Afrimi me PDK-në për t`i ndihmuar proceset
Afrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me Partinë Demokratike të Kosovës është bërë me qëllim që të ndihmohen proceset, në të cilat po kalon vendi. Kështu pohoi lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, pas takimit që kishte me kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi.
Haradinaj nuk preferoi të flasë për postin të cilin ai synon, në rast të bashkëqeverisjes me PDK-në, duke pohuar se ka pasur një takim para pak ditësh me kryeministrin Hashim Thaçi dhe se nuk ka pasur më ndonjë zhvillim të ri rreth kësaj teme.
“Projektet që i kemi për qeverisje tani, janë projekte dhe vendime që AAK i ka marrë si reflektim i gjendjes në vend. Nuk janë në raport apo nder lidhshmëri me një në relacion me spektrin tjetër politik. Por janë përgjegjësi që ne e ndjejmë për gjendjen në vend dhe zgjidhja që ne ofrojmë është për një kualitet më të mirë të qeverisjes së gjendjes në vend”, tha ai.
Ai po ashtu foli dhe për takimin që ditë më parë kishte me liderin e LDK-së Isa Mustafa, duke pohuar se bashkëpunimi i tyre me LDK’në është i hershem dhe se ka një mirëbesim të ndërsjellë.
Haradinaj po ashtu foli dhe për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, i cili sipas tij është i pashmangshëm dhe i përjetshëm. Ai tha se pavarësisht funksioneve apo përgjegjësive se kush çfarë i mban në të dy vendet, ata kanë përgjegjësi të kenë bashkëpunim me institucionet e Shqipërisë dhe me kryeministrinë Sali Berisha, duke mos përjashtuar as partitë opozitare.(express)