Administrata, “strehë” e militantëve për blerje votash
Të gjitha projektet e deritanishme të Qeverisë së Kosovës, për rishikimin funksional të ministrive, madje edhe reformimin e thellë të administratës, po mbeten në letër pa asnjë efekt praktik. Ekspertët e fushës së legjislacionit krejt këtë dështim të ndërtimit të një qeverisjeje efikase e shohin si pasojë të mungesës së vullnetit politik të klasës politike, që ka qeverisur në ta kaluarën me vendin dhe kësaj që po qeveris sot, për t’i miratuar ligjet adekuate për dy institucionet kryesore të shtetit, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi: Institucionet e mbingarkuara me punonjës – militantë e familjarë.
“Tani zvarritja e rishikimit dhe reformës së administratës po prolongohet nga njëra qeveri në tjetrën. E gjithë kjo po bëhet me qëllim për të mbajtur në punë militantët partiakë, të afërmit dhe farefisin e gjerë, në mënyrë që gjatë procesit zgjedhor t’i shfrytëzojnë si mekanizma për blerjen dhe vjedhjen e votave të qytetarëve të varfër, të maltretuar, të nëpërkëmbur dhe të përbuzur të Republikës së Kosovës”, shprehet analisti Florim Zeqa,shkruan sot Gazeta Kosova Sot
Të gjitha projektet e deritanishme të Qeverisë së Kosovës, për rishikimin funksional të ministrive, madje edhe reformimin e thellë të administratës, po mbeten në letër pa asnjë efekt praktik. Ekspertët e fushës së legjislacionit krejt këtë dështim të ndërtimit të një qeverisjeje efikase e shohin si pasojë të mungesës së vullnetit politik të klasës politike, që ka qeverisur në ta kaluarën me vendin dhe kësaj që po qeveris sot, për t’i miratuar ligjet adekuate për dy institucionet kryesore të shtetit, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.
Sikur Qeveria dhe Kuvendi të kishin në funksion ligjet e tyre, për të adresuar saktë obligimet, përgjegjësitë dhe fushëveprimin e secili sektor, atëherë do t’i hapej rrugë edhe ndërtimit të një skeme racionale qeveritare, ku përmes reformës së administratës do të parashikohej edhe numri racional i ministrive, ministrave dhe zëvendësministrave, i këshilltarëve, departamenteve e divizioneve, për të pakësuar mbipopullimin e administratës. Ekspertët e kësaj fushe dhe analistët theksojnë se zvarritja e këtyre dy ligjeve bazike, për Qeverinë dhe Kuvendin, mbi bazën e të cilave do të ndodhte edhe rishikimi funksional i gjitha administratës, po bëhet qëllimisht, vetëm për të mbajtur në punë militantët dhe për të punësuar edhe të tjerë që u duhen subjekteve politike në të ardhmen, për të marrë, për të blerë e për të vjedhur votat e qytetarëve të mashtruar dhe të varfër e të nëpërkëmbur.
Eksperti i fushës së legjislacionit dhe integrimeve evropiane, Blerim Burjani, thotë për gazetën “Kosova Sot” se reforma strukturore administrative është obligim dhe kusht i Kosovës edhe për rrugën e filluar të Kosovës për në BE, mirëpo shtyrjet apo zvarritjet e pakuptimta ndodhin, për shkak të punësimit të një numri të madh të partiakëve në administratën e shtetit, ku të gjithë pothuajse këta shërbyes aktualë civilë dhe të punësuarit në ndërmarrje publike janë pjesë e ombrellës politike të partive aktuale në pushtet. “Reforma në administratën publike do të reduktonte numrin e shërbyesve civilë, edhe pse ka të atillë në Qeveri që thonë se kjo administratë glomaze me partiakë, nuk do të reduktohet fare. Një administratë e vogël e trajnuar mirë, efikase, neutrale dhe profesionale do të kryente punë të dobishme për qytetarët dhe pa ndonjë ngarkesë të madhe për buxhetin e shtetit të mbledhur nga taksapaguesit, nga qytetarët”, shprehet Burjani.
Burjani: Kosovës nuk i duhen më shumë se 11 ministri Qeveria, sipas Burjanit, nuk duhet të funksionojë pa ligj dhe është e pakuptimtë të jetë e tillë edhe 8 vjet pas pavarësisë. “Kosovës nuk i duhen më shumë se 11 ministri dhe një kryeministër, dy zëvendëskryeministra, dhe duhet të ketë një reduktim të plotë funksional edhe të bordeve partiake”,thotë Burjani për “Kosova Sot”.
Edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, konsideron se gjithë kjo zvarritje e bërjes së ligjeve për institucionet kryesore të shtetit dhe realizimin e reformës strukturore në administratë po bëhet me qëllim të ruajtjes së ndikimit politik mbi të punësuarit në institucione, që janë një lloj armate e mbledhjes së votave në proceset elektorale.
Ai ka pohuar se në cilësinë e deputetit në mandatin e legjislaturës së parë të Kuvendit të Kosovë, ka qenë vetë një nga hartuesit e rregullores së punës, e cila edhe sot e kësaj dite është në funksion, me disa ndërhyrje të herëpashershme, që janë bërë në mandatet e mëvonshme, por Ligji për Kuvendin dhe Ligji për Qeverinë nuk janë bërë as sot e kësaj dite. Kelmendi ka pohuar se derisa nuk bëhen këto ligje, as që mund të flitet për reformë në administratë, e aq më pak për administratë profesionale dhe efikase, në funksion të qytetarit e jo të politikës. “Kjo fatkeqësi e ka përcjellë dhe po e përcjell akoma jo vetëm Qeverinë, por edhe Kuvendin e Kosovës, sepse të gjithë e dimë që edhe Kuvendi i Kosovës jo vetëm Qeveria, deri më sot akoma nuk e ka ligjin e vet, por vepron me një rregullore, e cila është hartuar që në legjislaturën e parë kur isha deputet dhe anëtar i Komisionit që ka punuar në atë rregullore. Kjo çështje është bartur sot e asaj dite edhe në Qeveri dhe tani e kemi edhe Qeverinë në një situatë të tillë, nuk e kemi një ligj, i cili përcakton saktë përgjegjësitë e administratës së shtetit, numrin e ministrive, funksionalitetin e tyre, numrin e zëvendësministrave, numrin e këshilltarëve, por janë vetëm disa rregullore të veçanta”, shprehet Kelmendi.
Krejt kjo situatë mbetet e tillë, sipas Kelmendit, me qëllim, si në Kuvend edhe në Qeveri, që t’u bëhet e mundur njerëzve që të dalin ose emërohen në pozitë sipas interesave të tyre grupore, politike e klanore. “Ne jemi dëshmitarë që numri i ministrive është rritur panevojshëm, që nga 11 ministri që ka pasur Kosova në periudhën e UNMIK-ut, ose nga 16 ministri që kemi pasur në mandatin e parë të pavarësisë së Kosovës, në 21 ministri me nga dy, tre e katër zëvendësministra. E kemi një Qeveri, e cila nuk është e njëjta as në SHBA, ku atje janë mbi 300 milionë banorë dhe shteti menaxhohet në mënyrë më racionale nga administrata e shtetit. Madje, kjo praktikë e numrit të madh të ministrive nuk është as në shtetet e BE-së, sikur është edhe vetë Gjermania”, shprehet Kelmendi./kosova sot/


