Afër një vit 100 për qind taksë ndaj Serbisë dhe Bosnjes, Kosova është dëmtuar ekonomikisht dhe politikisht

Afër një vit – 100 për qind taksë ndaj Serbisë dhe Bosnjes e Kosova sipas ekspertëve më tepër është dëmtuar sesa që ka përfituar nga kjo taksë.

Më 21 nëntor të vitit të kaluar Kosova vendosi taksë 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës – masë tarifore e cila erdhi pas dështimit të Kosovës në dialog dhe e bllokoi dialogun Kosovë – Serbi.

Bashkimi Evropian, vendet e QUINT-it, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me dhjetra kërkesa apeluan tek institucionet e vendit për heqje ose pezullim të kësaj takse, por kjo nuk ndodhi, e kryeministri në ikje, Ramush Haradinaj ishte ai që i tha “JO”, çdo lutje e kërkese.

Kjo i kushtoi Kosovës me disa sanksione të cilat nuk u bënë shumë të zhurmshme, siç vlerësojnë analistët e që janë mosliberalizimi i vizave dhe zbehja e mbështetjes së SHBA-ve për një kohë.

Eksperti i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu për lajmi.net ka thënë se në rend të parë duhet të dihet se kjo taksë nuk ka qenë e kalkuluar ekonomikisht dhe ka qenë populiste.

Sipas Gërxhaliut, kjo taksë ka pasur efekte negative duke rritur inflacionin, koston e prodhimit vendor, koston e shportës së qytetarit dhe kontrabandën.

“Në rend të parë duhet të kuptohet që bazuar në përvojen time ekonomike sidomos në integrimin e ekonomisë së Ballkanit në familjen evropiane kam qenë një kritik i madh i një takse të tillë të paparamenduar dhe të paplanifikuar. Një taksë që ka qenë shumë më tepër populiste sesa e menduar dhe e kalkuluar ekonomikisht, do të thotë kam qenë i kërcënuar nga qarqe të caktuara pse e kundërshtoja një vendim të tillë. E kam kundërshtuar një taksë të tillë për arsye se e rrit inflacionin, një taksë e tillë ndikon në koston e prodhimit “Made in Kosova”, një taksë e tillë e ngrit koston e shportës së qytetarëve dhe mbi të gjitha është taksë e cila e rrit kontrabandën çfarë është verifikuar”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Më tutje, Gërxhaliu është shprehur se taksa ka pasur efekte negative politik ku të gjitha shtetet mike kanë qenë kundër një veprimi të tillë, madje ai thotë se taksa ka qenë çelësi i mosliberalizimit të vizave për Kosovën.

“Në aspektin politik ka impakt ekstrem negativ për arsye se është menduar të jetë vendim populist për partinë në pushtet, por po e shihni se qytetarët janë të vetëdijësuar dhe e dënuan arrogancën dhe populizmin e tyre dhe në këtë drejtim në aspektin ekstern është një efekt negativ enorm ku të gjitha shtetet mike dhe sponsoruese të pavarësisë së Kosovës kanë qenë kundërshtare të një veprimi të tillë dhe nëse duhet besuar bisedimeve në Berlin midis Macron dhe Merkel, taksa ka qenë çelësi i mosliberalizimit të vizave. Andaj besoj që Kosova meriton shumë më tepër përspektivë dhe besim në ardhmëri dhe jo të bie peng i një populizmi”, tha më tutje Gërxhaliu.

Ai për lajmi.net është shprehur se taksa e ka dëmtuar Kosovën politikisht, ekonomikisht, në aspektin e integrimeve dhe imazhin e vendit duke shtuar se nuk është për t’u habitur mungesa e investitorëve të huaj në Kosovë.

“Edhe pse së shpejti bëhet një vit nga kjo taksë, efektet negative janë shumë më të mëdha se ato pozitive. Ajo çfarë është interesante është se shumë biznese heshtin karshi efekteve negative të taksës, biseda jo-formale e thonë gjithmonë se i ka dëmtuar taksa. Por kjo besoj se kjo ka qenë taksë që e ka dëmtuar Kosovën si në aspektin politik, ekonomik, integrues e aq më shumë të imazhit dhe nuk është për t’u habitur që nuk kemi investime të huaja, nuk duhet të habitemi që kemi rënë në renditjen në Bankën Botërore dhe kjo tregon efektet e një veprimi të pamatur”, tha Gërxhaliu për lami.net.

Më tutje, i pyetur se çfarë mendon për masën e reciprocitetit të përmendur nga fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti, Gërxhaliu tha se Kosova duhet të tregojë më tepër maturi.

Ai më tutje është shprehur se duhet të mos bëhen gabime të mëtutjeshme në këtë çështje dhe veprimet të ndërmerren në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

“Unë dua të besoj që qeveria e ardhme do të tregoj shumë më shumë maturi. Do të ketë dialog intern dhe ekstern me qarqe të caktuara ndërkombëtare dhe duhet gjithmonë t’i kemi alternativat si të dalim nga situata dhe jo të hyjmë nga gabimi në gabim. Në këtë kohë duhet të kemi më shumë alternativa për zgjidhje, nëse flitet për reciprocitet atëherë kjo ka qenë e arsyehsme para kësaj takse, por tani duhet të tregohet një pjekuri dhe maturi dhe të vendoset lidhur me këtë dukuri të trashëguar. Ajo çfarë është më me rëndësi, është koha të tregohet maturi dhe jo populizëm, çështja e reciprocitetit të analizohet. I rekomandoj kryeminsitrit të ardhshëm të avancojë në dialog me faktorin ndërkombëtar dhe tek atëherë të ketë qasje rreth çështjeve”, tha Gërxhaliu.

Në fund, Gërxhaliu për lajmi.net tha se veprimet në nguti e dëmtojnë imazhin e Kosovës.

Taksa prej 100 për qind kishte bërë SHBA-të të kërkojnë vazhdimisht pezullimin e kësaj takse gjë që kishte hasur në vesh të shurdhër.

Kërkesë eksplicite e vendeve të fuqishme të botës edhe për qeverinë e ardhshme do të jetë heqja e kësaj takse për krijimin e kushteve për rifillimin e dialogut midis dy vendeve.

100 për qindëshi është vendosur si masë për ndaljen e fushatës së Serbisë anti-Kosovë gjë që nuk pati sukses pasi, Serbia vazhdoi me avazin e njëjtë duke penguar Kosovën edhe këtë vit për anëtarësim në INTERPOL. /Lajmi.net/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).