Eko Higjiena

Adem Sadik Sadiku, Atdhetar dhe luftëtar i pa epur i çështjes kombëtare

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Adem Sadiku i lindur me 12.04.1936 në Budrikë e Epërme ku i cili rrjedh nga një familje shumë fisnike dhe atdhetare.

Shkollën fillore, gjimnazi i ulet e kreu në Pozhoran në vitin 1952. Për herë të parë u punësua në fshatin Stançiç si mësues në vitin 1954 dhe për një kohë të shkurtër u përjashtua, pastaj punoi në fshatin Zhegër, Radivojc, Gjylekar, dhe në fshatra të tjera aty ku u paraqitej nevoja.

Gjatë kësaj kohe Mësuesi Adem mbolli shumë vlera kombëtare tek nxënësit e tij nga do që punonte. Pasi që Adem Sadiku ku do që punonte përveç lëndëve mësimore sipas plan programit mësimor ai nxënësve iu mësonte poezi me përmbajtje “nacionaliste“ siç e quanin pushtuesit sepse këto vjersha dhe poezi ishin të ndaluara për shtetin, si dhe ju shpjegonte histori të popullit shqiptar, vuajtjet, persekutimet, si dhe luftën e përhershme të popullit tonë ndaj pushtuesve të cilët e kishin pushtuar vendin ndër shekuj dhe e eksploatonin dhe i varfëronte skajshmërisht vetëm e vetëm për t`i detyruar të lëshojnë tokën e të parëve dhe duke u asimiluar dhe imigruar nëpër vendet e ndryshme të botës si në Turqi e gjetiu.

Duke mësuar historinë për heronjtë, luftëtarët dhe luftërat e njëpasnjëshme nëpër etapa të ndryshme historike ai iu ngritët e moralin dhe ndjenjën atdhetare tek nxënësit. Pas disa kohe u hetua nga organet e pushtetit dhe nga xhandarmëria serbe dhe u vu në përcjellje të pashmangshme dhe me 28.02.1961 u paraburgos për një muaj dhe ju shqyrtua dënimi për 2 vite e 6 muaj me burgim të plotë ku u kërkua dhe dënim më i ashpër dhe i gjatë dhe u dënua edhe me të holla me arsyetimin se nga këshilli gjykues në Gjilan quhej “Irredentist” sepse gjatë paraburgimit aty mu para trupit gjykues shprehet hapur se: “UNË DO VDES PËR FLAMURIN KOMBËTAR KUQ E ZI, RRNOFT FLAMURI YN! KOMBËTAR”.

Nga ky moment Axha Adem asnjëherë nuk pati kënaqësinë dhe të drejtën për të ushtruar profesionin e mësuesit dhe në punë të tjera ishte gjithnjë i refuzuar dhe jo i përshtatshëm. Përkundër këtij diskriminimi ndaj tij ai mbeti si mësues jashtë shkollave dhe nuk u ndal për të mbjellur tek të rinjtë dëshirën për popullin e vuajtur të kombit tonë.

Edhe në shërbimin Ushtarak e kreu si është më së vështiri të cilin e filloi në Gorazhdë të Totogradit me 30.12.1957 gjer me 31.9.1963 do të thotë 7 vite sepse asnjëherë nuk u betua para flamurit Jugosllav, arratisej në këto kohë dhe nga 3 muaj nga 3 muaj kështu e kreu ketë detyrim.

Me 10.5.1974 prapë u dënua për fjalët që tha në prezencën e disa sërbomedhenjëve: “SËRBET NAJ KAN PI GJAKUN, DHE SOT PO NA EKSPOLLTOJNËNË NEVE SHQIPTARËVE DHE SPO NA LEJNË TË GJALLË ! (të vërtetuara zyrtarisht)për këtë fjalë dënohet me 1 vit burgim si dhe si aktivist dhe pjesëmarrës dhe organizues i demonstratave të vitit 1968 Baca Adem nga pushteti i atëhershëm emërohet “irredentisti më rrezikshëm” – dhe për këtë ai për ç’do vit në 25 Maj Axha Adem ishte i burgosur për shkak të kësaj feste Jugosllave nga frika prej tij se po organizon protestë mu në festë andaj dhe 1 muaj burgim e kishte te garantuar për ç’do vit në muajin Maj.

