Ademi ëndërron të luajë në botërorin “Brazil 2014”

Zagreb – Mesfushori shqiptar i Dinamo Zagrebit, Arijan Ademi, është i bindur se Përfaqësuesja e Kroacisë do të kualifikohet në kampionatin botëror “Brazili 2014” dhe se pjesë e saj do të jetë dhe vet ai, shkruan të hënën “Sportste Novosti”.
Ademi 21-vjeçar, këtë edicion është njëri prej lojtarëve kryesor te Dinamo, ndërsa me Përfaqësuesen e Kroacisë, ka debutuar në muajin shkurt të këtij viti, në ndeshjen miqësore kundër Koresë së Jugut, të zhvilluar në Londër. Pas ndeshjes seleksionuesi Igor Shtimac, ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e Ademit.
“Me një këmbë, Kroacia ka siguruar pjesëmarrjen, por duhet ta konfirmojmë me të dyja këmbët. Nëse vazhdojmë kështu, është e sigurt se do të shkojmë në Kampionatin Botëror”, është shprehur Ademi. “Ndërsa, nëse unë vazhdoj kështu, atëherë besoj se do të jem në atë aeroplanin që do të shkojë për në Brazil”.
Ademi e ka parasysh se konkurrenca te Përfaqësuesja e Kroacisë ku luan është shumë e fortë, por ai thotë se po e pret rastin e vet për t’u dëshmuar para të gjithëve.
“Është konkurrencë shumë e fortë, pasi në pozitën time luajnë lojtarë madhështorë. Është vështirë të luftoj për një vend, por unë po e pres rastin tim”, u shpreh Ademi. “Nuk e di se kur të ftohem të luajë ndeshjen tjetër për Kroacinë, por mua kjo nuk më intereson shumë. Unë kam për detyrë të luajë sa më mirë me Dinamon, në mënyrë që t’i bie në sy seleksionuesit”.
Ademi prej vitit 2010 është pjesë e skuadrës Dinamo, kur u pati transferuar nga Shibeniku. Ai ka qenë pjesë e ekipeve U-18, U-19, U-20 dhe U-21 të Kroacisë.(koha)