RCCOLA

AGPK: Gazetarët e komunave po zhantazhohen e injorohen

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Prishtinë – Të shantazhuar e të kërcënuar dhe madje të injoruar, janë disa nga sfidat e gazetarëve që ata çdo ditë ballafaqohen me to, e sidomos të atyre gazetarëve që raportojnë nga komunat.

Korrenspondentë të mediave qendrore, gazetarë që punojnë në media lokale dhe të tjerë u pajtuan se problemet me të cilat përballen ata janë të shumta – që nga mungesa e kushteve më të mira për punë, deri te presioni nga institucionet lokale dhe mosbashkëpunimi i duhur me to, si dhe mungesa e kontratave të punës.

Kështu ka vlerësuar Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, në debatin e organizuar me temën “Sfidat e raportimit të gazetarëve nga komunat”. Arben Ahmeti kryetar i këtij asociacioni, ka folur për rastin e korrespodentit nga Skënderaj, të Kohës Ditore, Adem Meta, i cili është kërcënuar dhe ndaj të cilit është ushtruar presion i vazhdueshëm për vite të tëra nga kryetari i kësaj komune Sami Lushtaku.

“Ne po e mbajmë nën monitorim rastin e gazetarit Meta, dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me prokurorinë në mënyrë që rastet të tilla me korrespodent tjerë të mos përsëriten”, ka thënë Ahmeti.

Mobi Casa

Dush Gashi, redaktor i lajmeve nga komunat në të përditshmen “Zëri” dhe Bekim Kupina, redaktor në “Koha Ditore” folën konkretisht për sfidat me të cilët përballen çdo ditë këta gazetarë.

Ndërkaq, Musa Sabedini nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” në Gjilan dhe themelues i Agjencisë Rajonale të Lajmeve Rajonipress tha se gazetarët jo çdoherë duhet që për problemet që kanë dhe kërcënimet që marrin, t’i drejtohen AGPK’së, por të provojnë që të përballen edhe vetë me profesionin e vështirë që kanë zgjedhur.

Pjesëmarrësit në debat propozuan zgjidhje konkrete për problemet e diskutuara, ndërkaq përfaqësues të AGPK’së u zotuan se do të angazhohet edhe më shumë, në mënyrë që gazetarët që punojnë jashtë Prishtinës të mos ndihen pa mbështetje.