Pushteti përveç që e burgosnin e këshillonin që të jetë i kujdesshëm dhe sjellshëm gjatë mbajtjes së paraburgimit me sjelljet e tija sepse do pësonte edhe më keq. Në muajin e paraburgimit ishte i pa durueshëm, fliste për te drejtat tona dhe burgimin zakonisht ia zgjatshin 2, 3 gjer 4 muaj.

Pas një periudhe gjatë viteve të ’70-ta filloi të punoj në një sipërmarrje në Ferizaj, pas një muaj u përjashtua për shkak të bindjeve te tija patriotike. Pastaj punoi dhe me një sipërmarrje nga Maqedonia dhe kishte një dyqan ushqimor në Ferizaj dhe këtu u suspendua shpejt. Kërkoi me 1980 dokument udhëtimi, u refuzua kërkesa për arsyet e ditura.

Adem Sadik Sadiku arriti që të shijoj lirinë e popullit të Kosovës ku ndërroi jetë më 27 Tetor 2010, duke ikur me mall nga kjo botë pasi ëndërr e kishte Bashkimin Kombëtar pasi që një jetë të tërë ia kishte kushtuar aktivitetit të tij patriotik dhe atdhetarë dhe e dëshironte që populli shqiptar kudo ne trojet e tyre të jetë i bashkuar

Por gjithsesi mbesa e bacës Adem, Luljeta S. Beqiri mes tjerash shprehet se “ne si familje patëm fatin të kemi një xhaxha të tillë që na edukoi mësoi dhe na bëri të jemi krenarë me kombin, flamurin dhe popullin shqiptar, andaj edhe ne mburremi qe e patëm një xhaxha të tillë./enver sahiti/

LEXIMI I FJALËS SË FUNDIT PËR ADEM SADIK SADIKU
Nga nipi i tij
Të nderuar pjesëmarrës, e nderuar familje Sadiku.
Fshati Budrigë, 27 Tetor 2010
Sot jemi shumë të pikëlluar që po ndahemi nga Adem Sadiku i cili ndërroi jete në moshën 74 vjeçare. Adem Sadiku u lind në vitin 1936 në fshatin Budrigë, ne një familje te njohur në Anamoravë.

Që ne moshë te re,ai ishte shquar me tipare te guximit, sinqeritetit dhe të atdhedashurisë. Edukata familjare i kishte ndihmuar qe të brumosej e të fisnikërohej me trimëri, bujari, guxim dhe humanitet. Me këto vlera do të rrugëtojë për gjatë tërë jetës së tij.

Koha kur ai ishte i ri, ishte e vështire për shqiptarët. Atij i pengonte pa masë pozita e vështirë e shqiptarëve, kështuqë shumë herët e kishte kuptuar që dituria dhe shkollimi i të rinjëve do të shërbenin si armë e fuqishme për lirinë e popullit të Kosovës. Ishte shumë i ri kur u angazhuar në mësimdhënie. Si mësues filloi të punojë më 1954.

Dijen e tij, filloi ta shpërndajë nëpër fshatrat e Anamoravës dhe të Karadakut. Përpos shpërndarjes së dijes, ai vazhdimisht punonte në ngritjen e vetëdijes kombëtare, duke mos u pajtuar asnjëherë me pozitën kolonialiste në të cilën ishte vendosur Kosova pas luftës së dytë botërore. Ndjenjat e tij të fuqishme kombëtare i shprehte hapur dhe pa u frikësuar. Organet e sigurimit të Jugosllavisë e kishin vënë në shënjestër qysh kur ishte i ri. Ata i pengonte fakti se ai po bëhej burim frymëzimi i atdhedashurisë edhe për të tjerët.

Eco Higjiena

Kur ishte e ndaluar që edhe të përmendej flamuri kombëtar, ai thërriste publikisht “Rroftë flamuri kuq e zi”.

