Agolli: Vetëkënaqësia nuk është mëkat, shkruam historinë! Ç’duhet të bënte Franca kur humbi me ne?
Mungon në Kombëtare prej shumë kohësh dhe këtë herë dy kartonë të verdhë i kanë hequr mundësinë që të jetë në grumbullim për një ndeshje të rëndësishme si ajo ndaj Izraelit. Gjithsesi, kapiteni i Kombëtares ka ndjekur me shumë vëmendje çfarë ka ndodhur në miqësoren e fundit.
Ansi Agolli, në një intervistë për “Panorama Sport”, shpjegon situatën aktuale që po kalon skuadra, krahasimin me periudhën e errët të ekipit prej pesë humbjesh radhazi 14 vite më parë, si dhe mbi të gjitha edhe vetë momentin që po kalon trajneri i Kombëtares. Sipas kapitenit kuqezi, humbja ndaj Luksemburgut ka lënë shije të keqe, por edhe ka dhënë mundësinë për të gjithë që të nxirren mësime.
Ai është i bindur se në përballjen e radhës, të gjithë lojtarët do arrijnë që të tregojnë në fushë vlerat dhe cilësitë maksimale që kanë, për të bërë të mundur rikthimin e skuadrës në nivelin e kërkuar nga të gjithë.
Mungoni në këtë grumbullim prej kartonëve e duket sikur rastisën në momentin e duhur për të bërë disa ditë pushime…
Më vjen keq që do të mungoj në ndeshjen ndaj Izraelit për shkak të kartonëve të verdhë. Nuk ka futbollist që nuk dëshiron të luajë çdo ndeshje dhe, aq më tepër, kur bëhet fjalë për Kombëtaren. Një nga sakrificat që kërkon ky sport është edhe mungesa e kohës për të pushuar gjatë verës.
Prej vitesh në këtë periudhë gjendesha në grumbullim me ekipin kombëtar, pranë shokëve të skuadrës. Ky vit qe pak ndryshe. Megjithatë, përfitova nga pushimi me klubin ku luaj për të rikuperuar fuqitë mendore e fizike për sezonin që kemi përpara. Dje kam filluar stërvitjen dhe ndihem i freskët e i gatshëm për të përballuar fazën përgatitore.
Sa gati e gjen Agollin dhe Karabakun kjo fazë për të arritur objektivin madhor, grupet e Champions-it? Çfarë ka ndryshuar nga një vit më parë?
Janë vetëm dy ditët e para të stërvitjes dhe është paksa herët për të folur për objektivin e madh. Kemi rreth një muaj fazë përgatitore intensive, me ngarkesë të plotë, në mënyrë që të arrijmë në fazat eliminatore të ‘Champions League’ në formën më të mirë. Prej disa vitesh kemi arritur të kalojmë disa ture e të luajmë në grupet e “Europa League”. Uroj që këtë vit të arrijmë edhe më lart, e që faza të kalojë pa dëmtime fizike si për mua ashtu edhe për shokët e ekipit.
Kapiten për t’u kthyer te Kombëtarja. Në miqësoren e fundit na përmbysi Luksemburgu. Si e patë ndeshjen?
Si një ndeshje miqësore. Zakonisht në këto lloj ndeshjesh nuk kërkohet rezultat, por eksperimentohet me skema dhe testohen lojtarë që trajneri të saktësojë idetë se si do të luajë dhe kush do të jetë në formacion në ndeshjet zyrtare. Sidoqoftë, humbja nuk lë kurrë një shije të mirë. Por nga një humbje me Luksemburgun mund dhe duhet të mësosh shumë. Kjo humbje na bën më të përgjegjshëm e na fokuson më tepër te ndeshja më e rëndësishme për ne, ajo me Izraelin. Kjo humbje të bën të nxjerrësh nga vetja egon dhe karakterin shqiptar që kemi, dhe kam bindjen që më datë 11 ky karakter do të shfaqet në fushë. Çunat e kanë treguar shpesh grintën e tyre për fanellë, përgjegjësinë e përfaqësimit të kombit.
