Agjensioni kadastral po përballet me sfida të shumta në teren
Gjilan – Prona nuk mund të tjetërsohet pa ligjet mbi kadastrin, pa procedura ligjore e dokumentacion nuk mund të regjistrohen prona, as të serbëve e as të shqiptarëve dhe ato ngelen parcela. As shitblerjet e kohës së okupimit nuk do të legalizohen ka thënë Murat Meha.
I është dashur vet Murat Mehës që të takohet me fshatarët e Malishevës, fshat ky që ka pasur më së shumti vërejtje rreth matjeve që po bëhen nga Agjensioni Kadastral i Kosovës
Murat Meha nga ky agjension së bashku me Gani Nezirin kanë takuar banorët e Malishevës ku u kanë shpjeguar atyre rëndësinë që ka rikonstruimi i zonave kadastrale.
Murat Meha tha se projekti i shënimit të vijave ose rikonstruimi i zonave kadastrale është projekt ndërkombëtar që financohet nga Banka Botërore. “Në këtë projekt jemi të sigurt se ka një precizitet dhe një punë profesionale. Mund të ketë vërejtje periferike, por në përgjithësi projekti është dobiprurës për Gjilanin dhe fshatrat e saja “ tha Meha.
Meha i ka siguruar banorët e Malishevës se pasuria e shtetit nuk mund të tjetërsohet ndërkohë që duke u regjistruar gjendja faktike e pronave në terren mund të arrihet edhe deri te zbulimi i uzurpimeve.”Shitblerjet nuk do të tjetërsohen gjatë kohës së okupimit.Prona nuk mund të tjetërsohet pa ligjet mbi kadastrin, pa procedura ligjore e dokumentacion nuk mund të regjistrohen as të serbëve e as të shqiptarëve dhe ato ngelen vetëm si parcela joformale. Megjithatë çdo qytetar që sjell dokumentacion, prona nuk do t’i kontestohet dhe se nëse prona është e uzurpuar apo jo kjo është punë e komunës e kadastri bënë vetëm regjistrimin e pronave” ka sqaruar Meha.
Ndryshe Meha tha se në terren po përballen me sfida dhe se ndryshimet që po ndodhin po regjistrohen në kadastër dhe sipas tij janë duke u trajtuar të gjitha llojet e pronave. Sipas tij në Kosovë problemet më të mëdha paraqiten me trashëgiminë, e cila tashti mund të rregullohet nëpërmjet noterëve.
Lorenc Zani, nga kompania fituese e projektit “Lorenc & Co” nga Shqipëria, ka thënë se kompania që ia drejton ka mbi 50 ekspert dhe punëtor aktiv që dali çdo ditë në teren. “Puna e kompanisë është bërja e matjeve në terren dhe regjistrimi i gjendjes, por nuk është detyrë e saj që ta përcaktojë se cili është pronari” ka sqaruar ai.
Zani mohoj zërat se ka ankesa nga ana e qytetarëve të zonave ku ata kanë bërë matjen Kurse Gani Nezirit, drejtor i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër e Pronë, tha se janë pajtuar me shqetësimet e qytetarëve të Malishevës, Zhegrës e Lladovës, por se sipas tij, pjesa më e madhe e qytetarëve kanë qenë të kënaqur me punët që po bëhen.
“E mira e tërë kësaj është se qytetari përfiton edhe në kohë edhe në para sepse projekti mbështetet nga Banka Botërore e Qeveria e Kosovës dhe qytetari nuk paguan për matjet. Nuk është e thënë që drejtoria gjithmonë të ketë të drejtë, por ne po mundohemi që punën ta bëjmë sa më mirë që mundemi”, ka thënë Neziri.
Murat Meha edhe njëherë ka apeluar tek të gjithë fshatrat e banorët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të debatojnë për pronën e tyre veç e veç. “Më mirë tani të debatojmë sesa më vonë të dalin pengesa” tha Meha./rajonipress/


