RCCOLA

Agani shpjegon reformën shëndetësore në Gjilan

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Ministri Agani ka shpjeguar para profesionistëve shëndetësor gjilanas se Projektligji i shëndetësisë është pjesë e pakos reformuese legjislative në të cilën gjendet edhe projektligji i sigurimeve shëndetësore dhe që të dy këto projektligje janë dakorduar në tërësi me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Me këtë pako reformuese, ka theksuar Ministri, Kosova është në situatë që për herë të parë në periudhën e pas luftës të fillojë ndryshimin e gjendjes në shëndetësinë e saj në bazë të këtij projekti reformues që do të nis dy faza dhe që do të zhvillohet në mbështetje të plotë të partnerëve relevant ndërkombëtar dhe në veçanti BB dhe FMN.

Ministri shpjegoi se etapa e parë e reformës ka të bëjë me reformimin organizativ dhe strukturor të sistemit që fillon me zbatimin e Projektligjit të shëndetësisë i cili ka kaluar në shqyrtimin e parë në Kuvendin e Kosovës, dhe etapa e dytë që nënkupton reformën e sistemit të financimit të sektorit shëndetësor, që do të fillojë me zbatimin e Ligjit të sigurimeve shëndetësore, i cili pritet të miratohet në mesin e vitit që vjen.

“Projektligji i sigurimeve shëndetësore është pjesë përbërëse e pakos reformuese legjislative dhe ai është i elaboruar në detaje nga ekspertët vendor, ekspertët ndërkombëtar dhe është i dakorduar në tërësi me autoritetet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Momenti i miratimit të tij do të përcaktohet në koordinim të plotë ndërmjet Qeverisë së vendit, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë së plotë financiare të sistemit të ri shëndetësor të cilin po fillojmë ta ndërtojmë”, tha Ministri duke siguruar se më nuk ka dilemë nëse do të këtë apo jo sigurime shëndetësore, pasi kjo çështje është në duart e vet MSH-së dhe profesionistëve, por së bashku duhet përcaktuar modalitetet e funksionalizimit të tyre pas miratimit të ligjeve.

Agani ka shpjeguar se etapa e parë nis me themelimin e Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë si ndërmarrje publike jo-profite që do të themelohet me vendim të Qeverisë, në kuadër të cilës do të organizohen të gjitha institucionet publike shëndetësore të nivelit dytësor dhe tretësor të kujdesit shëndetësor dhe etapa e dytë që nënkupton themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, të cilit do t’i paraprijë Agjensioni i Financimit të Shëndetësisë.

Ministri është ndalur pastaj edhe në elaborimin e disa pikave apo shqetësimeve të ngritura rreth neneve të caktuara të projektligjit, ku në veçanti ka elaboruar nenin 41 që flet për parandalimin e konfliktit të interesit.

“Në funksion të parandalimit të konfliktit të interesit që ka të bëjë me mundësin e tanishme ligjore të trajtimit të pacientëve të njëjtë njëkohësisht në institucionet publike dhe private shëndetësore projektligji e përcakton ndalesën e punës në sektorin privat të shëndetësisë për të punësuarit në sektorin publik të shëndetësisë.

Fundamenti

Kjo masë ligjore do të rezultojë me ndërprerjen e praktikës abuzive në institucionet publike shëndetësore të referimit shumë herë të paarsyeshëm të pacientëve në sektorin privat për qëllime jo-profesionale me çka në mënyrë të drejtpërdrejtë do të mbrohen shfrytëzuesit e shërbimeve shëndetësore nga keq-përdorimet evidente.

Përndryshe, sistemi publik dhe ai privat do të jenë konkurrente mes vete…”, ka shpjeguar ai duke hedhur poshtë mundësinë që ndarja e këtillë të dëmtojë sistemin publik nga largimi i profesionistëve prej sistemit publik në atë privat.

“Me ligjin e ri do të krijohen mundësi që të punohet mirë dhe fitohet mirë në sistemin publik, kështu që këtu nuk ka vend për shqetësime”, tha Ministri Agani.

Ministri u është përgjigjur të gjitha shqetësimeve të ngritura në këtë debat, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me Kujdesin Parësor Shëndetësor, i cili përmes procesit të stimulimit në performancë, ku është paraparë një fond prej 4. 2 milionë eurove, do të përfitojë nga reforma dhe do të jetë pjesë e procesit reformues.

Ministri ka kujtuar se me Ligjin e ri të shëndetësisë për çdo vjet do të punësohen në KPSH nga 300 mjekë të ri dhe nga 100 specialistë, derisa vetëm në vitin 2013, shëndetësia do të ketë në dispozicion 20 milionë euro më shumë, nga fillimi i mbledhjes së të ardhurave sipas sistemit të ri, derisa në 2014, shëndetësia do të ketë në dispozicion 60 milionë euro me shumë, mjete këto që gjithsesi do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.

Agani ka elaboruar edhe çështjen e partneritetit publiko privat, dhe aspekte të tjera duke i siguruar profesionistët shëndetësor, se reforma nuk ka për qëllim të ngushtojë profesionistët shëndetësor, por t’u krijojë atyre mundësi për punë me efektive, të dinjitetshme dhe shërbime më të mira për qytetarët.

“Të gjithë besoj pajtohemi se në shëndetësi ka nevojë të bëhen ndryshime, prandaj ju ftoj që ta mbështesni procesin e reformave sepse alternativa tjetër e mos-mbështetjes është e mangët. Rruga e reformës është e garantuar, kurse për modalitetet do të dakordohemi bashkë. Projektligji i Shëndetësisë e nis këtë reformë, të cilën e kemi edhe obligim para qytetarëve tanë që presin ndryshime”, theksoi Ministri Ferid Agani./rajonipress/