Fundamenti

Agjenci e portale kujdes çfarë shkruani?

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Mediet e shkruara dhe ato online nuk duhet të dorëzohen apo pengohen nga rregulloret , kodet e nenet e ndryshme, por megjithatë ato janë një udhëzues dhe rregullues i mirë në punën e tyre profesionale u tha në një tryezë të organizuar nga zyra e Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës ku kanë diskutuar Flutura Kusari, Vehbi Kajtazi, Bajrush Morina dhe Leonard Kërquki.

Gazetarët e rajonit të Anamoravës kanë bashkëbiseduar me gazetarët të zgjedhur nga mediet e Prishtinës rreth një teme specifike “Zbatimi në praktikë i udhëzuesit për kodin e medieve të shkruara të Kosovës”, të organizuar nga zyra e Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës.

Nehat Islami, drejtor i Zyrës së Këshillit të Medieve të Shkruara të Kosovës ka thënë se këto debate e tryeza kanë për qëllim që të vetëdijësojne gazetarët që gjatë punës së tyre mos të bëjnë gabime profesionale.

Flutura Kusari, juriste për media “BIRN” (anëtare e bordit të KMSHK-së) duke folur për përgjegjësinë juridike për publikimin e opinioneve si dhe huazimin e shkrimeve dhe citimeve të drejtë dhe të mjaftueshëm tha se në këtë sferë problem kryesor mbeten portalet online dhe ka kërkuar që këto portale dhe mediet t`i përmbahen udhëzuesit të medieve sepse edhe opinionet edhe shkrimet e paverifikuara janë të sanksionueshme.

Kusari tha se mediet kanë përgjegjësi për publikimin e opinioneve dhe duhet të kenë kujdes sidomos nëse ato përmbajnë fyerje, kërcënime, shpifje etj. Sipas Kusarit në Kosovë ka shprehje të fjalës së lirë, por edhe kjo ka sanksione sepse po keqpërdoret me të madhe.

UBT

Kurse Vehbi Kajtazi, gazetar i të përditshmes “Koha Ditore” duke folur për informimin rreth korrupsionit tha se korrupsioni është fusha më e ndjeshme e raportimit. Korrupsioni është problem edhe për vet prokurorët dhe policët hetues. Hetimi bëhet edhe më i vështirë pasi gazetarët skano qasje në dokumentet zyrtare dhe dosjet penale. Kajtazi tha se haraçi po ndodhë edhe brenda Qeverisë së Kosovës.

Bajrush Morina, kryeredaktor i të përditshmes “Bota Sot” ka folur më shumë për ndihmesën që mund të japi KMSHK redaksive. Morina tha se liria e fjalës nuk mund të pengohet me nene apo rregullore sepse krijon pasiguri në punën e gazetarëve, por në anën tjetër këto udhëzues janë të domosdoshëm sepse e artikulojnë punën e gazetarëve profesionalisht. Sipas Morinës kodet vetëm sa e ngrisin përgjegjësinë profesionale të medieve.

Leonard Kerquki, kryeredaktor i gazetës “Express” (anëtar i bordit të KMSHK-së) , ka folur për etikën e gazetarisë online me theks të veçantë të komenteve të lexuesve.
Kërquki tha se mediet online duke përfshirë agjenci e portale po e pushtojnë tregun medial, por në të njëjtën kohë ato duke vrapuar pas lajmit të shpejt shpesh edhe bëjnë gabime dhe japin edhe lajme me pasaktësi.

Sipas Kërqukit në Kosovë ka rreth 20 portale online e të cilat shumica prej tyre nuk i respektojnë rregullat dhe autorësitë. Derisa për komentet e lexuesve në këto portale tha se janë të pakontrolluara dhe shpesh vulgare./rajonipress/