KKVITI

Adrenalina e Kurtit

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Nga Shkëlzen Maliqi- Vetëvendosja sulmon Qeverinë në fushat ku ajo është më e fuqishme me platforma radikale dhe luftënxitëse që i frikësojnë edhe votuesit e saj potencialë.

Një dukuri që Lëvizja Vetëvendosje nuk po e reflekton fare duke u përpjekur që pikëpamjet e veta politike t’i jetësojë përmes protestave dhe demonstratave nëpër rrugë, është ajo e uljes së numrit të protestuesve. Javën që shkoj si dhe dje, në protestat e Vetëvendosjes më i vogël ishte numri i atyre që protestonin, sesa sa i policëve që i mbronin institucionet.

Ky disproporcion po krijon situata në esencë groteske. Ndonëse Albin Kurti me shokët sikur kastile duan që të krijojnë tablonë e luftës klasike të Davidit me Goliatin, duke llogaritur në fitoren simbolike dhe morale mbi pushtetin, në të vërtetë në opinion krijohet përshtypja se janë duke e shpenzuar edhe mbetjet e fundit të krediteve politike që i patën fituar kur vendosën që të futen në garën për pushtet dhe në zgjedhjet merituan një grusht mandatesh të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Edhe në të kaluarën pjesëmarrja në protestat e Vetëvendosjes nuk ka qenë e madhe dhe bindëse. Vetëvendosja çdo herë apelonte interesat madhore të kombit dhe i drejtohej të gjithë qytetarëve, por përshtypja që krijohej pasi që pjesëmarrjet ishin të vogla ishte se VV përfaqëson një pakicë radikale që në esencë është margjinale dhe nuk përkrahet nga mazhoranca e atyre që u drejtohet, dhe pretendon se i përfaqëson. Dhe tani që në protestat e tyre marrin pjseë praktikisht vetëm aktivistët më të flaktë dhe udhëheqësia e lëvizjes, që asnjëherë nuk janë më shumë se 150 veta, ky margjinalizim bëhet edhe më i dukshëm.

Albin Kurti mund të thotë se puna e numrave nuk është me rëndësi, sepse kauza që ai e mbron është e drejtë. Dhe është e vërtetë sa Vetëvendosja e ka të drejtën që ti mbrojë parimet dhe bindjet e veta për gjendjen politike dhe proceset që po zhvillohen në Kosovë. Kjo edhe nuk i mohohet, deri edhe te e drejta për protestës para Qeverisë dhe në sheshet. Vetëm se numrat bëhen shumë relevant kur kihet parasysh se për gjendjen dhe proceset ka edhe pikëpamje dhe bindje tjera, që janë të kundërta me ato të Vetëvendosjes dhe që nuk janë thjesht qëndrime të Qeverisë, ose të Hashim Thaçit, por janë edhe qëndrime ndryshe të partive politike, të organizatave të shoqërisë civile si dhe të qytetarëve.

Nuk është hera e parë që Vetëvendosja ballafaqohet me një front të gjerë të përkrahësve të procesit të dialogut, që është indiferent ndaj apeleve të saj. Kjo po ndodh prejse Vetëvendosja po i thotë Jo negociatave dhe dialogut, ndërkaq që negociatat dhe dialogu kanë sjell rezultate të kundërta nga ato që VV i ka parashikuar, dhe ende vazhdon ti projektojë si të dëmshme për Kosovën.

Eco Higjiena

Problemi që VV duhet të reflektoj qëndron në humbjen e besimit që e ka në përkrahësit dhe aktivistët e kësaj lëvizjeje, pasi që në vazhdimësi po huq në parashikimet. Sa më shumë që proceset sjellin rezultate pozitive (shpallja e pavarësisë, heqja e mbikëqyrjes, ndërtimi i institucioneve…) aq më bosh tingëllon radikalizmi i diskursit të Vetëvendosjes, që politikisht në dy testet e pakontestuara të zgjedhjeve në Ferizaj dhe Kaçanik, kanë rezultuar me uljen e përkrahjes të votuesve, por edhe me uljen e pjesëmarrjes në protestat që po i organizohen.

Në esencë në vend që platforma politike e Vetëvendosjes të përqendrohet në kritikën e dobësive evidente të qeverisjes (korrupsioni, kahja e privatizimit, mungesa e politikave zhvillimore, keq-menaxhimi i shërbimeve publike etj.), ku do të mund të grumbullonte gradualisht më shumë poenë dhe përkrahje politike nga spektri i votuesve të pakënaqur dhe të pavendosur, Vetëvendosja sulmon Qeverinë në fushat ku ajo është më e fuqishme me platforma radikale dhe luftënxitëse që i frikësojnë edhe votuesit e saj potencialë.

Duke mos u transformuar seriozisht në parti politike që respekton rregullat e demokracisë dhe fuqinë reale repezentuese, Vetëvendosja po zgjedh rrugën e konfrontimit dhe ashpërsimit të raporteve me pushtetin, duke e programuar haptazi si qëllim përmbysjen revolucionare të tij. Ata e thonë se Hashim Thaçi duhet të përmbyset me dhunë, jo me mjete politike dhe përmes zgjedhjeve. Andaj, edhe pse fuqia e protestave të tyre po zvogëlohet, ata po e kompensojnë këtë me ashpërsimin e sulmeve ndaj institucioneve, duke tentuar që të futen në Kuvend, ose në Qeveri, ku si pakicë që janë duan që të bllokojnë dhe përmbysin vullnetin e shumicës. Paramendoni nëse do t’i lejohej Vetëvendosjes që të marrë Kuvendin ose Qeverinë? Cili do të ishte hapi i tyre i mëtejmë? Okupimi i ndërtesave është lojë fëmijësh që nuk i kuptojnë ose nuk i respektojnë rregullat.

Vendimi tjetër strategjik i Vetëvendosjes si duket është ai i provokimit të situatave ku deputetët dhe aktivistët e saj viktimizohen, rrahën dhe burgosen, e që pritet se në opinion do të zgjojë reagime emocionale kundër dhunës së pushtetit. Në të vërtetë, besoj se ky lloj i “viktimizimit” më shumë e forcon idenë e shtetit i cili është i vendosur që t’i mbrojë institucionet e veta nga sulmet anarkiste, sesa që i kontribuonë rritjes së ndikimit të Vetëvendosjes. Brutaliteti i policisë, që edhe mua më duket i panevojshëm, ose të paktën i tepruar, mbase edhe është pjesë e kësaj skeme, që e ushqen sa adrenalinën e Kurtit, aq edhe ate të Bajram Rexhepit.

Në fund, mund të thuhet se në përleshjet që ndodhën nuk bëhej fjalë për privatizimin dhe dialogun, që përndryshe janë tema legjitime për shqyrtime dhe brengosje, sepse protestuesit nuk ofrojnë zgjidhje reale dhe të qëndrueshme për këto probleme; përleshjet që inicioheshin nga sulmet “viktimizuese”, sfidonin vetë substancën e demokracisë në Kosovë, që është ende tejet e brishtë dhe në ndërtim e sipër.

Duke mos pas opozitë të njëmendët dhe të artikuluar, dhe duke u sulmuar nga radikalizmi objektivisht anarkist i Vetëvendosjes, nga situatat që po i kalojmë më së shumti përfiton ai që vihet në shënjestër si e keqja e vendit, Kryeministri Hashim Thaçi. Në këtë kuptim mbase kanë të drejtë ata që thonë se adrenalina për protesta e Kurtit çdo herë e çon ujin në mullirin e Thaçit.