FIDANISHTJA

Agim Ramadani, një emër që nuk lakohet

/ 7 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Sabit Rrustemi – Ky emër që na vije pas çdo shtrëngate, bashkë me agun e çdo dite, u bë simbol dhe idol i vetë brezave të UÇK-së, pa dallim moshe. U bë idol edhe i brezave që i buzëqeshën shlirshëm Kosovës pas 12 Qershorit 1999.

Po mbushen gjashtë muaj që kur Kosova dhe ne, mbetëm pa strategun e luftës së Koshares,pa shkulësin e gurëve të kufirit, që ndanin etninë tonë,pa luftëtarin e paepur, pa lirikun në rritje të poezisë shqipe, pa piktorin që derisa qëndronte Bjeshkëve të Jasiqit me bashkëluftëtarët e tij, nderohej me çmimin më të lartë të Akademisë Europiane të Arteve, pa njeriun që dinte dhe i bashkonte si armët si shqiptarët … Agim Ramadanin.

Ky emër që na vije pas çdo shtrëngate, bashkë me agun e çdo dite, u bë simbol dhe idol i vetë brezave të UÇK-së, pa dallim moshe. U bë idol edhe i brezave që i buzëqeshën shlirshëm Kosovës pas 12 Qershorit 1999 .

Arsyet e këtij emri simbol, këtij emri që nderon dhe fisnikëron trimërinë e Idriz Seferit, kreshnikut të Karadakut, që nderon dhe fisnikëron flijimin dhe sakrificën e Jasharajve të Prekazit, në krye me kryelegjendën, Adem Jasharin, duke u rreshtuar në luftën për lirinë e Kosovës, këtij emri që me shkathtësinë e ushtarakut udhëhoqi Betejën e Koshares, dhe u vu në mbrojtje të popullit të pambrojtur ( kujtojeni Junikun ) , tashmë dihen edhe nga dhjetëra e dhjetëra faqe gazetash që shkruan për të, edhe nga qindra rrëfime bashkëluftëtarësh që e kujtojnë vazhdimisht atë, po edhe nga i lashti e i bukuri Dukagjin që e pranoi në gjiun e vet, edhe në kohë të stuhishme e, edhe në kohë të lavdishme.

Letërnjoftimi i Agim Ramadanit, edhe para se të rreshtohej në radhët e UÇK-së, nuk ishte i panjohur. Vinte nga Gryka e Karadakut, gjegjësisht fshati Zhegër, prindërit e të cilit kishin zbritur prej thellësive të këtyre maleve të po kësaj ane gati para një shekulli. Tre maji i vitit 1963 do ta sillte atë në jetë, si djalin e katërt në familjen e Hysni Ramadanit.

Zhegra do jetë vendi ku ai mësoi abecenë e shqipes, abecenë e jetës po, edhe abecenë e trimërisë, pa e harruar deri në vdekje edhe abecenë e buzëqeshjes, që e kishte një nga dhuntitë më të veçanta të cilën ia kishte falur natyra.

Bashkëvendësit gjithmonë do ta kenë në kujtesë një Agim të buzëqeshur, posi dielli i çdo mëngjesi.

Deri në vitin 1982, Agimi do të bashkëjetojë i pandashëm me vendlindjen. Arti i shkathtësive ushtarake do ta grishë në Zagreb, ku brenda pesë viteve arriti të veçohet si kadeti më i mirë i Akademisë ushtarake, obligimet e së cilës i kreu deri në vitin 1991.

Fundi i këtij viti do të jetë edhe fundi i shërbimit në një armatë që quhej jugosllave dhe e cila për shqiptarët përherë kishte pasur rolin e pushtuesit.

Për gati shtatë vite do bëjë jetë emigrant në Zvicër duke i u kthyer hobeve të fëmijërisë dhe rinisë, krijimeve letrare, pikturave dhe urave të miqësisë me të tjerët. Një shkathtësi gjithashtu e veçantë e Agimit.

