Afërdita Paqarada: Jeta ime është si një mozaik

Pas suksesit që pati në brendin “Aphordite couture – haute couture dress & Kid’s Way”, modelja dhe disenjatorja Afërdita Paqarada tani ka nisur punën edhe për një projekt tjetër. Gjatë karrierës së saj, ka pasur mjaftë suksese të cilat Afërdita i kujton me mjaftë nostalgji.
Sa i përket fushës së modës në Kosovë, Afërdita pohon se kjo fushë është mjaftë e varfër dhe mungon kualiteti edhe për faktin se ka mjaftë disenjatore në vend. Afërdita në intervistën dhënë “Zëri”-t flet më shumë rreth modës, punës dhe planeve për të ardhmen.
Si do ta përshkruanit suksesin tuaj në fushën e modës?
Dëshiroj ta përshkruaj suksesin tim si një mozaik, i cili për shkëlqimin dhe madhështinë e tij ka çdo copëz të rëndësishme.
Foto-mdoelimi, nderi i të qenit “Miss i parë shqiptar”, përkushtimi im si grua biznesi e suksesshme, edukimi im profesional në fushën e dizajnit të modës dhe kontributi im në këtë fushë, shpjegon qartë të arriturat dhe suksesi qëndron te menaxhimi i mirë dhe profesional.
Koordinimi i angazhimeve të mija dhe përkushtimi im ndaj familjes dhe fëmijëve për të zhvilluar një jetë normale mendoj që është sukses diferencues.
Si një kreatore çfarë mendoni për fushën e dizajnit në Kosovë?
Është një temë e cila sa herë që diskutohet arrin të përceptoj nevojat e reja të tregut dhe gjërat e reja të cilat mund ti zbatojmë në ngritje të cilësisë. Ndjehem keq kur koleksionet emërtohen si veshje të modës së lartë, por ato janë veçse krijimi delitante, të cilat, nuk korrespondojnë në teknikë, nuk korrespondojnë në natyrën e materialit dhe nuk korrespondojnë në cilësi.
Kjo është e keqja që vije nga kolegët e mi. Por vështirësitë ekonomike, e bëjnë që ky profesion të ngeci edhe më tepër në aspektin teknik. Në disa takime me studentë të shkollave profesionale të dizajnit, në bashkëbisedim me ta, kam pasur mundësinë të shoh dhe ngecjet në kurikul, të cilat i shoh si standard i domosdoshëm për t’u pranuar.
Në qoftë se ne dëshirojmë të kemi realizim të mirë patjetër që na nevojitet edhe ky aspekt për realizimin final. Por në të gjithë këtë proces e vlerësoj jashtëzakonisht shumë talentin, vullnetin dhe energjinë e të gjithë atyre që e dashurojnë këtë profesion dhe e konceptojnë drejt.
Po për fushën e modës, sa dinë të vishen të rejat kosovare?
Në këtë aspekt përfundimisht ndikon kasta sociale, gjithnjë kanë arritur të impresionojnë dhe të realizojnë diferencën ato femra të cilat kanë pasur cilësinë dhe kanë realizuar blerjet unike. Unë e shoh më ashpër këtë aspekt, sepse jo çdo femër pëlqen të njëjtin detaj.
Por shoh kujdesin në ngjyra te vajzat e reja, ato janë më të informuara dhe kanë kërkesa të detajizuar dhe kjo është një e dhënë e mirë. Por unë tash e 7 muaj praktikoj këshillat profesionale rreth stilit dhe tendencave në modë dhe këtë e shprehi në editorialin tim të modës, i cili është para lexuesve çdo të dytën javë në kopje të fort.
Besoj që informacioni i saktë është suksesi i vetë jetës. Unë e ofroj një gjë të tillë për fushën e modës. Dhe lehtësisht kjo është e
pranueshme.
Angazhimi juaj jashtë punës së dizajnit?
Padyshim, profili im njeh angazhime profesionale në fusha të ndryshme, por të qenit nënë më jep kënaqësinë e veçantë dhe kënaqësinë e madhe familjare. Një kohë të çmuar ju kushtoj fëmijëve, Artit dhe Arbes, të cilët gjithnjë arrijnë me rezultate të mira të më shpërblejnë përkushtimin tim si nënë.
Keni qenë një ndër miset e para në vend, sa ndieni nostalgji për atë kohë?
I falënderoj të gjithë që në një formë apo tjetër më kujtojnë si ‘Miss’ i parë shqiptarë, sfida përfundimisht ka arsyetuar dhe qëllimin, i cili ka qenë shfaqja e femrës shqiptare si moderne, e pavarur dhe intelektuale.
Ndjehem pafund e kënaqur me standardin e dhënë nga ana ime në këtë sferë dhe po ashtu shkëlqimin që bartë ai titull i cili nuk vyshket
asnjëherë.
Çfarë bëni zakonisht në kohën e lirë?
Angazhimet familjare, profesionale, udhëtimet, leximi dhe shikimi i ndonjë filmi autorial ose dhe dramave muzikore. Dëshiroj që të kombinoj disa aktivitete brenda ditës në mënyrë që të marrë nga 24h, kënaqësinë, informacionin dhe relaksin.
Plani juaj konkret për të ardhmen?
Le të mbesin sekret për një kohë. Dhe ju premtoj që këto plane do t’i shpalosi me lexuesit tuaj për herë të parë. Le të themi që krijime të bukura po ju presin.(zeri)