitha ankesat
Gjilan – Ahmet Isufi ish komandant i Zonës Operative të Karadakut tha për rajonipress se pas pakënaqësisë që kanë shprehur ish ushtarët e të tjerët do të shqyrtohen të gjitha ato ankesa që kanë bazë ligjore dhe që përputhen me të dhënat tona. E di që ka lëshime, por ato janë të paqëllimshme dhe po presim rrumbullakësimin e këtij procesi
Ahmet Isufi kohëve të fundit ka marrë shumë kritika nga ish bashkëluftëtarët e tij të cilët po thonë se u është bërë e padrejtë kur është bërë hartimi i listës së luftëtarëve, e veteranëve të luftës në Zonën e Karadakut, raporton rajonipress.
Por, Isufi nuk dukej shumë i brengosur të martën derisa po bënte homazhe tek varrezat e dëshmorëve. “Nuk ka nevojë askush të jap deklarata të nxehta dhe as të akuzoj ndokënd. Ne jemi në fazën finale dhe normalisht që në tërë atë punë të madhe që është bërë edhe mund të ketë gabime e lëshime. Ne do t`i marrim parasysh të gjitha ankesat dhe ato kërkesa që kanë bazë ligjore dhe që përputhen me shënimet tona do të futen në listën përfundimtare “ tha Isufi.
Isufi tha se ka pasur lëshime gjatë hartimit të listave, por ato janë të paqëllimta dhe lëshime njerëzore. “Kam parë që mungojnë disa ushtar të vërtet, por kjo mund të korrigjohet. Ne e dimë saktë kush ishte në luftë e kush merrej me politikë atë kohë. S`kemi nevojë askush t`i shesim ligjërata njëri tjetrit. E rëndësishme është që ky proces verifikimi mos të politizohet, por gjithçka të shkojë në suaza të punës ekipore dhe shumë profesionale që është bërë” tha Isufi./rajonipress/