Përmes këtyre “angazhimeve të lira” Agimi e zmbrapste mallin për më të dashurit, dhe, e “kompenzonte” disi mungesën e vendlindjes, mungesën e Kosovës, duke e forcuar njëkohësisht unin e tij në kërkim të lirisë, aq të dëshiruar.

Marsi i vitit 1998 dhe kushtrimi i Jasharajve të Prekazit ia mënjanoi të gjitha dilemat, Agimit. Gjaku kryengritës i Shaban, Hamzë e Adem Jasharit, i atyre vogëlushëve që më mirë ngrehnin këmbëzat e pushkëve se hapat e këmbëve të tyre për braktisje shtëpie, tek Agimi rizgjoi Unin kryengritës dhe ai, ditëlindjen e tij të 35 –të të jetës së tij do ta festonte me krisma pushkësh e kushtrimesh nëpër shumë pjesë të Dukagjinit.

Agimi s’ do të pushojë e s’do të ndalet si në kushtrimet luftarake, ashtu edhe në kushtrimet poetike po edhe në kushtrimet mobilizuese e frymëzuese për të nxitur dhe për të arritur lirinë e Kosovës. Ai do ta ketë fatin që si strateg ushtarak, jo vetëm t’i shkelë gurët që ndanin me dekada etninë shqiptare por, edhe t’i shkulë ata gurë dhe të ngritet në piedestalin e trimërisë shqiptare me betejën e Koshares.

Uji Dea

Sa herë do flasim e shkruajmë për Agimin, nuk i a vlen të themi se ai ka rënë apo është vrarë.

Jo. Ai vetëm është shndërruar në Agim lirie dhe po bën një jetë të pavdekshme, në mbarë etninë shqiptare, duke u shfaqur herë pas here si amanet, si simbol, si idhull, duke u lakmuar nga breza të tërë.

Agimi, sot e tutje, më së paku është i vendlindjes, i Gjilanit. Sepse tash e tutje, Agimi është i tërë Kosovës, i tërë shqiptarëve.

Bashkë me agun e lirisë, është edhe i Dukagjinit, i kësaj fushe të plleshme, i kësaj kështjelle bjeshkësh të pathyeshme.

Agim Ramadani, në veçanti është i Koshares. Është një copë Karadaku që lëshon dritë lirie. Është simbol i bashkimit shqiptar, simbol i thyerjes së mitit ndaj një ushtrie sllave.

Jo rastësisht, rënia e tij u fsheh për një kohë prej bashkëluftëtarëve.

Jo rastësisht rënia e tij i nxirrte lotët edhe të ndjerit Prof. Fehmi Aganit, kur dëgjoi kumtin e zi.

Jo rastësisht rënia e tij ishte dhe një shpërthim i ri për liri nga bashkëluftëtarët e tij për ta vazhduar më tutje betimin e tij “ edhe i vdekur kam me luftue” .

Agimin e bëri për vete lufta çlirimtare, liria aq e shtrenjtë për Kosovën. Agimin përjetshëm e përvetësoi Dheu I Kosovës.

Biografia dhe letërnjoftimi i tërësishëm i Agim Ramadanit , vetëm sa ka zënë për t’u shpaluar, për t’u prezentuar dhe njohur.

Prej cilës do anë që do nisemi drejt tij , do ta shohim shembullin e papërsëritshëm të një ushtaraku, po edhe njërën nga figurat më të ndritura në vargun e figurave që u bënë gurëthemeli i një Kosove të re, të dëshiruar, të kërkuar e të gjakuar gati një shekull.
Agim Ramadani, në të gjitha variantet e së ardhmes , është dhe do mbetet një emër që nuk lakohet.

Emër që shëndritë përmes lirisë!

(E lexuar në Zhegër, më 11 Tetor 1999, në një Tubim të papërsëritshëm, me rastin e gjashtëmujorit të rënies heroike të Agim Ramadanit)