“Afera Pronto”, Qeveria kërkoi heqjen e incizimeve

Raporti i transparencës i “Google” zbulon se ndërmjet korrikut dhe dhjetorit 2012 Qeveria e Kosovës kishte kërkuar heqjen nga “YouTube” të disa bisedave të sikletshme të përgjuara, personazhe të të cilave ishin zyrtarë të lartë qeveritarë kosovarë.
Raporti thekson se gjiganti amerikan i internetit mori katër kërkesa nga Qeveria e Kosovës për heqjen e përmbajtjeve. “Ne morëm një kërkesë nga një agjenci lokale e zbatimit të ligjit për heqjen e pesë videove nga “YouTube”, që pretendohej se shkelnin privatësinë e politikanëve, prej zbulimit të bisedave të regjistruara”, thotë raporti i “Google”, duke shtuar se nuk e hoqi materialin.
Kërkesa, e bërë nga korriku në dhjetor 2012, i referohet përgjimeve të postuara në “YouTube”, që zbulonin betejën për pushtet të ndezur brenda Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, e drejtuar prej Hashim Thaçit.
Në regjistrime, të cilat PDK-ja ka thënë gjithnjë se janë false, Thaçi shfaqet një lider shumë i dyshimtë, në përpjekje për të rivendosur kontrollin mbi rangjet e copëtuara të partisë, ndërsa liderë të ndryshëm të PDK-së përdorin gjuhë vulgare për të përshkruar njëri-tjetrin.
PDK-ja në atë kohë i denoncoi regjistrimet si false dhe i bëri thirrje misionit të sundimit të ligjit të Bashkimit Europian, EULEX, të investigojë në atë që e quajti “përgjim i stisur”. EULEX-i e dënoi siç duhej nxjerrjen e regjistrimeve, por nuk kundërshtoi autenticitetin e tyre.
Kërkesa e dytë nga Kosova për “Google” për heqjen e materialit erdhi në periudhën mes korrikut dhe dhjetorit 2013, kur zbatimi i ligjit kërkoi heqjen e dy videove të “YouTube” që tregonin grindje mes të miturve. “Google” thotë se i kishte hequr videot përpara se të mbërrinte kërkesa sepse ato shkelnin udhëzimet e komunitetit.
Gjiganti i kërkimit nuk ofroi detaje për dy kërkesat e tjera që mori nga Kosova, por specifikon se në total i ishte kërkuar të hiqte 12 artikuj. (kallxo.com)