Administrata dhe gjyqësori, “kampionë” të shkeljes së të drejtave të qytetarëve
Institucionet publike vazhdojnë të jenë shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut në Kosovë. Sipas Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari, administrata shtetërore ose ekzekutivi janë “kampionë” të shkeljes së të drejtave të qytetarëve.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Zëri”, Jashari ka bërë të ditur vështirësitë me të cilat është duke u ballafaquar Institucioni i Avokatit të Popullit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e rekomandimeve të dala nga ta, si institucion i pavarur në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.
Jashari thotë se në bazë të ligjit të miratuar në vitin 2015, rekomandimet e dala nga Avokati i Popullit janë të detyrueshme jo vetëm për sektorin publik, por edhe për atë privat, duke bërë kështu që moszbatimi dhe mosrespektimi i rekomandimeve të dala nga ky institucion përbën vepër penale sidomos për institucionet publike.
Jashari, përveç mbrojtës së të drejtave të njeriut në Kosovë, ka folur edhe për procesin e integrimeve evropiane dhe rolin e Institucionit të Avokatit të Popullit në këto procese, demarkacionin me Malin e Zi si dhe rastet të cilat i kanë trajtuar ata si Institucion i Avokatit të Popullit./zeri/


