UBT

AFP: Hashim Thaçi, rebeli i Kosovës që shkëmbeu armët për politikë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të paraqitet sot para gjykatës për krime lufte në Hagë, është një ish-komandant i UÇK-së i njohur me nofkën “Gjarpri” që luftoi për pavarësinë e Kosovës dhe dominoi demokracinë e vendit të ri që nga ajo kohë.

Për më shumë se dy dekada, Thaçi ka luajtur rol qendror në skenën politike të Kosovës, duke bërë emër gjatë luftës së viteve 1998-1999 me Serbinë si lider politik i Ushtrisë Çlirimtare pro-pavarësi të Kosovës, shkruan AFP.

52-vjeçari i gjatë, me flokë të thinjura, që shërbeu edhe si kryeministër për më shumë se shtatë vjet, rriti popullaritetin e tij kur e shpalli pavarësinë e Kosovës nga Serbia më 2008, vetëm tre muaj pasi i fitoi zgjedhjet.

Por imazhi i tij u njollos nga një raport i Këshillit të Evropës më 2010 që e lidhte atë me krimin e organizuar dhe për vrasje të motivuara politikisht ndaj civilëve serbë, shqiptarë dhe romë gjatë dhe pas luftës, transmeton Zeri.info.

Në vitet pasuese, ai është përballur edhe me akuza për korrupsion, klientelizëm dhe politizëm cinik që kanë dëmtuar dekadën e parë të pavarësisë së Kosovës.

Por ishin pretendimet e epokës së luftës që i dhanë fund presidencës së tij javën e kaluar.

Të enjten e kaluar ai dha dorëheqje pasi një gjykatës në Hagë konfirmoi aktakuzën ndaj tij për krime përfshirë vrasje, torturë, ndalim ilegal, zhdukje me forcë dhe persekutim nga lufta.

Thaçi, që insiston se është i pafajshëm, është zotuar se do të dorëhiqej për t’u përballur në gjykatë si qytetar.

“Këto nuk janë momente të lehta për mua dhe familjen time, dhe për ata që më kanë mbështetur dhe kanë besuar në mua në tri dekadad e fundit të betejës sonë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim”, tha ai, teksa njoftoi për dorëheqje.

‘George Washingtoni Kosovës’

I lindur më 24 prill të vitit 1968, në rajonin e Drenicës – vatër e separatizmit mes komunitetit shqiptar të Kosovës – Thaçi është përfshirë në rezistencën pasive kundër autoriteteve të Beogradit që nga vitet e hershme të ’90-ta si student.

Ai më vonë u zhvendos në Zvicër, vend ky me numër të madh të diasporës shqiptare, ku studioi historinë.

Uji Dea

Bashkë me ultra-majtistët e diasporës, ai u frustrua me politikën e kundërshtimit paqësor ndaj represionit të Beogradit kundër shqiptarët të Kosovës, rrugë kjo e ndjekur nga presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në vend të kësaj, ai bashkoi shqiptarët tjerë etnikë në një ushtri guerile, UÇK, për t’iu kundërvënë forcave atëherë të liderit autoritar të Serbisë, Slobodan Milosheviq.

Thaçi mori nofkën “gjarpri” gjatë konfliktit, ku shërbeu si lider politik i UÇK-së.

Më shumës e 13,000 jetë, shumica shqiptarë etnikë, u humbën në luftë e cila përfundoi më 1999 me intervenimin e NATO-s, duke u dëbuar forcat serbe dhe duke e vendosur administratën e OKB-së në Kosovë.

Atëherë Thaçi uli armët dhe veshi kostumin për të hyrë në politikë, duke e bërë asokohe Zëvendëspresidentin amerikan, Joe Biden, ta cilësonte atë “George Washingtoni i Kosovës”.

Ai i fitoi zgjedhjet nëntorin e vitit 2007, një vit pas vdekjes së Rugovës, i cili cilësohej si baba i kombit dhe ishte dëshmuar i pamposhtshëm në të gjitha zgjedhjet e pasluftës.

Tri vjet më vonë, nën qeverisjen e Thaçit, Kosova njëanshëm shpalli pavarësinë nga Serbia.

Që nga ajo kohë, ai ka mbetur në zemër të pushtetit në Kosovë, duke u bërë president më 2016, pavarësisht akuzave për korrupsion nga kritikët e tij.

Ai gjithmonë i ka mohuar të gjitha keqbërjet gjatë luftës, duke e përshkruar atë si “vetëm” një rebelim kundër represionit serb.

“Gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte, kurrë”, pati thënë ai gjatë këtij viti, duke shtuar se do të “dorëhiqem menjëherë” nëse konfirmohet aktakuza ndaj meje.

“Nuk do të përballem me drejtësinë nga kjo zyrë”, tha ai. /Zëri