Çfarë nuk ju pëlqeu nga ajo ndeshje që patë?
Motivimi. Në të tilla ndeshje, me kundërshtarë më të dobët ka nevojë për vetëmotivim nga secili futbollist. Me të tillë kundërshtarë kemi pasur gjithmonë probleme, kryesisht si pasojë e vetëmotivimit.
Trajneri, në fund të ndeshjes, tha që “tashmë lojtarët duhet ta gjejnë forcën brenda vetes”… Si mendoni, a ka më forcë kjo skuadër dhe ky grup lojtarësh të ngrihet në nivel?
Mendoj se trajnerin e ka shqetësuar më shumë mungesa e motivimit. Ai e njeh mjaft mirë skuadrën e lojtarët që drejton dhe e di që ajo që u pa në fushë ndaj Luksemburgut nuk është forca e vërtetë e skuadrës. Kështu që niveli natyral i këtij grupi është më i lartë, e detyrimisht që performancat e ekipit do shkojnë drejt atij niveli. Grupi i lojtarëve, pa diskutim, që e ka forcën të arrijë atje.
A ka një lloj plotësimi kënaqësie apo një vetëkënaqësi të lojtarëve?
Edhe nëse ka pasur vetëkënaqësi, nuk besoj se është ndonjë mëkat. Vetëm para një viti, një skuadër si Shqipëria, arriti të plotësonte një ëndërr historike të lojtarëve dhe tifozëve tanë. Këta djem dhe ky trajner bënë krenarë shqiptarët në të gjithë botën. Çfarë duhet të bënte Franca, të cilën e mundëm në miqësore para dy vitesh? Në futboll ndodh shpesh që gjërat nuk shkojnë ashtu siç ti i parashikon. I rëndësishëm është reagimi dhe karakteri që ti tregon në fushën e lojës.
Si e shihni pozicionin e trajnerit në këtë situatë? A mendoni se ky është momenti më i vështirë i De Biazit në krye të Shqipërisë?
Në situata të tilla nuk është vetëm një njeri në vështirësi, por e gjithë skuadra. Në këto raste duhet kontributi i të gjithëve, çdo futbollisti, që luan apo nuk luan, çdo anëtari të stafit. Skuadra kështu funksionon, siç ndahen meritat kur fiton, ashtu edhe përgjegjësitë kur gjërat nuk shkojnë siç duhet.
Humbja ndaj Luksemburgut ishte e pesta radhazi. Pse mendoni se Shqipëria është kthyer 14 vite pas?
Nuk besoj se mund të analizohet vetëm me statistika. Duhet parë kundër cilave skuadrave kemi luajtur dhe si kemi humbur. Kemi pasur ndeshje ndaj Italisë dhe Spanjës, dy nga ekipet më të forta në botë. Të thuash që jemi kthyer 14 vjet mbrapa, më duket e pandershme dhe e ekzagjeruar. Mendoj se hiperbolizime të tilla nuk i shërbejnë askujt.
E kishit menduar ndonjëherë që pas Europianit, ekipi do të rikthehej në “bazë” me rezultate të tilla?
Siç e thashë edhe pak më parë, nuk më duket se është kjo “baza” (për të përdorur termin tuaj) e kësaj skuadre. Pjesëmarrja në Europian ishte dika e jashtëzakonshme, prandaj edhe publiku e konsideroi historike. Çdo skuadër ka oshilacione, e tani po kalojmë një moment të keq. Unë shpresoj që do të kthehemi shpejt në “bazën” e vërtetë tonën. Ne, që të arrijmë atje, po punojmë.
Lorik Cana përmendi që ka ardhur koha e gjeneratave të reja në Kombëtare. Ju si mendoni?
Nuk e di kontekstin e deklaratës së Lorikut dhe nuk mund të komentoj rreth saj.