Për herë të parë e burgosin në vitin 1961. Edhe pse gjatë qëndrimit në burg,iu ishte nënshtruar torturave të ashpra, karakteri i tij i fortë kishte rezistuar deri në fund. Shteti jugosllav e kishte shpallur armik dhe i kishte kufizuar të gjitha mundësitë për të mbijetuar.

I shtrënguar nga presioni jugosllav, detyrohet ta marrë rrugën e mërgim. Jetoi në Francë për 5 vite. Jeta e tij në Francë ishte shumë e vrullshme. Ndarjet ideologjike të shqiptarëve nuk i pëlqyen asnjëherë kështuqë, në veprimtarinë e tij, ai ngulte këmbë për kultivimin e ndjenjave të pastra kombëtare. Njerëzit që e kanë njohure cilësonin si një shqiptar me potencial të lartë unifikues. Gjithnjë thoshte se “kombi ynë vetëm i unifikuar mund të çlirohet dhe të përparojë”. Dashuria ndaj familjes dhe atdheut ishte shumë e fuqishme prandaj nuk duroi dot që të vazhdonte të jetonte në mërgim dhe në fillim të viteve të 70-ta, vendosi të kthehej përsëri në Kosovë Edhe pas kthimit në atdhe, atë nuk e lanë kurrë të qetë. UDB-ja jugosllave vazhdimisht e kishte nën vëzhgim. Shumë herë e kanë burgosur por kurrë nuk kanë arritur që ta thyejnë.

Në kohën e izolimit të intelektualëve të Kosovës, atë e izoluan si shumë të rrezikshëm. Ngjarjet e bujshme te fundit të viteve 90-ta,i priti shumë i entuziazmuar. Edhe pse e dinte rrezikun që i kanosej shqiptarëve të Kosovës, ai i gëzohej shpartallimit të komunizmit dhe të Jugosllavisë.

E dinte se kishte ardhur koha që shqiptarët të organizoheshin dhe të kërkonin vetëvendosjen e tyre. Formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës e kishte pritur shumë i entuziazmuar. Edhe pse paksa i moshuar, ai ishte aktivist i denjë i organizimit të aktiveve dhe nëndegëve të kësaj lëvizjeje gjithë popullore.

Kishte respekt të veçantë, por edhe shpresa në elitën intelektuale e veçanërisht i kishte shpresat ne kryetarin, tash të ndjerin Ibrahim Rugova, veprën e të cilit nuk pushoi së respektuari deri në fund të jetës së tij.

Familja, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur do ta mbajnë mend dhe do ta kujtojnë atë, për këshillat e tij të urta, për dashamirësinë e tij të madhe për shkollën dhe dijen, por posaçërisht ai do të kujtohet për guximin e tij të veçantë dhe për aftësitë e tij të rafinuara në ndarjen e vlerave nga pseudovlerat.

Do ta kujtojnë dhe për mënyrën që ai përballej me gënjeshtarët e pseudopatriotët.
Ndjente një neveri të madhe për politikanët egoistë duke i quajtur “matrapazët e interesave kombëtare”.

Do të jetë gjithashtu shumë vështirë që të harrohet morali i lartë i tij, humanizmi dhe raportet e tij shumë fisnike me njerëzit pavarësisht gjinisë moshës, fesë dhe nivelit social. Adem Sadiku si rrallë dikush tjetër, reflektonte një kulturë në të cilin ishin gërshetuar për mrekulli vlerat tradicionale shqiptare dhe ato moderne. Po e përfundoj këtë fjalë modeste për këtë njeri të madh por shumë modest duke thënë se ai do t’i mungojë familjes dhe të gjithë neve.

Ne do ta ruajmë kujtimin për te duke qenë krenar që bashkëjetuam me këtë njeri shumë të veçantë.

Le të prehet në tokën e Kosovës së pavarur të cilën aq shumë e deshti dhe për të cilën aq shumë sakrifikoi.

Lavdi jetës dhe veprës së tij.
Budrikë 27 Tetor 2010

Lexuar nga Agim Rusha nipi i Adem Sadik Sadikut