ARKATANA

Agim Aliu rreshtohet krah Enver Hoxhajt: Mbështetje për një figurë me peshë shtetërore dhe vizion zhvillimor

/ 2 minuta lexim

Ferizaj – Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka marrë një tjetër mbështetje të rëndësishme në prag të zgjedhjeve, kësaj radhe nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i cili e ka vlerësuar Hoxhajn si një prej personaliteteve më të kompletuara të jetës publike dhe institucionale në Kosovë.

Përmes një mesazhi publik, Aliu theksoi se takimet dhe bisedat me Enver Hoxhajn janë gjithmonë të veçanta, duke e cilësuar atë si një personalitet me vlera të jashtëzakonshme dhe me kontribute të rëndësishme në proceset vendimmarrëse të shtetit. Sipas tij, përvoja e gjatë e Hoxhajt në diplomaci, politikë, arsim dhe qeverisje e bën atë një zë të rëndësishëm për Kuvendin e Kosovës.

Mbështetja e Agim Aliut vjen në një kohë kur Enver Hoxhaj po zhvillon një fushatë intensive në të gjitha rajonet e vendit, duke takuar qytetarë, struktura politike dhe grupe të ndryshme shoqërore. Në fokus të angazhimit të tij mbeten tejkalimi i krizave politike, zhvillimi ekonomik, forcimi i institucioneve dhe rikthimi i Kosovës në një kurs më të sigurt të partneriteteve ndërkombëtare.

Duke falënderuar Aliun për mbështetjen, Hoxhaj e cilësoi atë si një mik dhe bashkëpunëtor të çmuar, me të cilin ndan vizionin për një Kosovë më stabile dhe më të zhvilluar. Ai theksoi se vendi ka nevojë për energji të reja, për politika konkrete dhe për lidership që ndërton ura bashkëpunimi në funksion të interesit shtetëror.

Përkrahja e figurave me ndikim institucional ndaj kandidaturës së Enver Hoxhajt po shihet nga mbështetësit e tij si dëshmi e besimit që ai vazhdon të gëzojë në skenën politike kosovare, falë përvojës së pasur, profilit diplomatik dhe rolit që ka luajtur ndër vite në proceset më të rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës./rajonipress/