Agani : Kujdesi primar shtylla e shëndetësisë

Gjilan – Në Bresalc, është përuruar të enjten Qendra e Mjekësisë Familjare, që është rinovuar nga Caritasi i Luksemburgut dhe Komuna e Gjilanit. Kjo hapësirë, tani ofron kushte shumë më të mira për punë dhe shërbime më cilësore për qytetarët. Ferid Agani ka thënë se si ministri e Shëndetësisë jemi të përkushtuar që kujdesi primar të jetë shtylla e shëndetësisë dhe këtu duhet të investohet më së shumti.
Ferid Agani, ministër i Shëndetësisë, ka thënë se ky është edhe një gur tjetër i rëndësishëm në sistemin bashkëkohor të mjekësisë kosovare. Ardhja ime këtu është shprehje e respektit për autoritetet komunale dhe shëndetësore në Gjilan, e cila ka dëshmuar përkushtim të madh për të avancuar infrastrukturën shëndetësore dhe për të krijuar kushte sa më të mira për ofrimin e shërbimeve mjekësore për qytetarë.
Ministri Agani ka shprehur respekt të veçantë për Caritasin dhe në veçanti për qeverinë e Luksemburgut, e cila vazhdimisht është duke e mbështetur shëndetësinë kosovare dhe aktualisht është duke kryer projekte në vlerë mbi 2 milionë euro, që është një mbështetje konkrete për shëndetësinë tonë, për çka ne jemi shumë falënderues. Ai u shpreh i bindur se punëtorët shëndetësorë do të dinë të kthejnë këtë besim me shërbime cilësore për qytetarët, ka thënë Agani.
Ndryshe, ai ka theksuar se shëndetësia kosovare është një fazë tranzicioni dhe po lëviz drejt një shëndetësie bashkëkohore. “Si Ministri e Shëndetësisë jemi të përkushtuar që Kujdesi Primar të jetë shtylla e shëndetësisë dhe këtu duhet të investohet më së shumti, sepse këtu identifikohen dhe mund të parandalohen në fazën e hershme shumë sëmundje, që tani është një pikë e dobët në shëndetësinë tonë. Uroj të kemi sa më shumë pacientë të shëruar plotësisht”, ka thënë Agani.
Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, tha se ky është një rinovim tjetër në vazhdën e rinovimeve të shumta të infrastrukturës shëndetësore që po bëhen në këto vite, që vetëm këtu ka vlerën rreth 100 mijë euro dhe pjesën më të madhe e ka siguruar Caritasi i Luksemburgut.
Por, shëndetësia nuk është sektori i vetëm ku ky donator po kontribuon në komunën e Gjilanit, sepse projektet e tij shtrihen edhe në arsim dhe komunitet. Paralel me këtë projekt, ka nisur edhe rinovimi i ambulancës në Kishnpole dhe jemi përcaktuar bashkë që këtu të ndërtojmë edhe shkollën e re, ka thënë Mustafa.
Caritasi është përcaktuar për të investuar në Gjilan, sepse, siç e thonë vetë përfaqësuesit e tij, kjo komunë e meriton këtë përkrahje për shkak të qasjes profesionale ndaj investimeve dhe mirëmbajtjes së tyre.
Mustafa ka kërkuar nga punëtorët e QMF në Bresalc si dhe qytetarët e këtij fshati që ta ruajnë këtë investim të vlefshëm. Ai ka garantuar se shërbime mjekësore të nivelit primar do të kenë të gjitha fshatrat, edhe ato më largëta.
Kurse drejtori për Shëndetësi, Xhemajl Salihu, ka thënë se rinovimi ishte i tërësishëm dhe sipas standardeve më të larta të mjekësisë bashkëkohore. Komuna e Gjilanit është e mbuluar mirë me rrjetin shëndetësor, ndërsa tani prioritet mbetet ndërtimi i një objekti të ri për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ka thënë Salihu.
Ndërkaq, Ardian Hasanaj ka thënë se Caritasi punon në Kosovë me mjete të qeverisë së Luksemburgut. Ky projekt është një shembull i mirë si mund të punojnë bashkë dy qeveri, Ai u shpreh i kënaqur me cilësinë e punimeve që është bërë në këtë ambulancë e që është vetëm një aktivitet i vogël Caritasi kryen në tërë Kosovën./rajonipress/